Zgjedhjet nuk janë zgjidhje për krizën politike në vend

“Rilindja Demokratike Kombëtare ka qenë avangarde në lidhje me idenë tanimë të harxhuar se zgjedhjet janë zgjidhje të vetme për krizën politike në vend. Qëndrimi i RDK-së ka qenë mjaft konsistent në lidhje me dy datat paraprake të organizimit të zgjedhjeve, ajo e 24 prillit dhe e 5 qershorit, duke theksuar në mënyrë eksplicite se nuk ka zgjedhje pa zgjidhje”, thuhet në kumtesën e dërguar nga Rilindja Demokratike Kombëtare.

Kjo maksimë, sipas tyre, tanimë mjaft e njohur për opinionin publik, vazhdon të jetë relevante edhe për tentimin e tretë, “të supozojmë i vërtetë, që pritet të organizohen më 11 dhjetor të këtij viti”.

“Një pjesë e konsiderueshme e aktorëve politik në kontinuitet kanë theksuar se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme nga kriza politike, ndërsa qëndrimi ynë vazhdon të jetë edhe më i zëshëm se zgjedhjet nuk janë zgjidhje për krizën e thellë politike në vend”, thonë nga RDK.

Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se njëra nga arsyet pse zgjedhjet nuk janë zgjidhje për krizën në vend është naiviteti dhe niveli primitiv i të menduarit se vetëm katër liderët politik më 31 gusht do të mund të vendosin “se a thua vallë janë pjekur ose jo kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor të këtij viti”.

“Është naivitet i paparë të mendohet se kriza politike do të zgjidhet vetëm nga katër aktorët politik, duke anashkaluar një numër të madh të partive tjerra parlamentare dhe jashtë-parlamentare, sektori civil, si dhe më e rëndësishmja kemi anashkalim të faktorit ndërkombëtarë. Arsyeja e dytë pse këto zgjedhje nuk mund të jenë zgjidhje për krizën politike konsistohet me hipotezën e mundshme se këto zgjedhje sërish mund të ‘fitohen’ nga aktorët e njëjtë që janë në pushtet më shumë se dhjetë vite. Parashtrohet pyetja, pse dikushi mendon se këta aktorë tani do ta zgjidhin krizën e thellë politike, ndërsa këtë gjë nuk e kanë bë deri më tani? A nuk ishin pikërisht këta aktorë që e sollën këtë krizë të thellë politike? Arsyeja e tretë ndërlidhet me tendencën e apatisë totale të elektoratit në përgjithësi që tërësisht kanë humbur besimin te politika dhe politikanët, me gjasë reale që në masë të konsiderueshme do të bojkotojnë zgjedhjet. Atëherë parashtrohet pyetja, si do të zgjidhet kriza nëse dalja në zgjedhje do të jetë shumë e ulët dhe ‘legjitimiteti’ do të merret vetëm nga partizanët politik që janë të detyruar të votojnë? ”shtojnë nga RDK.

Rilindja Demokratike Kombëtare ripërsërit se zgjidhja e vetme e krizës nuk janë zgjedhjet, por rikthimi i sundimit të ligjit, përgjegjësia dhe llogaridhënia nga të gjithë aktorët politik për veprimin e tyre politik në këto 25 vite të pluralizmit në vend.

“Nëse institucionet e vendit, sidomos prokuroria speciale publike, nuk fuqizohen dhe nuk marrin në përgjegjësi të gjithë ata që kanë keqpërdorë detyrën zyrtare për një periudhë të gjatë kohore, atëherë nuk mundet në asnjë variant të kemi zgjidhje të krizës politike në vend. Kjo situatë duhet të jetë e qartë për të gjithë aktorët politik vendas, sidomos për faktorin ndërkombëtarë që kanë ndjek çdo zhvillim apo dështim të këtij vendi, që nga pavarësimi e deri më sot. Faktori ndërkombëtarë duhet patjetër të trajtohet si palë e brendshme dhe jo e jashtme, sepse njashtu si Maqedonia nuk mund të distancohet nga kanosjet globale, njashtu edhe faktori ndërkombëtarë duhet të trajtohet brenda vendit, si një aktorë i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës së thellë politike, para se të arrijë vala tjetër e kanosjeve globale. Maqedonia, nuk e ka komoditetin e organizimit të zgjedhjeve, si zgjidhje e vetme për krizën. Kriza nuk zgjidhet me zgjedhje!”, përfundojnë nga RDK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button