Kina mund të ndërtojë portin e ri në Shëngjin

Investitorët kinezë janë shumë pranë marrjes së koncesionit për ndërtimin e portit të ri në Shëngjin të Lezhës. Një delegacion i  qeverisë kineze, i shoqëruar nga zëvendësministrja shqiptare e Zhvillimit Ekonomik, vizituan ditën e sotme Portin e Shëngjinit, duke u njohur nga afër me të. Kjo vizitë shton shanset për finalizimin e marrëveshjes koncesionare për ndërtimin e portit të ri.

Mirëpo, koncesioni për ndërtimin e portit të ri në Shëngjin, iu premtua nga qeveria “Berisha” qeverisë kosovare. Por ky projekt nuk u realizua asnjëherë dhe Kosova mund të mos ketë më mundësi për një dalje në det përmes Shqipërisë.

Pavarësisht kësaj, ministri shqiptar i Transporteve, Edmon Haxhinasto, ka shpjeguar se marrëveshja e nënshkruar në Prizren më 11 janar të këtij viti gjatë mbledhjes së dy qeverive shqiptare, mundëson një qasje të re për daljen në det të Kosovës.

Sa i përket vizitës së sotme në Portin e Shëngjinit, delegacioni kinez kryesohej nga zv/drejtori i përgjithshëm i Ekonomisë kineze për Europën. Përfaqësuesit e qeverisë kineze zhvilluan një takim me drejtorin e Portit të Shëngjinit, Gjovalin Tushën, ku biseduan për projektin e europortit, të quajtur “Shqiponja e Adriatikut”. Europorti parashikohet të ndërtohet rreth 1 km larg Portit të Shëngjinit, dhe do të ketë një kapacitet përpunues të mallrave deri në 60 milion tonë. Gjithashtu, ky europort është parashikuar që të presë për ankorim anijet me tonazh deri në 500 mijë tonë. 

Pas vizitës në Portin e Shëngjinit, përfaqësuesit e delegacionit të qeverisë kineze u shprehën se po shohin seriozisht mundësitë për të investuar konkretisht në projektet e europortit dhe zgjerimit të hapësirës së portit aktual. Ata u shprehën se do t’ia prezantojnë qeverisë kineze projektin aktual dhe më pas do të diskutojnë me qeverinë shqiptare lidhur me marrëveshjen koncesionare./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button