Tërmeti i frikësoi: Ku humbën Todorov, Gruevski, Trajanovski dhe Jakimovski?

Disa ditë pas tërmeteve që e goditën Shkupin, kryetari i Komitetit Drejtues për Menaxhim me Kriza, Nikolla Todorov, ende nuk është paraqitur në publik. Mbledhja e parë, e këtij trupi ishte të dielën, më 11 shtator, menjëherë pas tërmetit me fuqi prej 5.3 shkallë sipas shkallës së Rihterit, ndërkaq mbledhja e dytë është mbajtur një ditë pas, gjegjësisht më 12 shtator, njofton Portalb.

Edhe pse pas mbledhjes së parë të jashtëzakonshme është paralajmëruar deklaratë e Todorovit, ai ende nuk ka dalë me qëndrim. Interesi për atë se pse s’është paraqitur në opinion pas serisë së tërmeteve, është rritur edhe më shumë për shkak të memories së freskët për pjesëmarrjen në kontinuitet në zonat e përmbytura të Shkupit më 6 gusht të këtij viti.

Pas tërmeteve në opinion, nuk janë paraqitur edhe kryetari i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Gruevski, kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev, ndërkaq mund të vërehet edhe mungesa e kryetarit të Qytetit të Shkupit, Koce Trajanov, kryeministrit Emil Dimitriev dhe kryetarit të Komunës së Karposhit Stevço Jakimovski.

Qasjen e këtillë, ekspertët e krahasojnë me atë të vërshimeve në Shkup dhe sipas tyre, në atë rast kanë pasur më shumë hapësirë për marketing politik. Analisti, Petar Arsovksi thotë se tani, pas tërmeteve nuk ka pasur mundësi për fotografim.

“Në vërshime pati viktima. Ajo ishte mundësi për fotografim dhe për vetëpromovim të politikanëve. Tani ajo mundësi për marketing është më e vogël, nuk ka ku të fotografohen, me çfarë edhe humbet interesi i tyre për paraqitje në publik”, thotë Arsovski, transmeton Portalb.

Në vërshimet e Shkupit më 6 gusht, kryetari i partisë politike në pushtet VMRO – DPMNE, Nikolla Gruevski, e ndaloi pushimin në Turqi për çka dhe njoftuan mediat “për të ndihmuar në menaxhimin me pasojat e rënda të motit të ligë”, dhe të “kryej inspektim në terren”.

Pas tërmetit të fuqishëm të së dielës, Gruevski për së pari herë u paraqit dje, në promovimin e 13 titujve të rinj të projektit “Përkthim të librave shkencorë dhe shkollorë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button