Në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë vazhdon të ruhet tradita e gatimeve për Bajramin

Festa e Kurban Bajramit sjell një atmosferë gëzimi në çdo familje muslimane, pavarësisht kushteve financiare. Sipas traditës që është ruajtur ndër vite për këtë festë përveç simbolit të saj, kurbanit, përgatiten edhe disa gatime tradicionale që nga ëmbëlsirat e deri tek gatimet e tjera, si në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Familja Krasniqi nga Shkupi po bën përgatitjet e fundit me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku si zakonisht gratë e shtëpisë bëjnë pastrimin, ndërkohë që burrat janë të angazhuar me blerjen e produkteve me të cilat do ti gostitin familjarët dhe miqtë të cilët do të vijnë për të uruar festën.

Siç rrëfen për AA kryefamiljari Servet Krasniqi, Bajrami si festë i ka specifikat e veta, por ai thotë se janë disa tradita të cilat familja e tij i ruan me përkushtim.

“Fillimisht zgjohemi për të falur namazin e sabahut dhe pastaj edhe namazin e Bajramit dhe pas kësaj kthehemi në shtëpi për të uruar familjarët. Më pas vijojnë vizitat e fqinjëve dhe miqve, dhe vazhdohet me vizitat tona tek të afërmit. Në kohën e drekës kthehemi në shtëpi për të pushuar pak, ndërsa vizitat në familjet dhe fqinjët vazhdojnë në orët e pasdites”, rrëfen Serveti, i cili këtë vit nuk do të presë Kurban për shkak të vështirësive ekonomike.

Kryefamiljari Krasniqi ndan shqetësimin për siç thotë zhvillimin teknologjik, (celularët dhe rrjetet sociale) të cilat disi kanë pakësuar vizitat tek të afërmit, sepse ka shumë njerëz të cilët urojnë përmes telefonit ose internetit. Modernizmi thotë ai po mbyt tradicionalen.

“Më parë ka qenë më mirë, sigurisht se nuk është mirë të urosh Bajramin përmes internetit. Më herët ka pasur më shumë vizita dhe tani disi janë rralluar” thotë ai. Krasniqi shton se mundohet që këto tradita t’ua përcjellë pasardhësve të tij duke përkujtuar me mall të kaluarën kur si fëmijë u është gëzuar ëmbëlsirave dhe parave të cilat zakon u dhurohen fëmijëve për Bajram.

Ndërkohë zonja e shtëpisë, Xhemile Krasniqi, nënë e dy djemve dhe dy vajzave, në vazhdën e përgatitjeve të fundit për festën, ndau pak kohë për të folur për angazhimet e saj.

Kanë mbetur edhe pak punë rreth pastrimit të shtëpisë dhe përgatitjes së disa ëmbëlsirave, por kryesorja, bakllavaja është gati, thotë ajo.

“Më shumë kemi merakun e bakllavasë sepse duhet më herët të përgatitet, pastaj vijnë gatimet siç janë sarma, gullashi dhe preferencat e tjera të familjes”, rrëfehet zonja Xhemile, e cila përshkruan edhe ditën e Bajramit ku zgjohen pak më herët se zakonisht për të përgatitur burrat për vajtjen në xhami.

“I zgjojmë burrat për të falur Bajramin në xhami, ndërkohë që unë dhe nuset vishemi për të pritur ardhjen e tyre nga xhamia, më vonë vijnë vajzat dhe dhëndurët për të uruar Bajramin, vijnë familja e nuseve dhe kështu me radhë”, thotë Xhemilja. Ajo shton se nga punët kryesore ka mbetur vetëm edhe sherbeti mbi bakllava, por kjo do të presë deri në natën e fundit sepse siç thotë me një dozë humori, nëse e hidhet që tani, bakllavaja do të zhduket deri të hënën.
20160910_2_19040376_14054057_web
Traditat për festën e Kurban Bajramit vazhdon të ruhet edhe në Shqipëri. Si gjithmonë familjet festojnë të bashkuara, ndërsa edhe shkëmbimi i vizitave mes të afërmeve ka një rëndësi të veçantë.

Resmije Tafilaj është një nga banorët e Tiranës që festën e Kurban Bajramit e pret me gëzim të madh.

“Ashtu sikurse te gjithë muslimanët edhe ne e presim me gëzim pasi është një festë shumë e shenjtë për ne dhe sidomos për fëmijët. I lutemi krijuesit të na falë gjynahet. Mbaj mend që e festonim shume festën e Bajramit edhe me parë. Prindit na blinin gjëra të reja dhe bënin kurbane. Përgatitjet ishin shumë të mëdhaja. Rëndësi për ne kanë edhe vizitat që shkëmbejmë me të afërmit. Është një festë shumë e bukur”, shprehet ajo.

Ajo tregon që edhe pse gjatë komunizmit ishte e ndaluar të festohej Bajrami, familja e saj e festonim fshehurazi, duke mos harruar në këtë mënyrë edhe traditën. “Thernim bagëti për Kurban Bajramin, ndërsa në Ramazan thernim edhe gjel deti për të festuar. E thernim qengjin, por nuk tregonim. Megjithatë kemi kaluar bukur. Këtë vit do ta kaloj pranë babait tim. Gatuajmë gjëra tradicionale. Gatuajmë si zakonisht mishin e qengjit. Gatuajmë ëmbëlsirat tradicionale si bakllavaja, revani apo edhe të tjerat”, tregon me tej Tafilaj.

Fatma Haksever e cila jeton në Prishtinë së bashku me familjen e saj, në Kosovë kishte ardhur nga Turqia 15 vite më parë. Ajo shprehet se ka krijuar marrëdhënie shumë të mira miqësore me vendasit e Prishtinës dhe se tani ndjehet si pjesë e familjes së kosovarëve.

Ajo, e cila dy vite më parë kishte hapur një ëmbëltore në qendër të kryeqytetit të Kosovës, u shpreh se me afrimin e festës së Kurban Bajramit kanë marrë porosi të shumta të ëmbëlsirave, e sidomos të bakllavave dhe të tullumbave. Ajo shtoi se qytetarët zakonisht vijnë t’i marrin porositë e tyre, një ditë para Festës së Bajramit, pra në Ditën e Arafatit.

Haksever u shpreh se traditat e Bajramit, ngjasojnë si në Kosovë ashtu edhe në Turqi, duke theksuar se zakonet dhe traditat e hershme, vazhdojnë t’i zbatojnë edhe në ditët e sotme. Ajo shtoi se tanimë, së bashku me familjen, kanë bërë parapërgatitjet e duhura për festën, duke blerë edhe rroba të reja për fëmijët. Gjithashtu theksoi se si në vitet e kaluara, ashtu edhe sivjet do ta bëjnë therjen e Kurbanit.

Duke folur rreth dallimeve në mes të traditës turke dhe kosovare për Festën e Kurban Bajramit, Haksever u shpreh se “Këtu pushimi për Bajram është vetëm një ditë, dhe traditat kanë dallime të vogla. Këtu në ditën e parë të Bajramit vetëm meshkujt shkojnë të bëjnë bajram, kurse gratë, të rinjtë dhe nuset presin mysafirët në shtëpi. Unë e mësova këtë traditë këtu.”

Ajo shtoi se gjatë kësaj feste takohen me miqtë kosovarë dhe përgatisin ushqime të posaçme. Duke vënë në dukje se kjo traditë vazhdon si në Turqi ashtu edhe në Kosovë, ajo u shpreh se “Në mëngjes sa të zgjohemi fëmijët tanë vijnë për të na përqafur dorën dhe për të marrë të holla.”

Duke theksuar se në Kosovë, në çdo vend ekziston “qetësia e Bajramit”, Haksever u shpreh se “Edhe ky vend është shumë i lidhur me këtë festë, edhe pse pushimi është vetëm një ditë, çdo kush bën gati bakllavanë, blen rrobat e shkojnë për të bërë bajram”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP