Kosovë: Vrasja në Prishtinë, zbardhet motivi dhe autori shqiptar i vrasjes

Dy persona kanë mbetur të vrarë ditën e djeshme në Prishtinë, teksa si autor policia kosovare ka identifikuar një shtetas nga Shqipëria. Mediat kosovare raportojnë se ai është me iniciale L.L dhe shkak i ngjarjes ka qenë një mosmarrëveshje mes tyre. Viktimat Eron Agaj dhe Arianit Gashi kanë qenë miq me shqiptarin e dyshuar, por disa ditë më parë patën një mosmarrëveshje.

Dy viktimat kishin rrahur shqiptarin dhe ky i fundit u hakmor, duke i vrarë të dy shtetasit nga Kosova. Eron Agaj dhe Arianit Gashi fillimisht mbetën të plagosur, por ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra. Lidhur me vrasjen e dyfishtë ka reaguar edhe policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për mediat. Kështu në njoftimin e policisë thuhet: “Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me plagosje ku nga arma e zjarrit, janë plagosur viktimat: A. Gashi, 26 vjeç, mashkull, shtetas kosovar dhe E. Agaj, 22 vjeç, mashkull, shtetas kosovar , të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, mirëpo njëri nga viktimat (E. Agaj), nuk ka mundur t’i përballojë, plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe rreth orës 13:00, nga QKUK-ja jemi njoftuar se viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se janë ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si ‘Vrasje e rëndë’. Kështu shqiptari i dyshuar është në kërkim nga policia kosovare dhe për ngjarjen është njoftuar edhe policia shqiptare në rast se autori tenton të kalojë kufirin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button