Kujdestarët do të vendosin se a do t’i arsyetojnë mungesat e nxënësve për shkak të tërmeteve

Sipas informatave me të cilat disponon nga terreni agjencia e lajmeve “Meta”, edhe sot shumë shkolla në rajonin e Shkupit nuk kanë ardhur në mësim të gjithë nxënësit, për shkak të serisë së tërmeteve, njofton Portalb.

Mungesat e këtyre nxënësve a do të jenë të arsyeshme apo të paarsyeshme, do të varet nga vendimi individual i çdo kujdestarit të klasës, pasi që Ministria e Arsimit nuk ka qëndrim zyrtar në lidhje me mungesën e nxënësve në shkolla për shkak të tërmetit.

Edhe pse disa herë është tentuar që të merret përgjigje nga Ministria e Arsimit, për atë se si do të trajtohet mungesa e nxënësve, nga atje ende nuk ka përgjigje.

Qëndrimi zyrtar i tyre është se shkollat nuk do të mbyllen, ndërkaq për procedurat e mëtutjeshme do të varet nga udhëzimet dhe instruksionet e Komitetit Drejtues për Menaxhim me Kriza, por edhe nga trupi i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Mësim edhe dje nuk është mbajtur në shumë shkolla në vend për shkak të frikës për dridhje të sërishme të tokës. Me këtë rast, Instituti për Inxhinieri Tërmetesh dhe Sizmologji Shkup (IITSSH), me propozim të Komitetit Drejtues për Menaxhim me Kriza i ka vizituar disa shkolla dhe çerdhe në Shkup për t’i parë dëmet dhe pasojat e mundshme, por edhe për panikun që është shkaktuar te qytetarët dhe pas konstatimit se në një pjesë të disa objekteve arsimore ka pasur dëmtime materiale ata kanë urdhëruar që ato pjesë të ndalohen për shfrytëzim, transmeton Portalb.

Përndryshe, tërmetet me epiqendër në Shkup, kanë filluar nga mëngjesi i së dielës, ndërkaq në mesditën e po së njëjtës ditë është shënuar tërmeti më i fuqishëm, edhe atë me intensitet prej 5.3 shkallë sipas Rihterit. Tërmeti i fundit është ndjerë mbrëmë në ora 1:32 pas mesnatës me magnitudë prej 3.0 shkallë sipas Rihterit.

Qytetarët e Shkupit ende janë të frikësuar dhe shumë prej tyre natën e kanë kaluar në qiell të hapur apo nën tenda. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button