Zgjedhje të parakohshme në Maqedoni më 11 dhjetor, ja çfarë thonë liderët pas takimit

Pas disa orëve bisedime, liderët e partive më të mëdha në vend kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor të këtij viti, raporton Portalb.

Portalb e ka siguruar dokumentin e nënshkruar nga katër liderët e partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës.

Sipas dokumentit, deri të premten duhet të zgjidhet Qeveria Kalimtare, në të cilën do të jetë pjesë edhe opozita. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 11 dhjetor. Santa Argirova do të jetë kryeredaktore e programit informativ të RTVM-së, prej më 2 shtator deri në fund të procesit zgjedhor. Haziri do të jetë anëtari i pestë i ad – hok trupit për mbikëqyrjen e medieve.

Qeveria Kalimtare do të jetë në të njëjtin format ashtu siç ka qenë edhe më herët, pra opozita do të udhëheqë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërkaq zëvendësministra do të ketë në Ministrinë e Financave, Bujqësisë dhe Shoqërisë Informatike dhe Administratë.

Më poshtë mund t’i lexoni deklaratat e liderëve të partive që ishin në bisedime.

Deklarata e kryetarit të VMRO – DPMNE-së, Nikolla Gruevski

Qëllimi jonë ka qenë tashmë një vit të ketë zgjedhje për zgjidhje. LSDM krijonte kriza për t’i shtyrë zgjedhjet. Zgjedhjet e 11 dhjetorit do ta dënojnë këtë politikë. Është mirë që ata nënshkruajtën që do të shkojnë në zgjedhje. Më 11 dhjetor fjalën e fundit do ta jep populli dhe do ta zgjedhë opsionin e duhur – Gruevski.

Deklarata e kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev

Nga sot regjimi i Gruevskit shkon në histori, më 11 dhjetor do ta fitojmë krimin, varfërinë dhe mafinë. Ju ftoj në mobilizim për fitoren e Maqedonisë. Këto zgjedhje do të jenë referendum. I paralajmërojmë të mos e shkelin marrëveshjen dhe të mos e pengojnë punën e Prokurorisë Speciale.

Deklarata e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti

Arritëm marrëveshja për zgjedhje të lira dhe demokratike. Nga 2 shtatori do të formohet Qeveria e cila do t’i organizojë zgjedhjet. Çfarë kemi diskutuar në takim është në marrëveshjen e nënshkruar.

Deklarata e kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi

Vendosëm për zgjedhje më 11 dhjetor, përgjegjësinë do ta mbajnë ato që e nënshkruajtën dokumentin. Ne shpresën e vetme e kemi te faktori ndërkombëtar.

Perzhino 2
Dokumenti i marrëveshjes

——————————————————————————————————

20:29 – Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, ka shkruar “Maqedonia fiton”.

Mësohet se liderët janë marrë vesh që Qeveria Kalimtare të formohet të premten, ndërkaq zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 11 dhjetor, për më shumë informata do të ju njoftojë raportuesi i Portalbit nga terreni.

20:20 – Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ai i BDi-së, Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh tha[i janë pajtuar që Lulzim Haziri, të jetë anëtari i pestë i trupit ad – hok për mbikëqyrje të medieve gjatë periudhës parazgjedhore, raporton Portalb.

Haziri, është ish korrespodent i RTVM-së nga Gostivari, profesor universitar dhe aktivist në sektorin civil.

Pritet që pas zyrtarizimit të këtij propozimi, katër anëtarët aktual ta votojnë dhe të hiqet kjo pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve.

17:30 – “Ne sot e vërtetuam atë që gjatë gjithë kohës e kemi thënë se LSDM nuk do që RTVM-ja të jetë e pavarur dhe se ata duan vendim partiak. Ata e propozuan zonjën, Santa Argirovan, e cila ishte shefe e kabinetit të ish ministres së Punëve të Jashtme, nga radhët e LSDM-së, Ilinka Mitrevës. Për të mos iu dhënë mundësi që të ikin nga zgjedhjet, ne ua pranojmë këtë propozim. Çështja e dytë kishte të bëjë me punën e metodologjisë, ne edhe këtë ua pranuam dhe u thamë që do ta pranojmë se atë që ata do ta propozojnë. Kështu që eliminojmë edhe një mundësi që t’i prolongojnë zgjedhjet. Puna e tretë kishte të bëjë me zgjedhjen e anëtarit të pestë që duhet të jetë shqiptar, këtu pozita jonë është se, do t’ia lëmë LSDM-së dhe partive shqiptare që ta zgjedhin këtë çështje, për personin që ata vendosin ne do ta përkrahim me qëllim që të mos u japim alibi për t’i shtyrë zgjedhjet”, kështu u shpreh lideri i partisë në pushtet, VMRO – DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili ka dalë nga takimi më herët, ndërkaq për momentin bisedimet vazhdojnë mes tre partive tjera, gjegjësisht LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së, raporton gazetari i Portalbit nga terreni.

14:30 – Pas një ore vonesë, katër liderët e partive politike nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinës, ai i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Gruevski, LSDM-së, Zoran Zaev, BDI-së, Ali Ahmeti dhe i PDSH-së, Menduh Thaçi, kanë arritur në Klubin e Deputetëve dhe tani ka filluar  takimi në të cilin, bashkë me ambasadorin amerikan, Xhes Bejli, dhe përfaqësues të BE-së, të njëjtët, duhet ta konfirmojnë se a janë plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të prakohshme parlamentare më 11 dhjetor, raporton gazetari i Portalb.mk nga terreni.

Nikolla Gruevski - VMRO - DPMNE
Nikolla Gruevski – VMRO – DPMNE
Zoran Zaev - LSDM
Zoran Zaev – LSDM
Ali Ahmeti - BDI
Ali Ahmeti – BDI
Menduh Thaçi - PDSH
Menduh Thaçi – PDSH

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button