Çështja shqiptare në Maqedoni dhe perspektiva

(Prioritetet e shqiptarëve në Maqedoni për ndalimin e diskriminimit dhe sigurimin e progresit të përgjithshëm)

Për zgjidhjen e drejtë të çështjes së shqiptarëve në Maqedoni, duke e konsideruar si çështje me prioritet në nivel kombëtar, deri në zgjidhjen përfundimtare të saj, i tërë potenciali politik, ekonomik dhe intelektual, fillimisht duhet të orientohet në këto çështje:

  1. Të formohet me çdo kusht Këshilli koordinues i subjekteve politike shqiptare në Maqedoni (parti, lëvizje dhe koalicione), i cili çështjet e pazgjidhura me interes kombëtar t’i bashkërendojë ndaras nga interesat e ngushta partiake;
  2. Të vendoset moratorium për subjektet politike shqiptare, në afat të pacaktuar, për trajtimin e çështjeve me interes kombëtar në nivel të subjekteve politike, duke ia bartur këtë kompetencë ekskluzivisht Këshillit koordinues të subjekteve politike shqiptare në Maqedoni;
  3. Të formohet një organizëm i përbashkët (lidhje, bashkim), me përfaqësues të organizatave joqeveritare, shoqatave profesionale dhe subjekteve të tjera jopolitike, i cili do të ketë karakter këshillëdhënës për zhvillimet politike, ekonomike, kulturore dhe çështje të tjera me interes të përgjithshëm, për politikat zhvillimore afatgjata të shqiptarëve në Maqedoni;
  4. Të formohet urgjentisht Qendra informative shqiptare, me kuadër profesional të dëshmuar dhe me përvojë, duke siguruar edhe hapësira të përshtatshme dhe pajisje të nevojshme, e cila do të merr përsipër mbledhjen e informatave nga tërë hapësira shqiptare në Maqedoni dhe jo vetëm, për punën e institucioneve të pushtetit, në nivel qendror dhe lokal, si dhe për zhvillimet tjera të përgjithshme në vend, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo qendër duhet të mbledh dhe shpërndajë çdo ditë lajme dhe informacione të besueshme për çështjet e sipërpërmendura, në gjuhën amtare dhe në disa gjuhë botërore, si anglisht, gjermanisht, frëngjisht etj. Një herë në muaj të përgatit buletinin e ngjarjeve më të rëndësishme në vend, ndërsa kopje të tij t’u drejtohen institucioneve më të rëndësishme të vendit, përfaqësive diplomatike në vend dhe institucioneve relevante ndërkombëtare;
  5. Të formohet një Fondacion kombëtar, i cili do të drejtohet nga Oda Ekonomike Shqiptare në Maqedoni (aktualisht OEMVP), me përfaqësues të subjekteve ekonomike më të fuqishme të shqiptarëve në Maqedoni dhe disa veprimtarë të dëshmuar të çështjes shqiptare në Maqedoni, e cila duhet të ndihmohet edhe nga filialet e saj që do të hapen në shtetet tjera ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, sidomos në shtetet e BE dhe SHBA. Detyrë e këtij Fondacioni duhet të jetë mbledhja dhe destinimi i mjeteve financiare dhe të mirave të tjera materiale dhe jo materiale, për zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe shkencor, për nevoja emergjente, si dhe për qëllime të tjera humanitare dhe bamirëse;
  6. Të formohet një Këshill kombëtar për reforma thelbësore në arsim, planifikim afatgjatë dhe politikë zhvillimore të arsimit dhe shkollës shqipe në Maqedoni, në të gjitha nivelet, nga entet parashkollore deri në arsimimin universitar dhe pasuniversitar;
  7. Të formohet një Qendër kombëtare për ngritje profesionale dhe specializim të kuadrove në botën e jashtme, e cila me mbështetjen e fondacioneve ndërkombëtare, ndihmën dhe përkrahjen edhe të qeverive të vendeve mike, do të përgatisë dhe specializojë kuadro të ri për udhëheqje dhe menaxhim me institucionet politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore të vendit në të ardhmen. Seleksionimi i specializantëve të ri do të bëhej sipas një Rregullore të miratuar nga Bordi kombëtar (vendor) dhe Bordi ndërkombëtar i emëruar nga Këshilli i fondacionit të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo Qendër do të merrte përsipër të përzgjedh, së paku në 5 vjetët e ardhshëm, nga 70-100 studentë dhe studente të reja, me rezultate të larta në studime, të cilët do të qëndronin së paku 1-3 vjet për specializim dhe ngritje profesionale në institucionet e njërit nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe SHBA, në fushën profesionale të tyre;
  8. Të formohet një Gjykatë e Nderit, nga profesionistë të dëshmuar, me vlera morale dhe kombëtare, e cila do të paraqesë raporte me mendime dhe vlerësime publike, vjetore dhe periodike, për pastërtinë e figurës së secilit funksionar, udhëheqës institucioni, organi shtetëror dhe publik, si dhe për bartësi të çfarëdo funksioni tjetër me interes të përgjithshëm shoqëror. Mendimi dhe vlerësimi për mundësitë e implikimit të mundshëm të personave bartës të detyrave me përgjegjësi shoqërore dhe kombëtare, do ta luftojë në mënyrë të drejtpërdrejtë kriminalitetin, korrupsionin, nepotizmin, paaftësinë profesionale dhe çfarëdo implikimi në afera të ndryshme, të cilat janë në kundërshtim me normat morale dhe traditën kombëtare të shqiptarëve;
  9. Me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare kompetente, në botën e jashtme të formohet Banka për Zhvillim e Shqiptarëve të Maqedonisë, e cila do të kujdesej për financimin e projekteve kapitale me rëndësi ekonomike dhe shoqërore, për shqiptarët në veçanti dhe për vendin në përgjithësi.

Sipas nevojës, në të ardhmen të krijohen edhe organizma të tjerë, të cilët do të kujdesen për zhvillimin dhe përparimin e vendit, sidomos të vendbanimeve shqiptare në Maqedoni, me nivel të ulët të zhvillimit ekonomik, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së shqiptarëve dhe të qytetarëve të tjerë në Maqedoni, me çka do të krijohen kushte për parandalimin e shpërnguljes masive të shqiptarëve jashtë atdheut dhe kthimin e të shpërngulurve në vendlindje.

(Poshtëshënim: Iniciativën, mbështetjen profesionale dhe financiare për krijimin e këtyre organizmave për avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni e merr përsipër Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, Nju Jork – Shkup).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button