Ahmeti, Thaçi dhe Osmani bashkë në zgjedhjet parlamentare

Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani sot në një takim të jashtëzakonshëm vendosën t’i shtrijnë dorën e pajtimit njëri tjetrit dhe të dalin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një platformë politike të përbashkët. Thaçi gjithashtu paralajmëroi që do ta tërheq edhe kandidaturën e Halimit për kryetar, por për këtë do të vendosin më vonë në mënyrë demokratike organet e partisë.

Të pyetur nga gazetarët, qytetarët shprehen të habitur nga ky gjest, por megjithatë e përshëndesin këtë ngjarje historike:
“Mendoj se dita e sotme duhet të shpallet festë, kjo paraqet ngjarje historike, më në fund politikanët tanë treguan se dinë të bashkohen, të bëhen një dhe të punojnë së bashku, jo për interesa personale apo partiake, por për të mirën e popullit” thonë banorët e Shkupit.

Ahmeti deklaroi se bëhet fjalë për realizimin e projekteve madhore që shkojnë më larg se agjendat politike ditore, ai tha “pjekuria, maturia dhe urtësia janë tiparet e shqiptarit, ne si popull kemi treguar se jemi në gjendje t’i tejkalojmë grindjet dhe mosmarrëveshjet, këtë populli jonë e bëri në kohën e Skënderbeut, dhe e bëjmë edhe ne sot. Të bashkuar do të punojmë për të avancuar proceset euro-integruese e për këtë dëshmitar do të jetë edhe Skënderbeu në Tiranë, Skenderbeu në Prishtinë dhe Skenderbeu në Shkup”.

Analistët gjithashtu e përshëndesin këtë akt pajtimi.
“Urojmë që kjo marrëveshje të jetë jetëgjatë, edhe pse tani e tutje do e kemi pak më vështire të kryejmë punën tonë, deri tani merreshim me inatet e politikanëve dhe i venim ata në korrelacion me ngjarjet politike, ndërsa tani do të duhet më shumë punë që në mënyrë sa më objektive dhe me fakte t’i paraqesim zhvillimet në Maqedoni “deklarojnë analistët.

Thaçi i ngazëllyer, duke dalë nga takimi me një ton solemn tha për mediat “unë personalisht, PDSHja dhe të gjithë luanët që na përkrahën vazhdimisht gjatë gjithë kohës me një nijet të pastër, pa asnjë agjendë të fshehur, hapur dhe para të gjithëve me këtë gjest treguam se jemi faktor bashkimi, faktor stabiliteti dhe që faqebardhë dhe me dinjitet të pa luhatur përfaqësojmë interesat e popullit shqiptar në Maqedoni dhe kërkojmë hisen tonë se bashku me BDI, RDK dhe degën e PDSH-s në Strugë”tha ai.

Osmani nga RDK, me numra tregoi se për sa do të rritet fuqia e elektoratit shqiptar në Maqedoni dhe si kjo do të reflektohet në numrin e deputetëve në parlament “padyshim që kjo paraqet ngjarje historike, partia jonë për herë të parë do ndjehet e barabartë në parlamentin e Maqedonisë, platforma e përbashkët do të jetë mënyrë që më në fund dikush ti marre me seriozitet propozimet tona”tha Osmani.

Rama shkurt në Twitter shkroi: “Kot ndërtoi Berisha rrugë e ura, isha unë dhe jo ai që i bashkoi shqiptarët në Maqedoni”.

E gjithë kjo do të ishte një lajm shumë i mirë sikur sot mos të ishte 1 prilli, një datë ku lejohen trillet. /Portalb

*********************************************************************************

Në Portalb.mk nuk e festojmë 1 Prillin e as i përkrahim gënjeshtrat dhe trillimet. Kjo datë ishte vetëm një shkak për të sjell pak humor të mirë deri te lexuesit tanë dhe të kujtojmë për një çast se sa mirë do ishte sikur me të vërtet të ndodhte bashkëpunimi mes politikanëve tanë. Kërkojmë falje po që se në ndonjë mënyrë ju kemi shqetësuar.

Back to top button