Lidhja mes Erdoganit dhe Gruevskit që mund të rrënojë këtë shtet dhe shqiptarët

Megjithëse nuk mund të krahasohen mbi bazat e rëndësisë gjeostrategjike dhe fuqisë qoftë ekonomike dhe politike, Maqedonia dhe Turqia janë në një kornizë të ngjashme politike e cila mund të ketë një prapavijë të njejtë, të dëmshme për të dyja shtetet në periudhë afatgjate por edhe për rajonin. Janë shumë faktorë që shkojnë përtej lidhjeve historike mes dy vendeve, përtej lidhjeve fetare dhe kulturore, përtej pasojave të sundimit pesëshekullor të një perandorie osmane që ka lënë gjurmë të thella në nëndijen e popujve që jetojnë në këtë rajon.

Elementi i parë i përbashkët është prezenca e dy tiranëve, dy diktatorëve që kanë etabluar në shtetet e tyre një sistem neopatrimonial të sundimit duke shndërruar veten në patronë të pasurive dhe resurseve sociale dhe ekonomike të shteteve të tyre mbi bazat e të cilave sigurojnë lojalitetin klientelesk të oligarkëve financiarë të brendshëm dhe të jashtëm dhe mbi të cilin patronizëm sigurojnë favore që i mbajnë në pushtet një kohë të gjatë. Në të njejtën kohë ata kanë mësuar edhe artin e propagandës dhe krijimit të të vërtetave, duke përdorur fuqinë mediale dhe psikologjinë e masës, të cilat si instrumente pushtetsjellëse ju sigurojnë atyre tejzgjatje të qëndrimit në skenën politike.

Elementi i dytë i përbashkët është fakti që Turqia dhe Maqedonia, secila për arsyet dhe në formën e tyre, kanë shndërruar Ballkanin sërish në një skenë të rëndësisë absolute për politikën gjeostrategjike botërore. Mund të duket një pohim i tepruar, sërish duke patur parasysh madhësinë dhe rëndësinë e këtyre dy shteteve. Por më lejoni të shpalos faktet dhe momentet historike të cilat më shtyjnë të bëj këtë lidhje. Në një botë ku resurset energjetike janë motori kryesor i politikës botërore dhe gjeneratori i të gjitha konflikteve më të mëdha të 50 viteve të fundit, të bësh një lidhje të këtillë nuk është shumë e vështirë. Maqedonia dhe Turqia sidomos, mbajnë pozitat kyce gjeopolitike për transferimin e këtyre resurseve nga ato shtetet ofertuese tek shtetet kërkuese ngase paraqesin rrugën më ekonomike natyrore për këto linja gazi dhe nafte. Si rrjedhojë, të gjitha linjat gazifikuese që lidhin lindjen me perëndimin në kushte ideale do të duhej të kalonin nëpër këto territore. Nëse në territorin e Turqisë mendohet të kalojnë rrugët kryesore të këtij rigazifikimi të Evropës pas konflikteve në Gjeorgji dhe Ukrainë,  nga Irani dhe nga republikat kaukaze, nëpër territorin e Maqedonisë do të duhej të kalonte të paktën njëra nga këto linja (ajo ruse) dhe një tjetër të kalojë shumë pranë saj me idenë për t’iu kycur në një të ardhme politike më të stabilizuar – linjës TAP.

Ngjarjet e muajve të fundit në Turqi mund të katalizojnë një ndryshim të madh në skenën gjeopolitike botërore. Duke parë ngritjen e rejtingut të Erdoganit në Turqi pas tentimit për puç në numra rekord prej 68% dhe reagimin e vonuar dhe të ngathtë të perëndimit, sidomos vendeve të Bashkimit Evropjan të cilat u duk sikur pritën rrjedhën e ngjarjeve përpara se të dalin me përkrahje të popullit turk, që shtuan akoma më shumë revoltin dhe reagimin politik prorus të Turqisë dhe liderit të saj, vizita e tij e disa javëve më parë në Shën Petersburg mund të shihet si një paralojë për një afrim akoma më të madh strategjik të Turqisë me Rusinë. Pikërisht ajo Turqi e cila që nga koha e Ataturkut, shihej nga bota perëndimore si një vend i cili ishte barriera e fundit ndaj rrezikut sovjetik alias rus, për një kohë shumë të shkurtër ka ndryshuar drejtimin e politikës së saj duke iu afruar gjithnjë e më shumë një Rusie dhe një Putini i cili po vendos bazat e një luftë të re të ftohtë.

Do të ishte pikërisht Maqedonia, e cila e gjendur në një hendek politik dhe me një strategji kaotike politike sa properëndimore aq edhe proruse, në rradhë të parë ndikuar nga heterogjeniteti etnik dhe kulturor dhe në rradhë të dytë ndikuar nga ngathtësia e BE-së ndaj gjendjes politike dhe shkathtësisë ruse për të përkrahur diktatorin e saj në momentet e vështira, edhe nëpërmjet satelitëve të saj serbë, do të ishte pikërisht shteti jonë ai i cili do të shndërrohej në arenën e një pjese të luftës së re të ftohtë – gjë që nuk është aspak në interes të këtij vendi, pikërisht për shkak të heterogjenitetit të mendimeve dhe kulturave sa pro ruse aq edhe proevropjane që sundojnë në këtë vend. Do të ishte pikërisht Maqedonia dhe banorët e saj, si një shtet i vogël ajo që do të mbante mbi supe vendimet e gjeneratave ta tanishme politike të cilat marrin shembuj të gabuar nga liderë të gabuar, ndër to edhe Erdogani i Turqisë. Gjithmonë përgjatë historisë, humbësit më të mëdhenj të luftërave të titanëve janë shtetet më të vogla.

Në një situatë të këtillë, e cila duhet të ndezë alarmin jo vetëm tek ne në Maqedoni, ndryshimi politik është i paevitueshëm. Ajo që është akoma më e rëndësishme, është mënyra se si shqiptarët do të veprojnë për të ndryshuar këtë kahje që con drejt humnerës pa fund. Të (pa)përkrahur nga dy shtete në përpëlitje si Kosova dhe Shqipëria, atyre ju duhet tani më shumë se kurrë përkrahja e perëndimit për të reafirmuar sërish dhe akoma më fuqishëm interesat e tyre të përbashkëta me SHBA-të për Ballkanin dhe për të treguar bindshëm aspiratat e tyre që të qëndrojnë sa më larg interesave ruse dhe erdoganiste. Qëllimi duhet të jetë i qartë, është rendi i politikanëve të tregohen largpamës dhe të gjejnë mekanizmat mbrojtëse për të realizuar këtë qëllim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button