Faktori politik shqiptar… Ku është ai?

Nuk di çfarë të them për paskrupullshmërinë dhe arrogancën e disa mediave proqeveritare maqedonase, për urrejtjen e disa gazetarëve drejtuar në adresën e shqiptarëve për arsye se Zoran Zaevi ka qenë në tribunat e stadiumit Filipi i dytë ta ndjekë ndeshjen  e Shkëndisë kundër Kentit. E çfarë të thuhet tjetër përveç se gjithmonë kur ka ndonjë ngjarje që lidhet me shqiptarët, te disa medie joqeveritare, e jo vetëm te ato, ndizet flakë çmenduria fashiste dhe shoviniste kundër shqiptarëve. Përbaltet populli ynë në mënyrën më të ulët. Na quajnë kolaboristë të gjithfarë regjimeve jopopullore të shteteve të ndryshme, të kaluarën tonë e ngjyrosin me gjithfarë atributesh për të na nxirë, na quajnë të pagdhendur, njerëz me nivel fisnor, njerëz që kanë zbritur nga mali të plaçkitin dhe t’i uzurpojnë pasuritë e tyre, duke na e bërë me dije se ky vend, ku jemi lindur ne me prindër, gjyshër e stërgjyshër, – nuk është vendi ynë, por është i tyre dhe se ata “qenkan aq të mirë” sa që na duruakan neve “të egërve” dhe “të pafalënderueshmëve”  “në shtëpinë e tyre”. Na fyejnë se ne qenkemi albanas nga Kaukazi, siç i fyejnë edhe bullgarët duke i quajtur “turko-tatarë”, kurse grekët ku ta di si. E kanë bërë një renditje për py t’i fyer popujt e Ballkanit, ku shqiptarët janë më të ligët, pas tyre për nga ligësia vijnë bullgarët, pastaj grekët. Serbët – jo. Serbët janë të mirë, sipas arshinit të tyre. Edhe malazezët. Po ne shqiptarët, gjithnjë sipas tyre, jemi më: baraba dhe barbarë! Këto sulme të paskrupullta dhe të pafytyra përsëriten shpesh, e veçmas kur partitë të cilat i kontrollojnë mediat kanë nevoja të ndryshme politike, kur duhet t’u mbështetet rejtingu te elaborati maqedonas. Ndodhin edhe nga helmi nacionalist i trashëguar nga politikat antishqiptare të Beogradit që nga koha e themelimit të Serbisë së Milosh Obrenoviçit, helm ky që nuk u sanua për një shekull.

Fyerjet dhe sulmet verbale kundër shqiptarëve nuk paraqesin vetëm poshtërsi të llojit të vet, por janë edhe sulme të ulëta kundër etikës gazetareske e, në radhë të parë, kundër të gjithë qytetarëve të Maqedonisë për të cilët Kushtetuta në mënyrë të prerë  thotë se të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe se të gjithë kanë detyrime të njëjta ndaj shtetit. Kështu thotë kushtetuta, mirëpo praktika tregon diçka tjetër, të kundërtën e asaj që e kërkon Kushtetuta. Në praktikë fyhen të gjithë shqiptarë që nga liderët e partive politike shqiptare deri te shqiptari i fundit, ai që është i papunë e pa strehë mbi kokë, fyhet i gjithë populli për shkak të përkatësisë etnike ose religjioze dhe shqiptarët që janë pjesëtarë të tri feve cilësohen edhe si “arabë” dhe “fundamentalistë” islamikë.

Kurrë në këtë vend maqedonasve nuk u është dhënë mundësia të dinë diçka më shumë për shqiptarët. Në asnjë program mësimor nuk është përfshirë historia jonë ku do të shpjegohen ecuritë historike në mënyrë shkencore. Përkundrazi gjithandej, deri te programet e ndryshme të partive politike, duke u nisur nga ideologjitë serbomëdha shqiptarët janë paraqitur si njerëz të pacivilizuar.

Por kjo është e kaluar. Fatkeqësisht pak gjë ka ndryshuar.

Nuk do të flasim për lagjet nëpër qytete, si janë të ndara dhe ku jetojnë shqiptarët e ku jetojnë maqedonasit, nuk do të themi gjë as për fyerjet që u bëhen partnerëve strategjikë të vendit SHBA-ve, Britanisë së Madhe, BE-së e NATO-s. Këtë analizë duhet ta bëjnë partitë politike shqiptare dhe të sjellin përfundime politike për këtë realitet të hidhur. Ne fjalën e kishim për fyerjet që na bëhen neve si shqiptarë. Po fillojmë nga një fyerje e cila u bëhet liderëve të partive më të mëdha shqiptare, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Ja se çfarë thotë një komentues (në fakt media ku botohen tekste të këtilla) i cili mbahet për gazetar të mirë:

Ahmeti dhe Thaçi janë kukulla me të kurdisur të cilat i ushqejnë në ambasadën e kalasë që të zbrazen në qenefin politik maqedonas derisa të mos hidhen si mbeturinë e padobishme, por e shfrytëzuar. Kështu i ka portretizuar ata ky farë gazetari, po meqë Ahmeti e Thaçi janë përfaqësuesit politikë të partive më të mëdha shqiptare, kuptohet se edhe neve na ka  vendosur në të njëjtin kallëp.

Një gazetar tjetër ankohet për një komision dhe shkruan kësisoj:

Ne këtë rast theksohej edhe përkatësia etnike e atij anëtarit të pestë, i cili duhet të jetë shqiptar,në vend se të shikohet profesionalizmi dhe kualifikimet që ka. Pse dimensioni etnik sërish kthehet në lojë kur edhe vetë bashkësia ndërkombëtare, e cila thellë është inkuadruar në Marrëveshjen e Përzhinës, me vite insiston për ndërtimin e shoqërisë civile.
A thua vallë me vendosjen e kushtit në formimin e trupit të përkohshëm ( të jetë shqiptar) me këtë rast nuk është e qartë pse nuk mund të jetë rom, turk, vllah, sërb… në mënyrë të vetëdishme nxitet njëfarë linje e re e mundshme e ndarjes dhe destabilizimi politik.

Përsëri problem paraqesin shqiptarët. Nuk pyet ky gazetar për maqedonasit a janë profesionistë dhe të kualifikuar si anëtar të komisionit dhe, meqë duheshka të jemi shoqëri civile pse na duhet medoemos katër të jenë maqedonas? Le të jenë (ja po I shkruajmë sipas renditjes së gazetarit): romë, turq, vlleh, sërbë… Po këtij gazetari tjetërkund I dhemb dhëmbi. Pse të jetë shqiptar anëtari i pestë i komisionit?! mërzitet ai.

Po e vë i vë në dukje edhe dy fyerje, të cilat kryesisht u bëhen SHBA-ve.  Nuk po polemizoj për këtë, sepse ma merr mendja se ka kush u përgjigjet për fyerjet që u bëhen SHBA-ve. Po gjithmonë kur fyhen SHBA-të thuajse kurrë nuk anashkalohen shqiptarët. Fyerjet që u bëhen shqiptarëve janë dhënë me italik bold: “Gjithsecili që në vend pluhurit të sharrës ka tru në kokë e ka përsosmërisht të qartë se Maqedonia edhe kësaj radhe u kacafyt me fashizmin euroatlantik. Terroristët, uçkat, janë ushtria e tyre (çdokush e sheh këtë sarkazëm primitiv të gazetarit primitiv). Maqedonia kufizohet me NATO-n. Është rrethuar në të gjitha anët me shtete të robëruara të cilat udhëhiqen nga politikanët e kategorisë së idiotëve të dobishëm. Përbrenda ajo është e okupuar nga ambasada amerikane”.

Më tutje:

“Me të vërtetë, i gjori Obama madje pohon se ‘Amerika asnjëherë nuk do të pajtohej të jetë e dyta’, po kush e pyetka atë për diçka. Ngjan si kipc i Geros, i gjori vetëm se s’ka kujt i shkruan letër. Duket se pikërisht se këtë jehonë që nuk do, por është i detyruar ta dëgjojë dhe ta shohë e solli një situatë që Uashingtoni ta humbë vetëkontrollin themelor të sjelljes dhe t’i dorëzohet sulmit të histerisë. Me këtë sjellje lejoi që njerëzimi të shohë se krahasuar me Kinën ose Rusinë, po edhe me fuqitë tjera të mëdha ose me perandoritë e dikurshme, armata e saj tashmë i ka humbur të gjitha luftërat që i bëri nga viti 1945 deri më sot. Me përjashtim të asaj me Serbinë  në vitin 1999 dhe dy luftërat me Maqedoninë (më 2001 përmes UÇK-së dhe më 2015 përmes LSDM-së).

Prej këtyre mediave nuk mund të pritet diçka tjetër. Halli nuk është te këto, por te faktori politik shqiptar që si duket nuk e di se ka gjyqe dhe se si përfaqësues të popullit shqiptar nuk mund të lejojnë që me vite të na fyejnë gazetarët të cilët janë dëshmuar se gjithmonë e ndërrojnë lëkurën e i përshtaten pushtetit të ri duke hedhur gur e dru mbi pushtetin që më parë i kanë shërbyer. Nuk durohen as fyerjet që na i bëjnë edhe  politikanët.

Ku janë vallë politikanët tonë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button