Zona misterioze e shpirtit njerëzor

(Romani “Shtrati 13” i Petrit Palushit)

Në romanet e Petrit Palushit ekziston një vazhdimësi tematike, e cila shfaqet dhe rishfaqet jo vetëm në rrafshin horizontal të saj, por aq më tepër edhe në atë vertikal. Pa mëdyshje, e tillë është edhe tema e vdekjes, të cilën e trajton veçmas në romanin “Përroi i Andrrës” dhe “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”, për të vijuar më këndej edhe në romanin “Shtrati 13”, duke e kundruar si një çështje psikologjike dhe filozofike njëkohësisht. Pra, në këtë segment ndërlidhës vërehet qartë se tematika në fjalë më tepër se një realitet që ka të bëjë me fundin e jetës njerëzore, gjithsesi del se është një obsesion i fuqishëm, sugjestion gërryes, frikë e llahtarshme, ankth trazues, bestytni e thellë, parandjenjë dërrmuese etj. Dhe kjo do të thotë se autori e zhbiron atë nga një pikë thelbësore, gjithnjë duke depërtuar nëpër zonat e errëta e të fshehta ku përpëlitet shpirti njerëzor, sigurisht për t’i nxjerrë ato në sipërfaqe me anë të një rrëfimi digresiv, si një përplasje apo antagonizëm me jetën objektive që ekziston.

Duke u nisur nga kjo logjikë përcaktuese, mbase mund të nënkuptohet fakti se edhe në romanin “Shtrati 13”, kjo tematikë është pikërisht një dukuri e ngjashme, e cila shtjellohet dhe tipizohet nëpërmjet personazhit kryesor duke u përshkuar me një intensitet tepër dramatik, thjesht si një ngarkesë me përmasa sa reale, aq edhe surreale, me ngritjet dhe rëniet e saj, deri në shthurjen përfundimtare kur edhe mbyllet periudha e shërimit apo qëndrimit në spital. Kështu, gjithë veprimi i romanit zhvillohet brenda shtatë ditëve e netëve, ku përshkohet një jetë e tërë individuale, si një retrospektivë e lumtur dhe si një perspektivë e zymtë. Në këtë mënyrë edhe tematika e vdekjes vetvetiu bëhet specifike, për shkak se vështrohet në rrafshin e saj të brendshëm, si një sprovë e ndërlikuar e cila zbulon lëkundjet dhe mëdyshjet shpirtërore të njeriut.

Vdekja është ngarkesë obsesive në qenien e çrregulluar të personazhit, ndjesi e cila mbërthen katërcipërisht shpirtin e tij, përfytyrim i vazhdueshëm që mbetet kryekëput vegullimtar. Në këtë rast ajo vjen tek ai si një formë e paravdekjes, e cila është shumë më shkallmuese dhe më tronditëse sesa që mund të paramendohet.

Prandaj, si rezultat i një konceptimi të këtillë, tema në fjalë, e cila në vetvete ka një peshë fatale, në rrethanat e tilla na del gjithmonë si një sferë orientuese dhe përcaktuese njëkohësisht, sepse brendapërbrenda saj përthyhet vizioni filozofik i njeriut dhe jetës së tij. Në suaza të kësaj autori arrin të ndërtojë semantikën themelore të romanit duke krijuar mundësi të gjera perceptuese.

Personazhi i dyzuar

E gjithë lënda e romanit “Shtrati 13”, të autorit Petrit Palushi ngjason me një ditar apo shënim spitalor për pacientin Ulpian Agshtegu. Dhe nga kjo mund të kuptohet fare qartë se ky roman është ndërthurur si një strukturë e veçantë rrëfimore, ku gjithçka na shpërfaqet me një trajtë shumë të përqëndruar, për arsye se të gjitha veprimet fillojnë dhe mbarojnë kryekëput vetëm me kryepersonazhin e romanit, i cili ndodhet për shërim në njërën nga dhomat e qendrës së reaminacionit, pikërisht në shtratin me numër 13. Jo rastësisht pra, ndeshim këtë numër të njohur si simbol të pafatësisë, i cili gjithsesi përkon me gjendjen e personazhit. Po ashtu, në këtë kontekst të perceptimit, me sa duket, nuk është i rastësishëm as mbiemri i tij, Agshtegu, për arsye se ai vazhdimisht kërkon të gjejë një shteg për të dalë prej gjendjes së rënduar shpirtërore, pra duke pritur të zbardhë një dritë mëngjesore e cila do ta këndellë atë. Thjesht ai është në kërkim ngulmues për të të dalë nga gjendja e vështirë psikike ku është katandisur, e cila gjithë kohën bie si një rrufe e gjëmshme në shpirtin e tij të trazuar tej mase.

Të gjithë ngjarjet që zhvillohen me një dinamikë të pandërprerë brenda këtij romani, lidhen me situatën e palakmueshme të personazhit Ulpian Agshtegu, situatë kjo e cila kalon në një proces të ndërlikuar obsesiv e kompulsiv, ku realiteti dhe ëndrra krijojnë një përplasje shumë të theksuar. Thënë edhe më me saktësi, ai megjithëse është i gjallë fizikisht, tërë kohën e përfytyron vdekjen e mundshme. Prandaj vetvetiu kështu arrin të shndërrohet në një personazh të dyzuar; aq sa e bart peshën e vdekjes si një parandjenjë mbizotëruese, si frikë torturuese, apo si ankth pushtues, po aq i bart edhe kujtimet e shtrenjta për jetën e bukur që ka bërë dikur me të dashurën e tij.

Pikërisht në mes të këtij dyzimi të çuditshëm ai po i kalon ditët e tendosura në spitalin e reanimacionit duke u ballafaquar me stuhinë e paranojës së lemerishme që e ka kapluar, por njëherësh edhe duke i sjellë ndër mend shumë përjetime të këndshme nga jeta e tij të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e tij. Në shtratin numër 13 ku qëndron i vetmuar duke vëzhguar e menduar për atë që i shfaqet përpara, atij çdo gjë i duket si një e verdhë e errët, madje të tilla i shëmbëllejnë edhe veshjet e mjekut dhe infermiereve që sillen vazhdimisht përreth shtratit. Dhe kjo pamje e fanitur në kokën e tij është e frikshme, shkallmuese, sepse atë e çon gjithnjë drejt përfytyrimit të vdekjes. “Një e verdhë me ngjyrën e vdekjes, ja, po vjen”, thotë ai në një rast teksa mejton vetmevete.

Ndaj, për të shpëtuar prej kthetrave të saj gllabëruese, ai sikur ka gjetur një ngushëllim të vogël, pra të verdhën e Van Gogut, përmes së cilës do të mund ta shporrë atë të verdhën e ngulitur në kokë e cila ia kujton vdekjen fatale. Në të vërtetë, kjo është një luftë e parreshtur që zhvillohet deri në fund brenda shpirtit të tij, duke u përpëlitur me të gjitha forcat midis jetës dhe vdekjes, midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës. Brenda kësaj dysie të mundimshme, ai nuk e ka të qartë se cila do të mbizotërojë në fund, ose, thënë edhe më troç, do të mbetet gjallë apo do ta rrëmbejë vdekja e zezë.

Sprova reflektuese

Duke e ndjekur rrëfimin e ngjarjeve që zhvillohen brenda spitalit të reaminacionit, personazhi Ulpian Agshtegu shfaqet si një prototip sublimues i jetës dhe i vdekjes, që pak a shumë i ngjan Veronikës së Paulo Koelos. Në bazë të asaj që rrëfehet brenda romanit, arrijmë të mësojmë se ai bart një kujtesë shumë të bukur për jetën e vet. Pavarësisht nga gjendja në të cilën ka rënë, kjo i vjen si një lehtësim.

Në këtë mënyrë kujtimet për jetën e bukur gjithmonë krijojnë një polarizim me situatën e tanishme. Kjo është një sfidë për personazhin i cili lufton me të gjitha forcat e mundshme, në njërën anë duke e ndjellë vdekjen nëpërmjet përfytyrimeve obsesive të tij, dhe në anën tjetër, duke i kujtuar përjetimet e bukura të dashurisë. Thjesht, në atë mjedis përplaset e shkuara e dashurisë së tij të marrëzishme me Fjollën, dhe e tashmja, e cila është krejtësisht tjetër. Këto kujtime janë peng i shtrenjtë për të, vijnë si një terapi mikluese, zbojnë të keqen që e ka pllakosur thellë, por njëherazi edhe zbulojnë shkaqet dhe pasojat objektive. Në mes asaj dashurie ka ekzistuar një tekë e cila ka sjellë grindje midis tyre. Kjo ka ndodhur gjatë një bisede për ngjyrën e ullinjtë të syve. Pra, nganjëherë rastis që për një tekë të vogël, të rrënohet edhe një dashuri e madhe. Megjithatë, gjithçka tjetër ka mbetur e rrënjosur në qenien e tij, për t’u ringjallur edhe në çastet më dramatike, si një shpresë fatlume. E gjithë kjo zbulon prirjen pozitive të njeriut në situata të vështira, atëherë kur reflekton me arsye të shëndoshë për jetën vetanake. Kjo do të thotë se vetëm në ato raste kur ballafaqohet seriozisht me të keqen e padëshiruar, fillon të mendojë detyrimisht edhe për jetën e bukur që ekziston brenda tij. Ashtu sikurse Veronika e Koelos, e cila në spital fillon të mendojë pozitivisht për jetën e bukur, njëlloj edhe Ulpiani i Petrit Palushit e bën të njëjtën gjë. Mbase një logjikë e këtillë është thelbësore dhe përftuese, sepse ndërton gnoseologjinë e jetëvdekjes si një simbiozë e çuditshme, e cila nganjëherë bëhet pjesë e pashmangshme e qenies së njeriut.

E verdha e Van Gogut

Obsesioni kryesor i personazhit Ulpian Agshtegu është ngjyra e verdhë, e cila e ndjek atë gjer në fund si një hije ndjellakeqe dhe si asocim i vdekjes. Përballë fuqisë së pushtetshme e shkallmuese të kësaj, autori krijon një variacion kundërvënës duke ia mveshur atij nëpërmjet të verdhës së Van Gogut si specifikë e pikturave të tij me të cilën dallohen. Bie fjala, në qoftë se Onufri ynë dallohet me të kuqen e tij, Van Gogu dallohet me të verdhën, e cila në këtë rast është një ngjyrë katarzike, tepër ngushëlluese, madje edhe rigjallëruese.

Pas përjetimit shtatëditor me ankthin e të verdhës, e cila ia ndjell vdekjen, ai përfundon në të verdhën e Van Gogut e cila derdhet kudo në pikturën “Fshehtësitë e dhomës së gjumit”, e varur në njërën anë të murit. Pikërisht tek ajo pikturë i ngul sytë duke këqyrur gjithë kohën te ngjyra e verdhë, te karriget, dritarja, tavolina, shtrati, etj. Porse vetë shtrati i zbrazur në pikturë, është një nxitje për të, një dalje nga gjendja e tendosur.

Në këtë mënyrë kjo vjen si një shpëtim, një fund i lumtur, një triumf nëpërmjet artit, që na e kujton Sheherzaden e Një mijë e një netëve, ose Dekameronin e Bokaçios, duke e zbuar vdekjen e cila qëndron mbi krye si shpata e Damokleut. S’do mend, edhe Petrit Palushi krijon një situatë të ngjashme e cila mund të perceptohet me një intuitë të këtillë.

Dhe kjo dëshmon qartë se romani “Shtrati 13”, i Petrit Palushit është një roman i sprovës njerëzore, i ballafaqimit të gjërave të kundërta, i reflektimit pozitiv për jetën e brishtë.

Duke depërtuar në këto zona misterioze të shpirtit njerëzor, ai ndërton një vizion të caktuar artistik për ta ndjerë atë në thellësi, jo vetëm si pjesë të qenies shpirtërore, por njëherësh edhe jo si pjesë të qenies fizike. Ce la vie, sikur na thotë personazhi brenda tekstit dhe nëntekstit të këtij romani. Ndjesia e këtillë bëhet filozofi thelbësore për të reflektuar me vetëdije e ndërgjegje të plotë.

Vizioni gjuhësor

Mbase e kemi të qartë se Petrit Palushi, si në romanet e mëparshme të tij, po ashtu edhe në “Shtrati 13”, një vëmendje të veçantë tregon edhe ndaj gjuhës të cilën arrin ta ngrejë në një sistem poetik me të cilin rrëfen botën e mprehtë të njeriut përballë jetës dhe vdekjes. Pa dyshim këtë e dëshmon kujdesi i tij për ta gdhendur fjalinë në mënyrë filigranike, duke futur fjalë e shprehje përplot ngjyrime e nuanca të holla artistike. Krahas kësaj ai gjithmonë përpiqet të krijojë edhe fjalë të reja të cilat ndërtojnë një harmoni të kapshme brenda tekstit, duke e plotësuar mrekullisht mozaikun gjuhësor të romanit për të funksionuar qartë edhe në pikëpamje semantike. Në këtë rast na kujtohet Hajdegeri kur thoshte se gjuha është shtëpia e qenies, e kjo gjë dëshmohet edhe te Petrit Palushi, i cili bën çmos për ta sistemuar këtë ngrehinë substanciale që mundëson epërsi të dukshme në aspektin e rrëfimit të lëndës romanësore.

Në të vërtetë, duke vepruar me përkushtim në këtë rrafsh të gjerë, ai krijon identitetin e vet gjuhësor, qoftë duke ndjekur një autonomi të veten në procesin e krijimit, qoftë duke bartur trashëgiminë gjuhësore të mjedisit të tij si një inerci krejt të natyrshme dhe si një refleks kuptimplotë. Por e gjithë kjo bëhet me një vetëdije shumë të lartë krijuese, për arsye se arrin t’i gërshetojë me sukses të gjitha format dhe shprehjet, duke i ndërfutur brenda strukturës gjuhësore, si një sprovë krijuese vetanake, por edhe si një ballafaqim për lexuesin.

Dhe, gjithsesi, ky është një vizion gjuhësor i Petrit Palushit, të cilin dëshiron ta imponojë gjatë procesit të leximit dhe perceptimit. Fundja, beteja e gjuhës është synimi kryesor i çdo krijuesi, sepse nëpërmjet saj do të arrijë të sigurojë qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e artit letrar. Në këtë rast mund të themi se Petrit Palushi ia del ta pasurojë e freskojë gjuhën shqipe nëpërmjet romanit të tij “Shtrati 13”, duke vendosur një vijë të qartë komunikimi me lexuesin shqiptar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button