Skandali i përgjimeve, të tjera të dhëna

Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare, NSA, ka përgjuar edhe kompjutera personalë. Në gati 100 mijë të tillë anembanë botës mendohet të jenë vendosur programe të qëllimshme përgjimi, të cilat i kanë lejuar administratës amerikane mbikëqyrjen e tyre, si dhe krijimin e një të “autostrade dixhitale” për të ndërmarrë sulme kibernetike.

Lajmin e përcjell prestigjozja “New York Times”, e cila pretendon se pjesën më të madhe të programeve në fjalë NSA-ja ka arritur ta vendosë duke patur qasje në rrjetet kompjuterike.

Nga ana tjetër, ajo ka përdorur edhe një teknologji sekrete, që i lejon të ndërhyjë dhe të ndryshojë të dhënat e kompjuterave edhe kur nuk janë të lidhur në internet.

Kjo teknologji të cilën agjencia e vë në zbatim të paktën që prej vitit 2008, mbështetet në një mekanizëm të fshehtë valësh radiofonike që mund të transmetohen nga çipa të vegjël elektronikë, apo edhe USB të vendosura në kompjutera.

Në disa raste, valët dërgohen nga stacione jo më të mëdha se një valixhe e vogël, të cilat agjencitë e inteligjencës mund t’i vendosin kilometra të tërë larg shënjestrës.  

Sipas “New York Times”, NSA-ja ka instaluar me sukses programe në objektiva të tillë si sistemet ushtarake ruse, sistemet e përdorura nga policia meksikane dhe kartelet e drogës, grupet e tregëtisë brenda Bashkimit Evropian dhe partnerët e anti-terrorizmit si Arabia Saudite, India dhe Pakistani.

Raporti citon dokumenta të vetë agjencisë, zyrtarë amerikanë si dhe ekspertë kompjuterash. Njoftimi vjen ndërsa presidenti Obama përgatitet të njoftojë të premten ndryshimet që kërkon të bëjë në aktivitetet e spiunazhit të NSA-së.

Gazeta citon këshilltarët e shefit të Shtëpisë së Bardhë të pohojnë se ai synon t’i pakësojë programet e përgjimit, por nuk do të zbatojë të gjitha rekomandimet e komisionit që shqyrtoi çështjen.

Lajme të ngjashme

Back to top button