Fëmijët thërrasin

Vërshimet e para disa ditësh që ndodhën në Shkup, gjegjësisht në Hasanbeg, Straçinë dhe në Stajkovc, përpos se dëshmuan një dobësi institucionale, ato u shoqëruan edhe me larmi pasojash. Shumëkush bëri fjalë për viktimat, dëmet materiale, shpresën e plagosur, por pakkush foli për shtresën më të sinqertë të shoqërisë – fëmijët. Për ata që në vigjilje të shpresave u ballafaquan me një sprovë shumë të rëndë. Duke qenë se nuk mund të ishin gjithaq të vetëdijshëm sa ta parashikonin se në sajë të kësaj infrastrukture sa ora mund të ndodhte më e keqja, ata e panë trishtimin me sytë e tyre, trishtim që rrodhi edhe pas ndaljes së të reshurave të shiut. Ata tanimë janë të prekur prej dromcave të traumës.

Zëri jonë kumbues dhe melodia e dhimbshme që del prej zemrave tona të çara thërret gjithkënd që mund t’i ndihmojë fatit të tyre, veçanërisht fton psikologët, të atillë që me dinjitet dhe profesionalizëm do të përballen me shëndetin mendor jo të mirë të fëmijëve tanë. Përmes metodave të tyre t’ia largojnë sadopak traumat e disi të përpiqen t’ia mjekojnë edhe plagët e shpresave. Pas vërshimit të harlisur ftojmë që psikologët t’i vërshojnë vendet e vërshuara, sidomos tani me fillimin e vitit të ri shkollor. Fëmijët tanë kanë nevojë për trajtim, ashtu siç nesër ne do të kemi nevojë për fëmijët tanë, ndaj askush të mos ngurrojë t’ia zgjasë me përulësi dorën e mëshirës dhe ndihmës kësaj shtrese që është shpresa jonë dhe shpresa e këtij vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button