TË PRISHISH SHQIPNIN E BUKUR PËR SERBINË

Koha jonë është e mjegullt, por ka një të mirë të pamohueshme: pamundësinë e fshehjes së ligësive të atyre që prishin Shqipnin e bukur të Rilindësve.

Në dallim nga e shkuara, kur të tillët vepronin me drojë dhe prapashpinas, mohuesit e sotëm të etnisë e bëjnë këtë nëpër mizërinë e medieve të verdha, që funksionojnë me para shqiptarësh por janë në shërbim të djallit.

Për të kuptuar bëmat e hafijeve të djeshme duhej të kalojnë dekada, kurse këta të sotmit nuk presin t’i zbulojnë të tjerët, sepse flasin vetë për kopilitë e tyre, madje me krenari dhe kapadaillëk. Dhe: përse të mos e bëjnë këtë kur prapa vetes kanë shtrunga mjerane adhuruesish të cilët çdo veprim zeusësh të rremë e përligjin me liritë e sallamadishme të demokracive të sajesave në tranzicion të përjetshëm.

Mjafton të lexohen shkrimet e cilitdo rilindës për t’u bindur sa të pandryshueshme rezultojnë iletet që na godasin në kapërcyej shekujsh, sa herë lind mundësia për ta bërë shqiptarin ta dojë Shqipninë shtet. Konica, Noli, Fishta, Asdreni, Migjeni, Bulka, Asllani, Harapi, Koça, Merxhani… sfiduan në shumë drejtime nyjet gungaçe që na mbajnë në nivel turmash të padenja për respektin e të tjerëve, por, mjerisht, nuk ia dolën t’na shtynë në merak për çdo send që i përket shqiptarizmës, të zgjojnë një kult dhe një adhurim për çdo send që i përket kombit dhe tokës sonë…, se ndryshe: nuk mund të kemi as shqiptarë, as Shqipëri.

Megjithatë, sado në kushte pakrahasimisht më të vështira se të sotmet, idealistët e kohëve të shkura – mësuesit, intelektualët, shkrimtarët, publicistët, gazetarët… iu kundërvunë me sukses njërës prej të këqijave më të rrezikshme për ekzistencën tonë të mëtejme: instrumentalizimit të besimeve fetare për t’na përçarë e zhbërë nga faqja e dheut. Ata e bënë këtë duke ndërsyer me vetëdije mbi vetveten mëritë, inatet dhe pështymën e vdektarëve të rëndomtë që nuk e kishin pikën e haberit mbi rrezikun që na kanosej. Si dëshmi, po sjell për lexuesit e Portalb-it një shkrim të pabotuar më parë të Rilindësit të Rekës së Epërme – Josif Bagerit, i cili portreton njërin prej gjak pimësave që u përpoq ta bëjë fenë armë përçarëse ndërmjet shqiptarëve.

Ta lexojmë dhe të marrim mësimet e duhura për kohën tonë:

Na me Esat Pashën jemi shum së afërmi t’njohun dhe kemi ngran e kemi pië bashkë më ni tryes, po kjo smundën me na ndalue t’shkruajm për veprat e tia… dhe për qellimet e liga që kishte për prishjen e Shqipnis. Ky deshte me da Epirin dhe Shkodrën prej Shqipnis mesme, në t’cilën deshte t’prokllamohet për prenc, tuj e çfaq kët anë për nji Shqipni myslimane e jo t’përziet me t’krishten. Domethën, ky faqe zi s’kujtonte për nji Shqipni ideale e t’madhe, por për nji Shqipni t’vogël! Ose ma mir e ma drejt ta thomi, ki deshte me formue ni Tyrki t’vogël prej myslimanve Shqiptar, t’cilët i varroj tuj i çue të vriten vllau me vllan në shum lufta për kët qëllim. Kështu duhet t’farohen dyke u vra njani me tjetrin që t’u mbushen mend atynej që mbetën të gjall, se Shqipnia do mbetet në vette si Shqipni ideale e popullore, e jo fetare dhe e vogël ashtu si do gjak pimësi Esat pâsh Toptani, i cili për shkinën Serbi prishi Shqipnin e bukur…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button