АNALIZË: Revizioni – si kanë harxhuar paratë fondet për sigurim shëndetësor dhe pensional?

Enti shtetëror për revizion e skenoi punën e dy fondeve shtetërore: atij për sigurim pensional dhe invalidor dhe atij për sigurim shëndetësor. Revizioni ka konstatuar parregullsi, e në disa raste edhe shkelje të ligjeve dhe të dispozitave. Ja se ç’kanë shënuar revizorët, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Si ka punuar Fondi për sigurim shëndetësor…

 Probleme gjatë pagesës për shërbimet e ofruara shëndetësore, mungesë e evidencës për shpenzimet reale, sektorë pa drejtorë, trajtim jo i barabartë i të punësurave – kjo është një pjesë e konstatimeve të shënuara në raportin revizor për Fondin për sigurim shëndetësor.

 “Pesë nga nëntë sektorë funksionojnë pa drejtor dhe kontrollet janë bartur në nivel më të ulët të hierarkisë, që nuk është në përputhje me Ligjin për kontroll të brendshëm publik financiar dhe krijon rrezik për ndarje joadekuate të një pjese të përgjegjësive dhe realizim joadekuat të aktiviteteve të sektorëve” – thuhet në raportin revizor.

Probleme janë konstatuar edhe gjatë transferit të parave për shërbimet e ofruara shëndetësore.

“Fondi në vend që t’i kompensojë shërbimet e ofruara shëndetësore është i detyruar të sigurojë mjete për funksionim të plotë të atyre institucioneve shëndetësore publike që nuk kanë mundësi të realizojnë numër të mjaftueshëm të shërbimeve ose që nuk mund të përfshihen në sistemin ekzistues për vlerësim të shërbimeve shëndetësore”.

Në raportin revizor janë shënuar edhe çmimet referente të barnave.

“Në mungesë të evidencës së shpenzimeve reale për shërbimet shëndetësore, Fondi nuk ka mundësi të bëjë revizion të plotë të çmimeve referente, e as institucionet shëndetësore publike nuk munden në mënyrë të argumentuar të inicojnë dhe të bëjnë ndryshim të çmimeve të përcaktuara referente, edhe pse me metodologjinë është ofruar kjo mundësi”, theksojnë revizorët.

Revizioni e potencon edhe mënyrën në të cilën janë realizuar një pjesë e punësimeve. 

“Edhe përkundër kalimit të afatit të paraparë ligjor, nuk janë miratuar aktet e veçanta, kontratat për punësim në përputhje me Ligjin për nëpunës administrativë, dhe si rezultat i kësaj nuk është siguruar harmonizim i pikëve për llogaritjen e rrogave të të punësuarve në Fond, me ata që janë të punësuar në institucionet e tjera shtetërore në nivel të njëjtë, që tregon se ka trajtim jo të barabartë të nëpunësve administrativë”.

Në mes tjerash, personat udhëheqës të Fondit ndaj këtyre vërejtjeve janë përgjigjur se punësimet do të rregullohen, mirëpo pritet të bëhen ndryshime ligjore.

“Fondi ka dorëzuar propozim-ndryshime në Ligjin për sigurim shëndetësor dhe në procedurë është ndryshimi i tij, pas miratimit të të cilave pritet që Fondi të bëjë nënshkrim të kontratave me të punësuarit e tij” – ka shkruar fondi në përgjigjen e tij drejtuar revizorit shtetëror.

Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara revizioni u ka dhënë rekomandime personave përgjegjës të fondit që të ndërmarrin masa dhe aktivitete adekuate.

“Nga ana e personave udhëheqës të Fondit janë pranuar vërejtje për Propozim-raportin, ato janë shqyrtuar dhe është konstatuar se në pjesën më të madhe ato paraqesin njoftim për masat e ndërmarra në lidhje me rekomandimet e dhëna nga revizori i autorizuar” – shkruan në raportin e revizionit shtetëror, njofton Portalb.mk.

Revizioni i raporteve financiare përfshin periudhë në të cilën fondi është menaxhuar ga drejtorë të ndryshëm: Maja Parnaxhieva-Zmejkova, Xhemail Mehazi, Kristina Hristova, Orhan Ramadani dhe Sasho Stefanovski.

Si ka punuar Fondi për sigurim pensional… 

Për pagesën në kohë të pensioneve, Fondi për sigurim pensional, çdo muaj ka marrë hua nga buxheti, të cilat pastaj i ka kthyer me para nga llogaria në të cilën bëhet pagesa e kontributeve – konstaton revizioni shtetëror duke theksuar se në vitin 2015 ka pasur edhe probleme me transferimin e mjeteve në fondet private pensionale.

“Fondi pas shpërndarjes së kryer, nuk ka përcaktuar mjete nga kontributi i paguar nga FSP në shtyllën e dytë pensionale, gjegjësisht në fondet private pensionale në vlerë prej 838.704.000 denarësh, të cilat janë evidentuar si obligim vetëm në fund të vitit (2015). Gjendja e konstatuar ndikon në mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve dhe i pamundëson fondet private pensionale që me kohë të disponojnë me mjetet e parapara” – konstatojnë revizorët.

Madje 2,4 milionë euro konsiderohen si mjete të dyshimta dhe kontestuese që kanë të bëjnë me pensione të paguara pas vdekjes së shfrytëzuesit të pensionit, për të cilat janë përgatitur edhe lëndë për padi, njofton Portalb.mk.

“Mirëpo, edhe përkundër masave të ndërmarra për arkëtimin e pagesave në bazë të padive të parashtruara, janë arkëtuar 76 00 еuro ose vetëm 3% e kërkesave të përcaktuara” – thuhet në raportin revizor për FSPIM dhe shtohet:

“Pas analizës së bërë të kontrolleve të vendosura gjatë pagesës së pensioneve, revizioni konstaton se edhe përkundër aktiviteteve të ndërmarra për vendosjen dhe funksionimin e sistemit për kontrolle interne (dorëzimi i vërtetimeve për jetë, vërtetimet shkollore, pagesa e fondit solidar), pagesa e shfrytëzuesit të pensionit mund të bëhet edhe pas kalimit të të drejtës së përcaktuar me ligj. Shkak për gjendjen e këtillë është mossigurimi i informatave të sakta, të plota dhe në kohë, nga institucionet kompetente dhe i të dhënave në formë elektronike nga Fondi. Gjendja e konstatuar krijon rrezik që të bëhet pagesa e pensioneve për shfrytëzuesit e vdekur të pensionit në vend dhe jashtë tij, parapagimi në bazë të pensioneve të përkohshme invalidore dhe pagesa e shfrytëzuesve të pensionit familjar – fëmijët pas ndërprerjes së shkollimit”.

Revizori rekomandon që personi udhëheqës të ndërmarrë aktivitete plotësuese dhe të përforcohen masat kontrolluese për zbulimin dhe reagimin në kohë ndaj parregullsive të konstatuara.  Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button