Nëse vonohesh, ke humbur mundësinë tënde!

Ndoshta nuk do të nevrikoseshe më kurrën e kurrës nga vonesat e njerëzve po ta shqyrtoje edhe një herë më mirë çështjen e pritjes së njerëzve. Ka dy raste në çdo pritje: kur e pret dikënd për të mirën tënde dhe kur e pret për të mirën e tij/saj.

Ta shqyrtojmë së pari të parën. Kur është për të mirën tënde, llogarite që për çdo të mirë duhet të presësh shumë, sepse, siç na mëson thënia: çdo gjë e mirë vjen ngadalë.

Po përpos thelbit të porosisë së thënies në fjalë, është edhe mundësia e ushtrimit të durimit. E durimi më së miri nuk ushtrohet kur para vetes kemi nevojë. Në këtë rast i rritet vlera nevojës dhe plus na jepet mundësia të ftohim pak gjakun duke e mësuar durimin.

Rasti i dytë, pra, është pritja është në të mirë të palës. As kësaj here pa kurrfarë nervoze a krekosje, mjafton t’i thuhet se aq kohë ke për të dhe pastaj le të vonohet sa të dojë. Për ilustrim, ke një orë në dispozicion dhe ai/ajo vonohet katërdhjetë e pesë minuta – domethënë se ti ke edhe pesëmbëdhjetë minuta për të.

Në këtë mënyrë i jep vlerës kohës sate, i jep mësim tjetrit në lidhje me disiplinën e të qenët në kohë dhe elemente të tjera që dalin si efekt. Po e ritheksoj se këto norma më shumë duhet të kuptohen si shtylla të të jetuarit i qetë dhe jo si mjet ushtrimi autoriteti apo për t’u krekosur.

T’i përgjigjem edhe pyetjes së mundshme se pse më shumë (në dukje të parë) titullin e kam lënë referues për rastin e dytë, gjegjësisht rastin kur është në të mirë të palës. Në fakt, po të qëndronte fjala ‘kohë’ në vend të fjalës ‘mundësi’, atëherë ndoshta do të pajtohesha. Mirëpo, u përdor mundësi, me atë që njëra palë (te rasti i parë) humb mundësinë për t’iu bërë mirë, kurse pala tjetër (te rasti i dytë, pra) humb mundësinë për të bërë mirë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button