Një rrëfim prekës nga fotografi Abd Doumany: ja ç’po heqin fëmijët e Sirisë, prindërit e tyre…

Shumë njerëz më kanë pyetur nëse isha i befasuar nga reagimi i Omranit, vogëlushit sirian në autoambulancë? Të them të drejtën, nuk isha. Ja ku ishte një fëmijë, një fëmijë i vogël, i kapur nga tmerret e luftës. Ai ishte fëmijë me fat, ngase aty ishte një fotograf që dokumetoi vuajtjet e tij. Por mos mendo as për një moment se ai është rast i vetëm. Ka pasur dhe do të ketë pa numër fëmijë të tjerë.

syria-war-children-header102Përgjatë tri viteve të fundit, kam dokumentuar mijëra njerëz të lënduar në Siri dhe një numër marramendës i tyre janë fëmijë. Fotografitë e njerëzve duke mbajtur fëmijë të lënduar apo të vdekur nga rrënojat e sulmeve ajrore janë rutinë. Kjo mund të tingëllojë e ashpër, apo jo? E po, ja që deri në këtë pikë kemi ardhur. Është bërë rutinë.

Dikush mund të pyesë se a qëndrojnë imazhe të caktuara të disa fëmijëve të lënduar në mendjen time më shumë se imazhet për fëmijët tjerë? Po të më pyesje para dy vitesh, sigurisht se do të jepja përgjigje. Por sot, pasi kam qenë dëshmitar i aq shumë masakrave, është shumë vështirë të veçosh një rast ndaj tjetrit. Është bërë një dukuri e përditshme. Tani imazhet qëndrojnë në mendjen time një kohë të shkurtër, për t’u larguar pas një kohe në mënyrë pasi vendin e tyre e zënë imazhet tjera.

syria-war-children-header101

Disa ditë pasi fotografitë e Omranit tronditën botën, raketa e parë nga një avion luftarak qëlloi në ora 08:30 një godinë përplot me familje. Shumica prej tyre ishin në gjumë. Më shumë se 10 fëmijë u lënduan gjatë atij sulmi. Pas pesë minutave, ndodhi edhe një sulm tjetër në një ndërtesë tjetër. E nëjta pamje, shumë fëmijë dhe gra të lënduara. Ishte e pamundur të verifikohej nëse sulmi ishte kryer nga forcat qeveritare apo ato ruse.

Kur shkova në spital, ishin dhjetë fëmijë atje. Një prej tyre ishte vajzë, quhej Noor. Ishte 8 vjeçe. I ati i saj ishte me të. Zemra e saj për një moment pushoi së rrahuri. I ati i saj, duke qarë i puthte këmbët ndërkohë që mjekët po bënin reanimimin për ta kthyer në jetë.

Pas 15 minutash mjekët hoqën dorë. “Ajo vdiq”, thanë ata. Por i ati nuk po pranonte. Duke qarë, ai vetë filloi të bëjë reanimimin, duke e thirrur në emër: “Noor! Noor! Noooooor!” Pas 10 minutash përpjekje të pafrytshme, ai u rrëzua në dysheme.

syria-war-children-header103

Kjo skenë do të qëndrojë për një kohë në mendjen time. Por, pas një kohe do të zëvendësohet nga një ngjarje dhe imazh tjetër. Pastaj edhe ato do të zëvendësohen nga ngjarje tjera e tjera. Dhe secila ngjarje do të ma copëtojë zemrën më tepër se tjetra. Dhe kështu ato do të jenë tjera të panumërta.

Kur babai i vogëlushes ra për tokë, nuk munda të bëjë më foto. Ishte e tepërt. Shkova në pjesën e qytetit ku i sjellin kufomat para se të varrosen. Skena të njëjta më prisnin edhe atje: dënesje etërish duke parë fëmijët e tyre të vdekur, takim i prindërve me fëmijët e tyre për herë të fundit…

Njëri fëmijë që vdiq gjatë sulmeve ajrore atë ditë kishte humbur të atin në një bombardim të ngjashëm, në të njëjtën zonë, të njëjtën kohë para një viti. Quhej Emad. Ishte 5 vjeç.

Fëmijët janë viktimat kryesore të kësaj lufte. Jetët e tyre janë prekur më së shumti nga ky konflikt. Çdo ditë, shkelje të panumërta të të drejtave të fëmijëve kryhen në gjithë vendin.

syria-war-children-header104

Ata janë shpirtëra të pafajshëm të cilët janë duke u vrarë në çdo mënyrë të mundshme. Faji i vetëm i tyre është se kanë lindur në kohë dhe vend të gabuar. Ata kanë lindur në një kohë lufte.

Me fundin e konfliktit i cili nuk shihet askund në horizont, shumë druajnë se kjo luftë do të prodhojë një gjeneratë të humbur fëmijësh.

Kam fotografuar pa numër fëmijë të lidhur dhe të gjakosur.

Kam fotografuar pa numër trupa të vegjëlsh të mbështjellë në petk varrimi, të cilët dukej se po shkojnë për të fjetur.

Sigurisht se ju vjen keq për fëmijët më shumë sesa për të rriturit, në këtë luftë. Nuk e di përse. Ndoshta pse kemi diç të veçantë në zemrat tona që ndjejmë për fëmijët, sepse janë aq të pafajshëm, dhe sepse ata është dashur të kalojnë nëpër gjithë këtë tmerr, madje në një moshë kaq të re.

Unë sillem ndryshe kur fotografoj viktimat fëmijë. Mundohem të gjej një mënyrë për të lehtësuar dhimbjen e tyre, sado që është e mundur. Ndonjëherë ju tregoj ndonjë barcoletë, ndonjëherë u tregoj se si kanë dalë në fotografi, e ndonjëherë u jap aparatin që ata vetë bëjnë fotografi.

 Dhimbja e fëmijëve të Sirisë është e qartë, për gjithë ata që kujdesen për fëmijët në këtë botë.

Mesazhi im për ta është: “Unë bëra çmos për të shfaqur dhembjen e tyre përmes syrit të kamerës sime! Ju bëni çmos për t’i shpëtuar ata!”.

Marrë nga AFP / tesheshi.com/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button