Vlera dhe antivlera të demokracisë alla ballkançe

“Asgjë nuk është më e mrekullueshme se arti I të qenit I lirë, por asgjë nuk është më e vështirë se të mësohet se si të shfrytëzohet kjo liri”. Mësimi më I vështirë për këtë popull është të mësojë të zbulojë se ku qëndron potenciali dhe e vërteta tek secili prej liderëve kandidatë. Demokracia jep përshtypjen e të qenurit më e dobët nga çka është në realitet: është konfuze në sipërfaqe, por ka shumë fuqi të fshehur përbrenda. Aftësia për të zgjedhur liderë alternativë që ofrojnë politika alternative I bën demokracitë më të mira sesa autokracitë në formën dhe mënyrën për të gjetur zgjidhje kreative të problemeve dhe sfidave ekzistenciale, megjithëse demokracisë I duhet kohë për të dribluar deri tek politikat e duhura. Por për të patur sukses, ato duhet të sigurohen që qëndrojnë në themele të qëndrueshme.

Krijuesit e demokracisë moderne e shohin atë si një mekanizëm të fuqishëm por joperfekt: diçka që duhet dizajnuar me kujdes, për të marrë maksimumin nga kreativiteti njerëzor në të njejtën kohë duke u rruajtur nga perverziteti njerëzor, e pastaj duke u përmirësuar dhe duke u rirregulluar dhe adaptuar në bazë të nevojave. Demokracitë e reja më të suksesshmë në botë kanë funkcionuar vetëm për arsyen se I kanë ikur nocionit në majorizimit, nocionit sipas të cilit fitorja në zgjedhje I jep të drejtë një force politike të bëjë çka të dojë. Ato kanë vendosur kufij deri ku mund të arrijë fuqia e tyre. Shenjat e para që një demokraci e brishtë po shkon drejt dështimit vijnë kur liderët e zgjedhur arrijnë të realizojnë përpjekjet për zhdukjen e kufizimeve kushtetuese mbi fuqinë e tyre.

Kjo ka ndodhur në vendin tonë shumë kohë më parë. Dominimi I dy partive politike më të mëdha kombëtare në zgjedhjet e fundit u jep atyre forcë akoma më të madhe për të zbatuar dhe implementuar pushtet të plotë dhe të gjithëfuqishëm në të gjitha sektorët e jetës. Kjo do të vazhdojë të ndodhë edhe në të ardhmen. Sistemi të cilin e kemi implementuar të gjithë sëbashku është sistem i krijuar larg idealeve demokratike. Është sistem i krijuar në bazë të gënjeshtrave, herë të mëdha, herë më të vogla. Por jo gjithmonë kjo mund të shihet si dicka negative. Gënjeshtrat janë të nevojshme, sidomos kur e vërteta është tepër e vështirë për ta besuar. Ne nuk jemi në gjendje të përballemi me të vërtetën. Nuk kemi krijuar sistem funksional shtetëror i cili do të lejonte të vërtetën të bëhet pjesë e mondanitetit tonë si shtet dhe si popuj që jetojnë në këtë shtet.

E vërteta e madhe që duhet të bëhet organizmi funksional i demokracisë që duhet ta ngrejë këtë shtet mbi baza demokratike, është që njëri pa tjetrin nuk mundemi të funksionojmë. Nuk munden maqedonët të funksionojnë pa shqiptarët, dhe anasjelltas. Përderisa kjo e vërtetë nuk pranohet si e natyrshme dhe të ringjallim shtetin mbi baza të barazisë dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë, përderisa nuk do të kuptojmë që politikanë të mirë do të jenë ata të cilët do të punojnë për afrimin e dy kombeve duke iu dhënë shqiptarëve të drejtat të cilat ju takojnë atyre, jo vetëm bazuar në numra dhe statistika, por edhe në gjendje reale ekonomiko-sociale në shtet; derisa të vijë ajo ditë, ne do të jemi të gjunjëzuar përpara makabriteteve të politikanëve të këqinj dhe populistë që janë të përgatitur për të bërë atë që ne nuk mundëm; politikanë që nuk luajnë sipas rregullave të lojës; personazhe politikanë që duke keqpërdorur fuqinë e tyre, do të vazhdojnë të fitojnë dhe të krijojnë sisteme antivlerash që do të rrënojnë jo vetëm shtetin si organizëm, por do të rrënojnë edhe ardhmërinë e secilit prej nesh si individë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button