Shtyhet afati për përfundimin e kanalizimit atmosferik në Çair

Projekti për ndërtimin e Kanalizimit Atmosferik në komunën e Çairit ende nuk ka përfunduar edhe pse deri më tani duhet të ishte gati.

Punimet për ndërtimin e të njëjtit filluan në muajin qershor të këtij viti dhe ishte parashikuar që më se voni të përfundojë për tre muaj.

Nga Qyteti i Shkupit, i cili është edhe realizues i këtij projekti thonë për Portalb, se po punohet mirëpo shkaku i kushteve atmosferike, punimet nuk kanë arritur të përfundojnë ashtu siç është parashikuar.

Ndërtimi i kanalizimit atmosferik në Çair
Ndërtimi i kanalizimit atmosferik në Çair

“Me këtë projekt i cili është në fazën përfundimtare, do të ndërtohet kanalizimi atmosferik me gjatësi prej 800 metrave në rrugët ‘Xhon Kenedi’ dhe ‘Kemal Ataturk’, me qëllim që të përmirësohet gjendja e ujërave atmosferik në Komunën e Çairit dhe kështu të zgjidhet problemi i kamotshëm i kësaj komune. Kompania që po merret me punimet premtoi që nëse kushtet atmosferike janë të mira, ky projekt do të ndërtohet në afatin e paraparë, mirëpo kjo gjë u prolongua shkaku i kohës me shi”, thonë për Portalb, nga Qyteti i Shkupit.

Ndërtimi i kanalizimit atmosferik në Çair
Ndërtimi i kanalizimit atmosferik në Çair

Banorët e Çairit shprehen skeptik lidhur me përfundimin e punimeve me kohë si dhe ankohen për bllokimin e rrogës dhe shndërrimin e saj në një parking.

“Siç po e shihni edhe vetë këtu nuk po punohet. Pjesa ku është mbuluar dhe është ende pa asfalt është shndërruar në një parking nga persona të pa përgjegjshëm të cilët duan ta ngushtojnë rrugën edhe më shumë. Kjo është tmerr, nuk ka fare kontroll, kjo gjë nuk duhet lejuar”, tha Blerim R., banor.

Ndërtimi i kanalizimit atmosferik në Çair
Ndërtimi i kanalizimit atmosferik në Çair

“Kemi probleme sa herë që bie shi, mblidhet uji dhe nëse ai është i rrëmbyeshëm hyn edhe brenda. Nuk e di sa do të bën punë ky kanalizimi po shpresojmë që hallet tona të marrin fund”, tha Adem Tahiri, banor.

“Punët po bëhen avash, nuk respektohen afatet, neve këtu në lokal na kanë zënë hyrjen, dhe normal që ndikon në biznes, por çfarë të bëjmë, nga ana jonë kështu bëhen punët, shume ngadalë”, tha një punonjës i një lokali në rrugën “Xhon Kenedi”.

Ndërkaq për ndërtimin e kanalizimit atmosferik, Qyteti i Shkupit ndaj 23 milion denarë, dhe premtoi që pas përfundimit të projektit, i njëjti institucion do të merr përsipër edhe rregullimin e asfaltit të dëmtuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button