Plagët poetike e prozaike të Murat Isakut

( Me rastin e njëmbëdhjetë vjetorit të vdekjes së shkrimtarit tetovar Muarat Isaku)

“E MADHE ËSHTË BIGORINA KUR KËNDOHET, POR MË E MADHE ËSHTË KUR I DILET ZOT”, romani “Rreckajt”

Shkrimtar bashkekohor i letërsisë sonë. U lind në fshatin Gajre të Tetovës në vitin 1928. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në gjimnazin e Tetovës që më vonë kalon në normalen e Elbasanit, pastaj në Prishtinë dhe në Gjakovë ku edhe maturon. Studimet i kryen në Universitetin e Beogradit, dega “Gjuhe dhe letërsi shqiptare”. Punësohet profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin e Tetovës që pastaj si gazetar në redaksinë e “Flakës”, mëpastaj kalon në televizionin e Shkupit si redaktor i emisioneve shqipe ku edhe pensionohet.

Veprat e tij janë:

Me poezi: “Zani i malit”, “Drithma”, “Kurora e trollit”, “Blana”, “Shtara”, “Ngushëllimi i bukur”, etj.

Përmbledhjet me tregime: “Unaza e djerrinës”, “Gërsheta”, “Sheshtina”.

Romanet: “Dielli di rrugën e vet”, “Plagët”, “Rreckajt”, “Etje”, “Damkat”, “Shtjella”, “Rrengu”, “Fatprerët”.

TEMAT QENDRORE NË VEPRAT E MURAT ISAKUT

Lufta për liri dhe rezistenca ndaj robërisë shekullore janë temat qendrore të veprimtarisë letrare të Murat Isakut. Aty kemi të bëjmë me dhimbjen e dashurinë për trollin, me përjetimet dhe ëndrrat, me dëshirat dhe shpresat e banorëve të Sharrit. Kelmend Gajria, Kushtrim Rreckaj, Lekë Gajria, Nikë Rreckaj, Gjata dhe Përoska, personazhe në dy romanet: “Plagët” dhe “Rreckajt” edhe pse rriten nën të njëjtin qiell po dhe vdesin pēr një dashuri ata prap se prapë jetojnë e vdesin në mënyrë të veçantë. Të gjithëve iu bren dashuria për liri, dashuri e cila u jep forcë të mos dorëzohen para së keqes, të mos ligështohen apo dobësohen para provokimeve dhe sfidave jetësore. Në këto dy romanet “Plagët” dhe “Reckajt” fatet e personazheve përbëjnë një kapitull të veçantë në historinë e malësorëve të Sharrit. Rezistenca ndaj robërisë, gjakmarrja si trashëgimi bashkë me dashurinë e dhimbjen, nuk janë tema të pa prekura në letërsinë tonë, por Murat Isaku ka ditur nëpërmjet imazheve e imagjinatës krijuese t’i transformojë në petkun e bukur artistik. Personazhet e prozës së Murat Isakut jetojnë sa me kujtimet e së kaluarës, po aq edhe me shpresën e së ardhmes, përmes plagëve të shtatit e të shpirtit komunikojnë me lartësinë qiellore dhe trollin e vendlindjes. Në këte kontekst vlen të kujtojmë epizodin kur heroi qendror i romanit “Rreckajt”, Kushtrim Rreckaj i drejtohet të birit me këto fjalë: “E madhe është bigorina kur këndohet, por më e madhe bëhet kur i dilet zot”

Në anën tjetër Gjata e romanit “Plagët” dhe Përoska e romanit “Reckaj” janë sinonim i vrullit dhe trimërisë. Këto dy beqaresha heroina dashurore natën jetojnë me ëndrrat rinore, kurse ditën bredhin shtigjeve e sheshtinave, ato s’kanë kujt t’ia nxjerrin zemrën, prandaj shpesh i takojmë duke kuvenduar me ujërat dhe yjet e Sharrit.

Murat Isaku edhe te veprat e tij të më vonshme, romani “Rengu” dhe “Fatprerët” trajton tema nga e kaluara, por që janë tejet aktuale për ditët tona, edhe kētu kthehet te fatkeqësitë tona të shumta. Sikurse në të gjitha veprat e tij edhe në romanet e më vonshme ngjarjet zhvillohen mbi një galeri personazhesh të cilët shpesh i hasim buzë katandisjes fizike. Qē në faqet e para të romanit “Fatprerët” ballafaqohemi me një atmosferë të trishtuar e pa perspektivë të burgut hetues e të zandanit. Malë Proka te romani “Fatprerët” dhe Xhelë Preja te romani “Rengu” të lindur me psikologjinë se liria qëndron mbi çdo vlerë, protestojnë në emër të drejtësisë dhe së vërtetës kundër vetëdijes autoritare, kundër forcave rënuese shpirtërore, kundra atyre që mbjellin farën e frikës dhe gjendjes së nënshtrimit. Gadishmëria e heronjëve epik për flijim nuk nënkuptohet si gjestilacione rasti, por si domosdoshmëri. Burgjet dhe zandanet ku vuajnë të pafajshmit janë perandori sëmundjesh të padukshme. Dhe sot e kësaj dite burgjet për ne shqiptarët janë bërë çerdhe torturash të ndërtuara sipas së Xhelatëve. Në këtë perandori pushteti është në duartë e errësirës, kurse njerëzit viktima të tyre. Faleminderit i nderuar shkrimtari ynë Murat Isaku, i lehtë të qoftë dheu për hirë të veprave tua të shkëlqyera!

Lajme të ngjashme

Komentet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button