Teatri i Prizrenit triumfoi në Festivalin e Komedisë në Korçë

Komedia “Shërbëtori i dy zotrinjëve” me regji të Kushtrim Bekteshit, ka fituar 6 çmime në KoKo Fest, shkruan KultPlus.

Teatri Profesional i Prizrenit ka ngadhënjyer në festivalin mbarëkombëtar të komedisë që u mbyll mbrëmë në Korçë, duke fituar shumicën e çmimeve.

Kjo trupë teatrore mori 6 çmime me komedinë “Shërbëtori i dy zotrinjëve” të Carlo Coldonit me regji të Kushtrim Bekteshit.

Juria e festivalite përbërë nga aktorët Bujar Lako, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Refet Abazi dhe Ema Andrea ia ka besuar kësaj trupe, çmimin për shfaqjen më të mirë, për regjinë më të mirë, aktorin më të mirë në rolin e parë që i takoi Ernest Malazogut, aktoren më të mirë në rolin e parë, Xhejlane Terbunjën aktorin më të mirë në rolin e dytë, Muhamed Arifin dhe çmimin për aktoren e re më të mirë, Hajat Toçillan, shkruan KultPlus.

Komedia “Shërbëtori i dy zotrinjëve” ka në qendër Trufaldinon, shërbëtorin ”e zgjuar”, i cili me qëllim që të përfitojë dy rroga dhe të ushqehet më mirë, vendos fshehtas t’u shërbeje dy zotërinjve.Gënjeshtrat e tij naive, për t’iu shmangur rrezikut që të zbulohet, bëhen shkaktare të shumë ngatërresave dhe shumë keqkuptimeve mes personazheve të tjera. E shkruar në shekullin e 18 nga autori Italian Carlo Goldoni, kjo vepër vazhdon të emocionojë në çdo teatër ku vendoset.

Në shfaqje luajnë: Ernest Malazogu, Xhejlane Tërbunja, Muhamet Arifi, Afrim Muçaj, Alban Morina, Zanë Duraku, Fetah Paçarizi, Hajat Toçilla, Alban Krasniqi dhe Alban Çela. Ernest Malazogu paraqitet pikërisht në rolin e shërbëtorit dhe loja e tij pothuajse në çdo moment shkaktoi qeshje dhe u duartrokit vazhdimisht nga audienca e pranishme.

Shtatë vepra u ngjitën përgjatë shtatë ditëve në skenën e Teatrin të Korçës mes të cilave dhe “Doktor Shuster”, “Shtëpia e Bernarda Albës” apo “Qiell I heshtur” I Teatrit të Metropolit. Pak ditë më parë, “Shërbëtori i dy zotrinjëve” u shpall fituese dhe në edicionin e 45 të Festivalit të Teatrove të Kosovës, që u zhvillua në Ferizaj./KultPlus.com

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button