Lajmi për trimin e rënë!

Tymi i hollë i kasolles e lëpinte qiellin e ulët të malit. Qielli dukej se me të vërtetë kishte rënë atij muzgu mbi kokat e luftëtarëve. Ishin edhe do shtëllunga reshë që rrinin pezull mbi kurorat e pishave. E nuk kishte erë t’i shpërndante. Kishte marrë një mot i butë e ato rrinin ashtu pa lëvizur dhe krijonin një atmosferë amullie që të shqetëson.
Komandanti që i bënte këto krahasime duke shikuar herë diellin, herë kurorën e pishave, herë shtëllungat e reve e herë tymin e hollë që lakadredhej përpjetë, i tha Ukës se një butësi e këtillë e motit, retë e mbarsura me shi, bora nën opingat e luftëtarëve, të gjitha këto, e bënin të mos e dinte datën, muajin dhe vitin e ta kishte humbur krejt kontrollin mbi kohën. Aq e butë e joshëse dhe e gjallë e erëmirë më duket natyra këtu, tha komandanti. Por, shtoi ai, po aq më duket edhe e përgjumshme, madje edhe e fjetur, sa s’ka.

Luftëtarët rrinin grupe-grupe, të gatshëm të marrin urdhrin për marsh. Ishin shpërndarë malit, rreth kasolles dhe si do e kudo që kishin zënë vend – ulur apo mbështetur në pushkët e tyre, të mbuluar me plaf, duke rregulluar ato pak plaçka që kishin nëpër strajcat e tyre apo duke lexuar ndonjë libër – ata i kishte mbuluar një heshtje. S’të zinte veshi dot asnjë gaz të lehtë, as ndonjë thirrje, as ndonjë bisedë. Po, tha Uka, natyra duket e përgjumshme, e fjetur. Edhe mua më ka rënë në sy kjo gjë. Pastaj shikoi me bisht të syrit Komandantin. Edhe ju z. Komandant dukeni sonte disi të bezdisur, të qetë e të brengosur. Komandanti heshti. A t’i jap urdhër togut që të llogorojmë sonte këtu? e pyeti Uka Komandantin sa për ta ndërruar bisedën. Komandanti nuk u përgjigj, por hyri në kasolle. Uka i shkoi prapa, i ngrysur dhe i brengosur.

Gjendja shpirtërore e Komandantit e bënte të parandiente se punët nuk i kishin si do të kishin dashur. Do të më thoni se çka ju brengos kaq shumë, zoti Komandant? pyeti Uka. Më duket se keni një hall të madh? tha. Asnjë hall nuk e kam, o Ukë, ia ktheu Komandanti. Punët i kemi në rregull. Të gjitha aksionet e sotme i kryem me sukses. Gjithkund korrëm fitore. Nuk kam ndonjë hall, por… Por… çka? pyeti Uka si me insistim. Po s’di si të them… Më beso, Ukë… nuk e di… Nuk e di as vetë, po njëfarë mërzie e pashpjegueshme më ka zënë. Njëfarë melankolie, njëfarë mallëngjimi, njëfarë si dhembje plage po më mundon. Besomë, nuk e di pse… Komandanti u ul në një karrige të vjetër, pranë një tavoline të improvizuar dhe e hodhi shikimin kah dritarja e kasolles. Nga qelqet e vogla e të mbushura me pluhur mezi vëreheshin kurorat e pishave, kurora të dendura, të cilat vinin e dukeshin pak si të zeza.
Ukë! thirri pas pak Komandanti duke mos e shkoqur shikimin nga dritarja. Jepi urdhër togut! Le të llogorojnë sonte këtu! Duhet ta presim këtu Komandantin Suprem derisa të kthehet nga Malësia. Nuk e di pse u vonua kaq. Mos pritni prej tij ndonjë lajm me rëndësi? pyeti Uka. Jo, jo. Por nuk është mirë të vonohet. Mund ta ketë gjetur ndonjë bela. Ndoshta për këtë arsye frikësoheni?! tha Uka. Prandaj jeni brengosur dhe jeni prekur kështu. Njeriu kur pret… Jo, jo! e ndërpreu Komandanti. S’është puna pse e pres Komandantin Suprem, jo. Ujk i moçëm është ai e nuk bie lehtë në kurth… Sa për atë, jo… Por diçka tjetër ma mundon shpirtin sonte dhe më bën kështu të ligë. E di se nuk më ka hije kështu… E di se nuk më ka hije kështu të humbem, o Ukë, e di, por… ja se s’mund ta kthjell shpirtin kurrsesi. Heshtje.

Dëgjo, Ukë! tha papritmas Komandanti. Dëgjo me kujdes! Hë! klithi Uka dhe shikoi rreth e rrotull. A po dëgjon gjë? Jo. A nuk të duket çudi? pyeti Komandanti. A nuk të duket e çuditshme se asnjërit luftëtar nuk i dëgjohet zëri? Me të vërtetë! pohoi Uka duke shikuar me habi Komandantin, kurse kureshtja, një kureshtje fëmije, kishte vënë shenjë të diktueshme në fytyrën e tij. A të ka rënë ndonjëherë në sy që krejt ushtarët të rrinë kështu të heshtur sikur kur varroset njeriu? Po si… si jo… tha Uka. Gjatë gjithë kësaj kohe në luftë, luftëtarët kanë rënë në ngushtica të ndryshme. Ç’është e vërteta, ata nuk janë mposhtur kurrë fizikisht, mirëpo, megjithatë, lodhje e zymtësi kam vërejtur në fytyrat e tyre. E sonte? insistoi Komandanti. Çka mund të kenë sonte? Posa u kthyem nga një aksion që pati sukses të plotë: armikun e thyem dhe i bëmë dëme të pazëvendësueshme në njerëz e në armë, kurse ne nuk pësuam as sa e zeza e thoit, prandaj po habitem me ta. I ka mbuluar heshtja. E i ka mbuluar keq. Kjo po më shqetëson. A thua, vallë, çka mund të kenë? Ndoshta mërziten për Komandantin Suprem. Po ata nuk e dinë se a duhet të kthehet sonte ai. Jo, nuk e kanë për këtë. Po për çka e kanë? E çka kam edhe unë? pyeti Komandanti.

Eh, po e teproni, zoti Komandant! tha Uka. Sa për ushtarët, lehtë bëhet. Qetësohuni ju e hiqeni atë mërzi, e për ta e bëjmë disi… Tash dal e u jap urdhër për të llogoruar e do ta shihni… sa çel e mshel sytë, togu do të mbushet me gjallëri. Mua ma merr mendja se ata heshtin për shkak se presin urdhër për marsh. Ndoshta këtu është arsyeja. Jepu urdhër, pra! Uka doli prej kasolle. Nuk vonoi e u kthye. Qëndronte në këmbë para Komandantit i heshtur. E Komandanti rrinte i mbështetur për tavoline, i zhytur në mendime. Dhoma e Kasolles ishte zhytur në terr. A ta ndez llambën? Mbylle njëherë dritaren me ndonjë teshë! tha Komandanti. Siurdhëroni! Heshtja vinte duke u bërë më e dendur e më e dendur. Koha kalonte fluturim. Nata i kishte zhytur thellë këmbët në gjirin e malit. Komandanti rrinte si një shtatore, i mbështetur për tavoline, i palëvizshëm dhe i fundosur në mendime. Gjatë gjithë kësaj kohe qëndronte në këmbë. Kjo ishte një shenjë e qartë se edhe ai priste diçka dhe ishte i shqetësuar.

E, more Ukë, ç’thua? Ç’të them?… A dhe urdhër për llogorim? Po. E? Ç’doni të pyesni, zoti Komandant? Dua ta di a u tret ajo heshtje që e ka mbuluar togun. Përveç rojeve, të gjithë flenë, tha Uka. Janë lodhur. Po. Prandaj sonte nuk mund të vërehej gjallëria në mesin e tyre. Nuk u dëgjuan shakatë dhe gazi i rëndomtë. Edhe mua ma merr mendja se ky është shkaku, tha Uka, me një fije shprese se Komandantit po i shporret ajo mërzi e çuditshme. U bë vonë, tha Komandanti. Nesër do të nisemi në udhë. Nuk më merr gjumi as mua, tha Uka. Drita drithëruese e llambës së vajgurit gjithnjë e më shumë zbehej. Nata po mbaronte e terri i saj i thellë kishte nisur të tretej si fluskat e sapunit në erë e po thellohej në një lodhje, në një heshtje e në një mundim misterioz. Shsht! Hesht!… A dëgjove gjë?… Po. Dikush po bisedon përjashta. Po ua dëgjoj edhe hapat, tha Uka. Po afrohen këndej. Sigurisht ia behu Komandanti Suprem. Ende s’e kishte mbaruar fjalën Uka, kur në derën e Kasollës u duk Komandanti Suprem. Uka e Komandanti u ngritën në këmbë me rrëmbim, por nuk e përshëndetën e as mundën të nxjerrin fjalë gojet.
Fytyra e vrenjtur e Komandantit Suprem i shtangi në vend. Ballin e kishte ai me do rrudha që i ishin paluar tash së shpejti dhe të cilat t’i përkujtonin do gropa që njeriu mund t’i shohë vetëm në ëndërr. Të tretë rrinin në këmbë. Uka e Komandanti lexuan qartas në fytyrën e Komandantit Suprem se s’u sillte ndonjë lajm të mirë.

Duke u ulur në karrikë, i rraskapitur si ishte,Komandanti Suprem pëshpëriti sa për vete: Kjo luftë… mbaroi… Kjo… luftë… thuajse nuk do të mbarojë kurrë… Zoti Komandant… Suprem!… Lere, Ukë… Vdiq. Vdiq?!… Po. Komandanti e hoqi bluzën me të cilën e kishin mbyllur dritaren e kasolles. Shikoi përjashta dhe e vuri re se si agimi po i kapte me tufat e dritës kurorat e larta të drurëve. Shtëllungat e reve ishin shkapërderdhur e ishin tretur dhe qielli dukej i pastër, i thellë e i lartë, si gjithmonë. Terri ende kishte mbetur copa-copa dhe po fshihej nëpër skajet e dhomës së kasolles, kurse prej kodrave të larta shpërthente dhe shpërndahej një nur i paparë. Drita e mëngjesit. Ageja. Balli i trëndafiltë i Perëndeshës Age doli në lindje dhe derdhi me mija tufa trëndafilash e kështu e ndau natën prej ditës. Ukë! u dëgjua zëri i metaltë i Komandantit Suprem në të cilin dallohej qartë dhembja. Dil e lajmëroi ushtarët… por me kujdes! Dhe, bëhu burrë! Qëndro! Luftëtarët nuk duhet të t’i shohin lotët në sy. Uka doli. Komandanti Suprem e shikoi Komandantin i cili ishte tretur duke shikuar në dritare. E dinte se edhe ky i kishte sytë të mbushur me lot, edhe pse ishte prapa shpinës së tij. Lufta mbaroi… Vetëm edhe disa ditë… edhe disa orë… dhe liria… kaq shumë e pritur. Do ta gëzojnë të gjithë… Dhe… le ta gëzojnë… Por mua ma mori më të dashurin e Brigadës kjo luftë… Lirisë do t’i gëzohem për të tjerët… Për të gjithë… E unë… për vete… pa Bardhokun… me të cilin u ngritëm së bashku… Pa Bardhokun lirisë do t’i gëzohem për të gjithë të tjerët… Kur Perëndesha Age i praroi lisat, kolona u nis përpjetë. Ukës i tingëllonin fuqishëm fjalët e këngës që këndonin luftëtarët për shumë e shumë djem e vajza që ranë për liri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button