Nënë Tereza: A meriton ti jepet kualifikimi i personalitetit të lartë njerëzorë?

Nisur nga fakti se i takoj besimit Islam dhe se në fillim kam kaluar nëpërmes shkollimit teologjik, por më pas kam vazhduar me shkencat bashkëkohore, ndërsa tani profesionalisht me politikë, vendosa që figurën e Nënë Terezës ta analizoj nga një këndvështrim i një njeriu të pangarkuar, por thjeshtë mbi bazë të fakteve dhe argumenteve. Pasi që në kohën e fundit kryesisht jam duke përcjellë shtypin botërorë, mediat e ndryshme, intelektual dhe analist me famë botërore, të cilët flasin dhe shkruajnë për personalitetin e Nënë Terezës, u provokova shpirtërisht që të bëjë një analizë modeste nga ana ime, rreth personalitetit të krenarisë së kombit shqiptarë.
Ajo që provokoi të shkruaj një analizë të shkurtë rreth Nënës Terezë ishte momenti kur duke lexuar Kuranin, një kaptinë të shkurtër por shumë domethënëse, Kaptina Asr (koha) me 3 versete, nëpërmjet së cilës Krijuesi rrumbullakëson cilësitë e një njeriu të shpëtuar dhe të veçuar nga gjithë njerëzimi. Për habi, në këtë kaptinë, mrekullia Kuranore ndodh në momentin kur Zoti betohet në kohën dhe thotë: ‘Betohem në kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.’ Pas betimit në kohën dhe pas paralajmërimit se njeriu është në humbje, pa dallim feje, race, apo gjuhe, Zoti bën një përjashtim interesant dhe thotë: ‘Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin ti përmbahen të vërtetës, dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.’

Parashtrohet pyetja atëherë, çfarë duhet të posedoj një njeri që të kualifikohet si personalitet i lartë njerëzorë? Duke analizuar këtë kaptinë të shkurtë, dhe duke pasur parasysh komentet e ndryshme që disa persona i bëjnë Kuranit sipas shijes apo interesit momental, unë erdha në një përfundim se Zoti në rend të parë veçon njerëzit mbi bazë të kontributit të tyre që japin në mirëqenien e tërë njerëzimit. Prandaj, para se të them diçka për Nënë Terezën si një misionare katolike, doja që ta analizojë veprën e saj nëpërmes kushteve që Zoti i përshkruan në këtë kaptinë të shkurtë. Parashtrohet pyetja, a thua vallë Nënë Tereza ishte një besimtare e denjë në Zotin. Pavarësisht rrugës, apo librit të shenjtë nëpërmjet të cilit u udhëzua që të vjen deri te besimi, nuk ka person në botë që mund të kontestoj besimin e saj në Zot. Në këtë rast, atëherë, ajo plotëson kushtin e pare, ku Zoti thotë vetëm ata që besuan, dhe nuk futet në detaje. Kushti i dytë që përmendet në këtë kaptinë është me sa vijon: ‘dhe ata që bënë vepra të mira.’ A ka individ në mesin e njerëzisë që mund të kontestoj plotësimin e kushtit të dytë nga ana e Nënë Terezës, se nuk bëri punë të mirë duke ia kushtuar një jete të tërë të varfërve, të uriturve, dhe të sëmurëve? Mbaj bindjen se asnjëri nuk mund të kontestoj kushtin e dytë që përmend Kurani. Në lidhje me kushtin e tretë, a ka person që mund të kontestoj përpjekjen dhe luftën e Nënë Terezës për të vërtetën, për drejtësinë sociale në mbarë botën? Me një luftë të pakopromistë për të solidarizuar njerëzimin me pjesën më të diskriminuar në botë, nga e drejta për ushqim, pak ujë, bukë, dhe për pak medikamente për të shëruar njerëzit nga sëmundjet e ndryshme. Prandaj, asnjëri nuk mund të kontestoj se Nënë Tereza nuk e plotësoi dhe dëshmoi edhe këtë kusht kuranor. Dhe kushti i katërt, a ka person që mund të kontestoj këshillat e Nënë Terezës për një durim të paparë për t’ia kushtuar një jetë të tërë të sëmurëve, të varfërve, dhe të uriturve. Qeniet njerëzore vetëm me një vizitë të një të sëmuri të afërm në spital çmenden dhe nuk durojnë, ndërsa Nënë Tereza duroi tërë jetën me të sëmurët dhe me të varfrit. Njerëzimi, me të gjitha të mirat e tyre nëpër pallate të ndryshme nuk është në gjendje të shikon nëpërmjet mediave as për disa sekonda të varfrit që vdesin nga uria dhe të sëmurët. Atëherë, a nuk e plotësoi Nënë Tereza edhe këtë kusht që duroi ta kaloj gjithë jetën me të sëmurët, të varfrit, dhe të uriturit.

Prandaj, mrekullia e kuranit qëndron në këtë kaptinë të shkurtër, ku para se Zoti të filloj ti dalloj muslimanët për nga besimi i tyre dhe për nga obligimet e tyre që duhet të kryhen në momentin që pranojnë islamin, Ai kërkon që njëherë të kyçen në dimensionin njerëzorë, të bëhen njerëz të mirë, besimtarë të mirë, të durueshëm, dhe solidar me tërë njerëzimin. Ai që nuk plotëson kushtet që të bëhet njeri i mirë, nuk ka gjasë reale të bëhet besimtarë i mirë. Prandaj, njerëzimi dhe historia nuk do ti mbaj mend dhe shënoj njerëzit sipas besimit, racës, gjuhës, apo ngjyrës, por sipas asaj se njerëzit tërë jetën e tyre ia kanë kushtuar ndaljes së luftërave me përmasa botërore, fatkeqësive natyrore, sëmundjeve shfarosëse të njerëzimit, urisë botërore, të zhvendosurve nga shtëpitë e tyre, të pastrehëve, e kështu me radhë. Vetëm këta njerëz meritojnë të futen në regjistrin dhe historinë e njerëzve të mirë që kontribuuan për mirësinë e gjithë njerëzimit. Dhe këtë do ta rrumbullaksoj me një thënie të profetit Muhamed i cili ka thënë: ‘Më i miri njeri është ai i cili më së tepërmi ndihmon njerëzimin.’ Ata të cilët me veprat e tyre, me punën e tyre ndihmuan tërë njerëzimin, nuk ka mundësi asnjë person të injoroj realitetin se këta janë njerëzit më të mire, para se të jenë hebrenj të mirë, të krishterë të mirë, musliman të mirë, e kështu me radhë. Kjo botë është dëshmitare më e madhe se kur njerëzit janë në nevojë, ata nuk pyesin se çfarë besimi ke, çfarë feje je, çfarë ngjyre ke, por pyesin cila dorë ishte ajo që ofroi një pikë uji atij që kishte nevojë, cila dorë ofroi një copë bukë të uriturit, dhe cila dorë ishte ajo që e preku për të shëruar nga sëmundjet e ndryshme vdekjeprurëse. Atëherë, njeriu në nevojë, më afër vetes e ndjen atë dorë që i ofron ndihmë dhe jo atë dorë që reklamon veten se jam i këtij apo atij besimi, e kam dorën e bardhë apo të zezë.

Nënë Tereza dhe lufta e madhe e njerëzve për të dëshmuar dhe për t’u krenuar me afërsinë që mund të kinin me një personalitet të tillë. A kanë të drejtë shqiptarët, pa dallim feje, që të krenohen me Nënë Terezën?

Në natyrën e njeriut, lindja dhe rritja në folenë familjare e bënë që të krenohet dhe që të luftoj me krenari për folenë ku lindi, për familjen, fisin, apo popullit që i takon. Por, kjo nuk zgjatë shumë. Qenia njerëzore pranon nga familja prej ku ka lindur, se gjithçka që është e mirë burimin e ka në folenë e tij, në fisin, gjuhën, dhe popullin e tij. Por, me kalimin e kohës njeriu fillon të mendoj pak më ndryshe. Në disa raste, krenohet që i takon asaj foleje, fisi, gjuhe apo populli, ndërsa në disa raste tjerra fillon të turpërohet nga foleja e vet, fisi, gjuha, dhe populli që i takon, dhe këtë e bën duke filluar nga prindërit e tij. Nëse sheh dhe bindet se gjithçka që kanë bë ata në jetë ka qenë e mirë, e kanë rrit dhe e kanë edukuar mirë, dhe e kanë ushqye me djersë dhe me mund, ata për tërë jetën e tyre do të krenohet me këta prind, dhe me mburrje do të tregojnë për përkatësinë në këtë fole, fis, popull dhe për gjuhën që e flet. Por, kur ndodh e kundërta, kur sheh dhe bindet se ka lindur në një fole kriminelësh, nga prind kriminel, nga fis kriminel, nga një popull kriminel, dhe me një gjuhë kriminele, fillon të turpërohet dhe në të shumtën e rasteve nuk dëshiron që të identifikohet sepse i bëhet një barë shumë e madhe që nuk mund ta mbajë për tërë jetën. Prandaj, krenarinë e shqiptarëve do ta kisha lidhur me vet profetin Muhamed, i cili u krenua me folenë ku lindi, fisit që i takoi, dhe popullit arab, dhe në disa raste e deklaroi edhe publikisht: ‘Unë jam arab.’ ‘Unë i takoj fisit Kurejsh.’ ‘Unë jam bir i Abdullahut dhe nip i Abdulmutalipit i cili gjurmoi dhe zbuloi ujin e zemzemit dhe e vuri në shërbim të njerëzve që të pinë ujë në mes të shkretëtirës. Për këtë arsye, shqiptarët pa dallim feje apo besimi, kanë të drejtë dhe duhet të krenohen me një grua siç ishte Nënë Tereza, e cila në jetën e vet kaloi me mijëra kilometra dhe arriti deri në Kalkuta të Indisë jo për t’u pasuruar apo plaçkitur, por për t’ia ofruar një nevojtari një pikë uji, një copë të bukës dhe një kurim për të sëmurin, si dhe një prekje të një dore të ngrohtë të njeriut jetim. Nëse një shqiptarë nuk mund të krenohet me një femër të tillë që lindi dhe u rrit në mesin e shqiptarëve, atëherë më thoni me cilën femër shqiptare duhet të krenohemi?

A ishte me të vërtetë Nënë Tereza nënë?

Sipas natyrës, nënë i thuhet asaj femre që lind fëmijë, që e mban 9 muaj në barkun e saj, dhe pastaj e ushqen me gjirin e saj, dhe e rrit dhe e edukon deri në moshën e pjekurisë. Kësaj i thonë nënë biologjike. Por, a është nënë çdo femër që lind, dhe a mund të kontestohet se nuk mund të jetë nënë çdo femër që lind. Në këtë kuptim definimi i femrës nënë vetëm me lindje e ul vlerën e çdo krijese njerëzore deri në atë masë saqë dhe çdo kafshë që lind duhet të jetë nënë. Në aspektin njerëzorë, krijesa njeri nuk e njeh nënë vetëm atë që lind dhe më pas e hedh, e le në rrugë fëmijën. Qeniet njerëzore nënën dhe figurën e nënës e shohin nga një prizëm tjetër. Çdo femër e cila i ofron mundësinë e ushqimit, rritjes, përkëdheljes, edukimit, qoftë ai fëmijë të cilën e lind vet apo e gjen jetim, dhe e merr në prehrin e saj dhe ia kushton jetën më tepër sesa një nënë e lindjes. Për këta fëmijë, ajo grua do të mbetet një nënë e vërtetë, një nënë e shenjtë. Prandaj, nënë e vërtetë dhe e dëshmuar mund padyshim ta bart epitetin Nënë Tereza, dëshiron dikush apo jo. Këtë e dëshmojnë mijëra ose miliona fëmijë të uritur, të sëmurë, të lënë rrugëve nga prindërit e tyre, nga pamundësia për t’ju dal zot, apo nga pavetëdija se çdo të thotë fëmijë. Kjo nënë të gjithëve ju ofroi një prekje, një ngrohtësi të një nëne, në momentin kur ata kishin nevojë në jetën e tyre, dhe ju ofroi një pikë uji, një copë bukë, dhe e thirri botën me një zë të lartë që të ndërgjegjësohet për fatkeqësitë e ndryshme që përjetojnë me miliona fëmijë nëpër botë. Atëherë është nonsens të thuhet se kjo nuk mund të jetë një nënë, ndërsa mund të jetë ajo e cila lind 3,4,5,7 fëmijë, dhe i le në rrugë të bëhen kriminel, vrasës, të trazojnë dhe shqetësojnë rrethin, familjen, fisin, fshatin. Kjo na qenka nënë atëherë? Gjithsesi se jo! Prandaj, ata të cilët nuk e kanë shijuar jetën e jetimit mund të flasin si të duan, por eja dhe bind vetëm një jetim të cilin ajo e morri nën prehrin e saj, e cila nuk e kishte lindur, por e dashuroi, dhe u kujdes që ta aftësoj në jetë, dhe ky fëmijë nuk njeh dhe nuk do të njoh asnjëherë askënd për nënë përpos kësaj nëne e cila u gjet në momentet më të vështira të jetës, kur ishte e hedhur në plehër nga nëna biologjike. Këta njerëz që u lindën dhe u rritën në ambiente të ngrohta me nënë e me babë, e kanë shumë lehtë të flasin për Nënë Terezën, por e kanë vështirë të kuptojnë jetën e jetimëve, fëmijëve të dhunuar dhe të anashkaluar nga prindërit e tyre, nga luftërat e shumta, nga zhvendosjet dhe ikjet e ndryshme, nga skamja dhe sëmundjet shfarosëse që gjatë historisë morën me vete jetëra të miliona fëmijëve. Nëse këto femra të cilët sakrifikuan jetën e tyre për mirëqenien e fëmijëve të botës nuk mundej të quhen nënë, atëherë kjo është vetëm një çmenduri e të çmendurve.

Nënë Tereza besimtare katolike

A kanë të drejtë besimtarët katolik, Vatikani, konkretisht Papa që të krenohen me këtë besimtare dhe misionare. Unë them po. Por, pikë së pari me Nënë Terezën duhet të krenohen prindërit e saj të besimit katolik që e edukuan, që e dërguan në kishë për të kuptuar dhe për të mësuar bazat e besimit të cilës i takuan. Këta punuan në formimin e personalitetit të kësaj femre që një ditë të bëhet një misionare me famë botërore. Prandaj, të gjithë ata hoxhallarë të besimit islam dhe misionarë të besimeve të tjerra të ndryshme nuk duhet që shkurt-pamësia e tyre për të parë frytet e besimit, të mbushin veten me mllef dhe urrejtje ndaj personaliteteve të tilla, dhe të helmojnë besimtarët e tyre me një propagandë të fëlliqur se Nënë Tereza qenka kjo apo ajo, qenka e dëmshme për muslimanët apo fenë Islame. Por, le të hapin sytë, le të mendojnë se sa kanë arritur që në mesin e tyre ku vepruan, ku punuan, si hoxhallarë arritën sukses që fëmijët dhe femrat të cilët prindërit e tyre i dërguan në mejtepet e tyre që të mësojnë fenë, besimin Islam, Kuranin, arritën që t’i edukojnë drejtë, me qëllim që ndonjëra nga ata të aftësohet të edukohet, dhe të bënë punë me përmasa botërore, ku do t’ia kishin lakminë edhe ata të besimit hebrenj, e katolik, budist, ateist etj. Hoxhallarët të cilët sulmojnë, shajnë dhe tentojnë denigrimin e personalitetit të Nënë Terezës dëshirojnë që në këtë mënyrë të mbulojnë paaftësinë e tyre për të edukuar gjenerata dhe fëmijë, besimtarë të cilët do t’ua ketë lakmi bota, sepse historia nuk fillon te Nënë Tereza dhe nuk përfundon te Nënë Tereza, por bota njeh femra të besimeve të ndryshme hebreje, krishtere, muslimane, të cilat u dalluan për mirësi dhe kontribut të veçantë ndaj njerëzimit në përgjithësi. Pra, pikërisht kjo është ajo të cilën kërkon vet Zoti në Kuran: ‘Dhe ndihmohuni, konkurroni në devotshmëri dhe jo në të keqe dhe hasmëri.’ Prandaj, është punë e shenjtë e të gjithë misionarëve qofshin ata prift, hoxhallarë, apo të tjerrë, që botës ti ofrojnë fëmijë, besimtarë të edukuar mirë dhe drejtë, që konkurrojnë në mirësi dhe jo në sharje dhe hasmëri.

Mesazhi im i fundit për të gjithë ata të cilët duan që të merren me zbërthimin e fenomenit të Nënë Terezës është që ta analizojnë për tej mendjes së tyre të ngurtë, përtej interesave të tyre të ngushta, përtej veseve të tyre të shumta. Askush nuk do të mund të ul vlerën e Nënë Terezës pavarësisht deklarimeve të njerëzve pro apo kundër. Të gjithë ata të cilët merren me humanizëm, me shoqata të ndryshme jetimësh, skamnorësh apo arsimore nuk mund të ulin vlerën e një humaniste të rangut botëror, pavarësisht manipulimeve dhe marketingjeve ditore. Me vet faktin që jetimëve ju ofrojnë një shami nga tekstili dhe një paketë me pak bukë, makarona, dhe me dy shishe vaj, dhe me 10 orë reklamim në TV të ndryshme, dhe me një plaçkitje të 70-80% të pasurisë që ju drejtohet jetimëve, në asnjë variant nuk mund të korrin sukses për të ul vlerën e humanistes të kalibrit të Nënë Terezës. Nënë Tereza hyri në histori për shkak se dha gjithçka nga vetvetja, nuk morri asgjë prej tyre. Ata të cilët janë në gjendje që fëmijëve jetim, të varfërve, migrantëve, të sëmurëve, të ju marrin edhe copën e bukës për t’ju ndërtuar fëmijëve të tyre pallate, shtëpi, vetura të mira dhe veshje të ngrohta, nuk do të hynë dot në histori asnjëherë. Por, fëmijët e tyre do t’i fusin në historinë e turpit dhe kriminalitetit. Të tillët janë ata të cilët plaçkitjen, vjedhjen, rrenën, duan që ta mbulojnë me sharje dhe fyerje ndaj Nënë Terezës. Është koha kur individët, familjet dhe popujt duhet të bëjnë përpjekje dhe të mundohen që botës, njerëzimit, t’i ofrojnë sa më shumë njerëz të paqes, të dijes dhe të humanizmit. Ka kaluar koha kur njerëzit ngriteshin deri në pikën e adhurimit vetëm pse i takonte një fisi, një populli, apo një shteti. Pikërisht nga të tillët më së shumti dështuan, u turpëruan dhe u sakrifikuan disa popuj, fise dhe njerëz. Ata që adhuruan Hitlerin për krimet e tij që bëri ndaj njerëzimit më në fund fatkeqësinë më të madhe ia solli popullit dhe shtetit të vet. Ata të cilët adhuruan Stalinin pikërisht tragjedinë dhe fatkeqësinë më të madhe ua solli atyre të cilët e ngritën, e rritën dhe e adhuruan këtë mostër. Tani është koha që figurat e vërteta kombëtare të marrin vendin e merituar në histori ndërsa mashtruesit në emër të kombit të marrin po ashtu atë që e meritojnë.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Ju lumte per nje publikim profesional me fakte dhe nje ideologji paqesore, miqesore, fetsre qe ne kohen e fundit me se shumti mungon ne mes popujve dhe mediave.

  2. KOFSHIT TE NDERUAR PASI QE DINI TE NDERONI TE TJERET LEXOVA SHUM ME VEMENDJE TEXTIN MLA NJI PERSHTYPJE TE JASHT ZAKONSHEM I NDERUAR VERTET JU KA HIJE KETI POPLL TI PRINI SE JU JENI NE MAJE TE GJITH POLITIKANVE DERMTANI PO KJO E FUNDIT E VECANT JU LUMT U SHTOFSHI SHEMBUJT TUJ JU PAST KOMBI PERGJITHMON.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button