Danimarkë-Gjermani: 11 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri

Deri më 26 janar kryeqyteti gjerman, Berlini, bën bashkë të gjithë të interesuarit në fushën e produkteve ushqimore e bujqësore.

Në panairin “Java e Gjelbër“ marrin pjesë 70 vende dhe janë prezentë rreth 1700 stenda të prodhimeve tipike ushqimore të vendeve përkatëse.

Paralelisht, Forumi për Ushqim dhe Agrikulturë (GFFA) po zhvillon konferencën ndërkombëtare nën moton: “Fuqizimi i bujqësisë: Shtysë për sigurimin global të ushqimit”, transmeton albinfo.ch.

Aty janë të ftuar nga e gjithë bota rreth 1400 përfaqësues nga fusha e politikës, ekonomisë, shkencës, bujqësisë, shoqërisë civile, etj.

I pranishëm në këto aktivitete është edhe ministri i Bujqësisë, i Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë, Edmond Panariti, edhe pse Shqipëria, por edhe Kosova, këtë vit munguan në këtë panair.

Gjermania është pjesëmarrëse shumë aktive në mbështetjen e saj aktive me financat dhe me projektet e asistencës së bujqësisë në Shqipëri.

“Ne sapo nënshkruam një grand prej 11 milionë eurosh mes Danimarkës, Gjermanisë dhe Shqipërisë, ku dy vendet e para janë financuesit kryesorë të këtij grandi dhe implementimi bëhet nëpërmes GIZ-it për të ndihmuar zhvillimin e bujqësisë në zonat rurale”, tha në një intervistë për DW ministri shqiptar Panariti.

Gjermania është kontribuuesja kryesore me fondet e Bashkimit Evropian.

„Të gjitha projektet e zhvillimit që Bashkimi Evropian ka lëvruar në fushën e bujqësisë kanë si kontribuese kryesore Gjermaninë, pasi ajo është edhe lokomotiva e BE-së. Prandaj, kontributet gjermane në këtë aspekt janë shumëdimensionale. Gjermania është e pranishme si mbështetëse kryesore në tërësi e ekonomisë shqiptare, por më së shumti në fushën e bujqësisë“, tha mes tjerash në këtë intervistë Panariti.

Ministri i Bujqësisë, i Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë, Edmond Panariti, tha se Shqipëria përveç klimës, ka pozicion të favorshëm gjeografik dhe burimet e saja natyrore.

“Shqipëria është një vend blegtoral, pra janë delet, janë dhitë, kecat, qengjat, prodhimi i qumështit nga këto bagëti të imta, ku ne kemi avantazh të krahasuar me gjithë vendet e rajonit, por njëkohësisht janë edhe perimet e freskëta, janë frutat”, thotë ministri.

“Sfida jonë është që Shqipëria të identifikohet gjithmonë e më shumë me produkte të markës që mbajnë emrin e Shqipërisë dhe me këto të paraqitet me krenari në tregjet evropiane, duke përçuar në këtë mes kulturën, traditën dhe historinë, sepse një ushqim mban në vetvete edhe origjinën dhe kulturën, traditën dhe pasionin me të cilën është kultivuar”, tha Panariti.

Lajme të ngjashme

Back to top button