Rita Ora, bashkëpunim me kompozitorin shqiptar për koncertin e Vatikanit

Rita Ora do të këndojë një këngë të orkestruar nga Shpëtim Saraçi në Vatikan. “Ky, ky është Krishti Mbret/ që barinjtë e ruajnë dhe engjëjt i këndojnë/shpejtoni, shpejtoni t’i çoni lavdi/ foshnjës, birit të Marisë!” – është një himnet më të bukura të Krishtlindjeve që do të këndohet në Vatikan nga artistja me origjinë shqiptare, shkruan Panorama.

Në datën 3 shtator, në vigjilje të ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, në koncertin që zhvillohet me këtë rast, ajo do të këndojë këngën “What child is this”, e shkruar nga William Chatterton Dix, në 1865. Mes shumë versionesh që njeh kënga, këtë herë ajo do të interpretohet nën orkestrimin e mjeshtrit Shpëtim Saraçi. Në dhjetor të vitit të kaluar, këtë këngë Rita Ora e ka interpretuar në një duet me tenorin e madh italian Andrea Bocelli.

Orkestrimi që i është besuar mjeshtrit Saraҫi sapo ka përfunduar dhe siҫ rrëfen vetë kompozitori për “Panorama”, shkak për këtë bashkëpunim u bë dirigjenti i njohur Bujar Llapaj, i cili do të drejtojë koncertin homazh në Vatikan. Ishte ai që i ka kërkuar Saraҫit të bëjë një transkriptim të këngës që Ora ka kënduar: “Bëhet fjalë për një trajtim të ri, të cilin ajo do ta këndojë nën shoqërimin e violinistit Shkëlzen Doli dhe orkestrës filarmonike të Kosovës, nën drejtimin e Bujar Llapajt”,- tregon Saraçi.

Koncerti i datës 3 shtator, në “Basilica Papale di San Paolo Fuori Le Mura”, “Himni i Nënë Terezës”, ka ideatore dhe producente Dijana Toskës. Në të do të marrin pjesë yjet më të mëdhenj të operistikës shqiptare e botërore, Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, sopranoja protagoniste e koncertit, Inva Mula, baritoni Gëzim Myshketa, tenori Ramë Lahaj e këngëtarja Rita Ora. Zërave të mrekullueshëm të këngëtarëve do t’u bashkohet edhe violina e mjeshtrit Shkëlzen Doli. Këngëtarët do të shoqërohen nga kori dhe orkestra filarmonike e Kosovës, drejtuar nga Baki Jashari. Pjesë e kësaj ceremonie do të jenë edhe kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana, fituesja e Medaljes së Artë Olimpike, Majlinda Kelmendi, Don Lush Gjergji dhe aktorët e rinj Lum Veseli e Andi Bajgora, të cilët me interpretimin e tyre në filmin e shkurtër “Shok” çuan Kosovën në “Oscar”.

Koncerti që do të nisë në orën 19:30 është parashikuar të zgjasë 90 minuta dhe do të ketë si kulm himnin kushtuar Nënë Terezës, realizuar nga pianisti dhe kompozitori shqiptar, Genc Tukiçi, mbi një motiv të Lorenc Antonit dhe me tekst të vetë Gonxhe Bojaxhiut, shkruar më vitin 1928, përgjatë rrugës nga Irlanda në Kalkutë. Himni u interpretua për herë të parë nga sopranoja Inva Mula, më 5 shtator 2015 në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, në një koncert kushtuar shenjtores shqiptare, organizuar nga Dijana Toska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button