Kush e zgjedh presidentin amerikan, populli apo Elektorët?

Megjithëse në zgjedhje voton populli, presidentin e zgjedh Kolegji Elektoral. Ky sistem mund të shkaktojë situata kontraverze

Votimet e popullit. Siç është përcaktuar me Kushtetutën e SHBA-ve, populli amerikan del në votime një herë në katër vite, të martën pas të hënës së parë të nëntorit. Ky rregull është respektuar me përpikmëri 250 vjet, madje edhe në kohë luftërash. Këtë vit i bie që në votime të dilet me 8 nëntor 2016.

Në votime ditën e zgjedhjeve votuesit zgjedhin mes “tiketave” – një çift njerëzish ku njëri është kandidat për president e tjetri për nënkryetar. Votuesit mund të votojnë vetëm për ata kandidatë që zyrtarisht janë kandiduar në shtetin e tyre. Pra kandidatura për president nuk është automatike në gjithë SHBA-në; kandidatët duhet të regjistrohen në secilin shtet veç e veç. Këtë vit janë tre “tiketa” që kandidohen në të 50 shtetet– demokratët Klinton-Kejn, republikanët Tramp-Pens dhe libertarianët Xhonson-Ueld. Një numër kandidatësh nuk kanë arritur të regjistrohen në çdo shtet dhe do jenë prezentë në fletëvotime vetëm në disa shtete.

Formalisht ditën e votimeve populli nuk voton për kandidatët, por për një listë elektorësh. Elektorët janë persona që mbështesin njërën apo tjetrën “tiketë”. Pra nëse në Kaliforni populli voton Klintonin, kjo nuk do të thotë se ajo ka fituar votat e shtetit, por vetëm se në Kaliforni janë zgjedhur 55 elektorë që mbështesin Klintonin. Elektorët pastaj votojnë për president një ditë tjetër.

Votimet e Elektorëve. Elektorët e zgjedhur në zgjedhjet e përgjithshme mblidhen për të votuar një ditë tjetër – më saktësisht të hënën pas të mërkurës së dytë të dhjetorit. Pra megjithëse zgjedhjet mbahen me 8 nëntor, presidenti i 45-të i SHBA-ve do të zgjidhet me 19 dhjetor 2016.

Në SHBA në total janë 538 elektorë. Secili shtet ka elektorë të njëjtë me numrin e anëtarëve të Kongresit nga ai shtet. Prin Kalifornia e cila ka 55 elektorë, pastaj Teksasi me 38, Florida e Nju Jorku me nga 29 e kështu me rradhë. Shtetet më të vogla kanë nga 3 elektorë.

Kushtetuta e SHBA-ve i ka lënë shtetet që të përcaktojnë vetë se si t’i zgjedhin elektorët. Pjesa dërrmuese, 48 shtete, i japin të gjithë elektorët fituesit të votës popullore. Dy shtete, Mejn dhe Nebraska, nuk i ndajnë elektorët në nivel të shtetit por sipas fituesit në njësitë zgjedhore të atyre shteteve.

538 elektorët bashkërisht përbëjnë të ashtuquajturin Kolegji Elektoral. Por kolegji nuk mblidhet asnjëherë në mbledhje të përbashkët. Ditën kur votohet elektorët mblidhen në kryeqytetin e shtetit të tyre; pra 55 elektorët e Kalifornisë mblidhen në Sakramento, 38 të Teksasit në Austin etj. Në këto mbledhje bëhet edhe formalisht votimi për president të SHBA-ve. Pas përfundimit të takimit procesverbali me rezultate dërgohet në Uashington te Senati dhe Arkivi, ku formalisht mblidhen rezultatet dhe përcaktohet fituesi.

Votimet në Kongres. Nëse asnjëri kandidat nuk fiton shumicën në Kolegjin Elektoral, presidentin e SHBA-ve e zgjedh Kongresi, më saktësisht Dhoma e Ulët e Kongresit. Mirëpo në këtë rast Dhoma voton ndryshe nga zakonisht: secili shtet ka vetëm një votë. Për të fituar presidencën pra një kandidat duhet të fitojë 26 nga 50 delegacionet e Dhomës.

Në këtë rast nënkryetarin e SHBA-ve e zgjedh Senati.

Kjo mënyrë e zgjedhjes ka ndodhur vetëm dy herë: në vitin 1800 dhe në vitin 1824.

Populli apo elektorët. Natyrisht ky proces i komplikuar i votimeve mund të krijojë situata ku vullneti i elektorëve bie ndesh me vullnetin e popullit, gjegjësisht ku votat në kolegjin elektoral nuk shprehin saktë vullnetin e popullit. Situatat e këtilla mund të vijnë në dy forma: elektorët e “pabesë” dhe fitorja e pakicës.

Elektorët e pabesë. Megjithëse zgjidhen si mbështetës të njërit kandidat, elektorët mund të mos votojnë atë kandidat ditën e votimeve në Kolegjin Elektoral. Ky fenomen i “elektorit të pabesë” më parë ka qenë më i përhapur. Mirëpo në ditët e sotme plot 29 shtete kanë ligje që dënojnë elektorët e pabesë. Mirëpo vetëm dy prej tyre, Miçigan dhe Minesota, i shpallin votat e elektorëve të pabesë si të pavlefshme. Në shtetet tjera ata dënohen, por votat e “pabesa” mbesin valide.

Në esencë kjo do të thotë se në 48 shtete elektorët mund të votojnë dikë tjetër dhe të shtrembërojnë vullnetin e popullit, pa marrë parasysh nëse më pas dënohen apo jo. Mirëpo rastet e elektorëve të pabesë në kohërat moderne janë të rralla: është regjistruar vetëm një rast në vitin 2000 dhe një rast në vitin 2004. Asnjëri nuk ka patur ndikim në rezultatin përfundimtar.

Fitorja e pakicës. Sistemi i këtillë i votimit mund të shkaktojë situatë ku njëri kandidat merr më tepër vota në total, por tjetri fiton në më shumë shtete dhe fiton në kolegjin elektoral. Për më tepër kjo nuk është vetëm situatë hipotetike, sepse ka ndodhur katër herë në historinë e SHBA-ve.

Në vitin 2000 demokrati Al Gore kishte 500.000 vota më tepër se republikani Xhorxh Bush. Mirëpo Bush fitoi disa shtete kyçe dhe në Kolegjin Elektoral korri fitore 271-266. Megjithëse e pakuptueshme për pjesën tjetër të botës, fitorja e Bushit ishte plotësisht e ligjshme.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitet 1876 dhe 1888. Në vitin 1824 shtatë shtete i kanë emëruar direkt elektorët kështuqë nuk është e qartë se kush kishte fituar votën e popullit.

Presidentin e zgjedhin Elektorët! Sadoqë duket jodemokratike, fjalën e fundit në zgjedhjen e presidentit e kanë elektorët. Pa marrë parasysh si është vota e popullit, me rëndësi është kush fiton Kolegjin Elektoral, gjegjësisht cili kandidat arrin të fitojë 270 elektorë.

Mu për këtë gjatë fushatave kandidatët përpilojnë strategji për të maksimizuar numrin e elektorëve, jo votën e popullit. Ata ju kushtojnë më tepër rëndësi shteteve të lëkundshme si Florida e Ohajo. Për shembull Klintonit nuk i intereson nëse do fitojë Kaliforninë me 5 apo 10 milionë vota, sa e ka me rëndësi të ketë një votë më tepër se Trampi në Ohajo.

Arsyet e sistemit. Hartuesit e Kushtetutës së SHBA-ve kanë ndërtuar një sistem balanci që nuk lejon asnjërën shtyllë të pushtetit të bëhet tejet e fuqishme dhe e pakontrollueshme. Por ata kanë patur dyshime edhe te aftësia e popullit për të gjykuar drejtë. Si mburojë e fundit ndaj tendencave iracionale të popullit ata kanë vendosur Kolegjin Elektoral, i cili hipotetikisht mund të anulojë marrëzinë e votuesve.

Skenaret për vitin 2016. Sajti analitik 538 jep gjasat për disa skenarë interesantë. Sipas tij gjasat që asnjëri kandidat mos arrijë shumicë në Kolegjin Elektoral dhe presidentin ta zgjedhë Kongresi janë 0,7%.

Gjasat që Klintoni të fitojë votën e popullit por të humbë presidencën janë 6.4%.

Gjasat që Tramp të fitojë votën e popullit por të humbë presidencën janë 2.1%

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button