A përzihet Rusia në zgjedhjet amerikane?

Parti anti-ruse në SHBA zakonisht kanë qenë republikanët, por gjërat kanë ndryshuar me Trampin. Ndërkohë edhe Klinton ka aferat e veta në lidhje me Rusinë.

Rikthimi i Rusisë. Zgjedhjet presidenciale 2016 në SHBA kanë shënuar rikthim të fuqishëm të çështjes ruse në ballë të diskursit politik amerikan. Fajtor kryesor për këtë është Tramp, i cili qysh gjatë garave brendapartiake ka shprehur admirim për presidentin rus Putin, i cili më vonë ja ka rikthyer komplimentet. Tani në fushatën e përgjithshme këtë e kanë shfrytëzuar demokratët të cilët akuzojnë Trampin për relacione të dyshimta biznesi me rusët. Dyshimet edhe më tepër janë përforcuar kur Tramp ka vënë në krye të fushatës së tij lobistin Pol Manafort i cili mes tjerash ka lobuar gjatë kohë për presidentin pro-rus të Ukrainës Janukoviç. Gjithçka ka kulminuar me dorëheqjen e Manafortit nga kreu i fushatës javën e kaluar, me çka kampi Tramp në njëfarë mënyre ka pranuar se çështja ruse po bëhet problematike për të.

Por Rusia si temë në politikën amerikane nuk është diçka e re. Ajo ka mbizotëruar si temë gjatë kohës së luftës së ftohtë, për të rënë në vitet e 90-ta dhe për t’u rikthyer në vitin 2008. Ja një histori e shkurtër e çështjes ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

1944-1988. Në vitin 1944 Rusia akoma ishte aleate amerikane në luftën kundër Gjermanisë naciste. Gjithçka ka ndryshuar në zgjedhjet e ardhshme, 1948, zgjedhjet e para presidenciale të periudhës së luftës së ftohtë. Qysh atëherë deri në vitin 1988 Rusia, gjegjësisht Bashkimi Sovjetik, ka qenë shpesh temë kryesore në zgjedhje, me përplasje mes kandidatëve rreth mënyrës më të mirë për trajtimin e saj. Qëndrimet kanë osciluar mes armiqësisë së hapur nga njëri ekstrem, në politikat e pajtimit – detantës më Bashkimin Sovjetik.

Kthesa decisive në raport me Bashkimin Sovjetik ka ardhur me paraqitjen në skenën presidenciale të Ronald Reganit në vitin 1980. Regan është angazhuar për qëndrime të ashpra ndaj sovjetëve, duke mos hezituar që t’a quajë atë “Perandoria e të keqes”. E gjithë politika e tij është përqëndruar në dobësimin e Bashkimit Sovjetik. Pas 40 viteve e gjithë “çështja ruse” ka marrë fund me rrënien e murit të Berlinit, zhbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe fitoren përfundimtare amerikane gjatë mandatit 1988-1992 të pasardhësit të tij Xhorxh Bush Seniorit.

1992-2004. Në zgjedhjet 1992-2004 Rusia nuk ka qenë më temë debati , ndërsa vendin e saj si kërcënim potencial e ka zënë ngadalë por sigurtë Kina. Rusia është trajtuar si çdo fuqi tjetër rajonale, me theks te mundësitë për bashkëpunim në çështje globale ku ajo ka mundur të kontributojë, si kontrolli i armëve, lufta kundër terrorizmit etj.

2008 skifteri Mekejn-pëllumbi Obama dhe reseti me Rusinë. Dy muaj para zgjedhjeve 2008 Rusia pushtoi një pjesë të Gruzisë. Kandidati i atëhershëm republikan Xhon Mekejn ka kërkuar përgjigje të menjëhershme amerikane dhe ka premtuar se si president do t’a ketë prioritet “disciplinimin” e Rusisë me të gjitha mjetet.

Obama përkundrazi ka patur tjetër filozofi të jashtme politike. Për shumë probleme nëpër botë ai ka fajësuar paraardhësin e tij Bush dhe në këtë kontekst ka parë edhe problemin rus. Ndryshe nga agresiviteti i Mekejn ai ka premtuar pajtim dhe bashkëpunim të plotë me Rusinë. Këtë politikë ai ka tentuar t’a implementojë me të ashtuquajturin “Reset” me Rusinë në periudhën 2008-2012 kur sekretare shtetërore ishte Hillari Klinton.

2012 afera Obama-Medvedev dhe skifteri Romni. Qëndrimet e njëjta anti-ruse të republikanëve dhe pajtuese të demokratëve kanë vazhduar edhe në zgjedhjet e vitit 2012. Disa muaj para zgjedhjeve Obama u kap mat kur një bisedë e tij me Medvedevin ishte bërë në mikrofon të hapur dhe doli në publik. Në të Obama premtonte se pas zgjedhjeve do të kishte më tepër hapësirë manovrimi dhe do bëhej më akomodues me rusët.

Në po ato zgjedhje kandidati republikan Mit Romni befasoi me një deklaratë ku tha se armiku numër një i SHBA-ve ishte Rusia. Deklarata është pritur me përqeshje nga Obama dhe një pjesë e mirë e analistëve dhe mediumeve, sipas të cilëve Romni donte të kthejë marrëdhëniet me Rusinë 30 vjet prapa. Në retrospekt normalisht duket sikur Romni ka patur të drejtë.

2016 Klinton, Rusia dhe uraniumi amerikan. Megjithëse fokusi pro-rus këtë vit është te Trampi, Hillari Klinton poashtu ka një njollë të madhe me marrëdhëniet me Rusinë. Afera lidhet me kompaninë qeveritare ruse Uranium-One e cila ka blerë një kompani kanadeze që punon me uranium. Pasi me këtë kompania ruse fitonte të drejta mbi 20% të uraniumit amerikan, marrëeshjen e ka aprovuar Stejt Departmenti që atëbotë e udhëhiqte Klinton. Në shikim të parë kjo duket çështje e thjeshtë procedure, por paralelisht me marrëveshjen pronarë të firmës kanadeze kanë donuar shuma të mëdha te Fondacioni Klinton. Në ndërkohë një firmë tjetër ruse me lidhje të ngushta me Uranium One ka paguar Bill Klintonin 500.000 dollarë për një fjalim të mbajtur në Moskvë. Me këtë zinxhir transaksionesh Klinton akuzohet se ka shitur interesat amerikane te rusët për përfitim personal.

2016 rusët dhe Trampi. Trampi ka shprehur admirim për Putinin qysh gjatë zgjedhjeve brendapartiake, ndërsa Putin i ka kthyer disa herë komplimentet. Poashtu është indikative që Rusia është e vetmja fuqi që nuk është gjendur në shënjestër të sulmeve të Trampit. Sipas demokratëve dhe disa mediumeve kjo ka të bëjë me faktin që para ruse qëndrojnë pas disa investimeve dhe borxheve të Trampit, mu atëherë kur e ka patur më pisk punën. Këto fakte ngjallin dyshim për lidhje më të ngushta Tramp-Rusi seç duket në sipërfaqe.

2016 rusët dhe e-mailat e Klintonit. Sajti Uikiliks në vazhdimësi ka publikuar e-maila të hakuar nga partia demokrate që tregojnë partinë në dritë negative. Sipas një numri analistësh të cyber-krimit, pas hakerit me pseudonim Guccifer në fakt qëndron vetë qeveria ruse, e cila në këtë mënyrë tenton të ndikojë në zgjedhjet amerikane duke favorizuar pro-rusin Tramp. Çështjen edhe më tepër e ka rënduar Trampi i cili i ka bërë thirrje qeverisë ruse të hakojë dhe publikojë e-maila tjerë të Klintonit.

2016 Rusia dhe kampanja Tramp – Pol Manafort. Sikur të deshte të shtonte edhe më tej dyshimet për lidhjet e tij pro-ruse Tramp para tre muajsh ka vënë në krye të fushatës së tij Pol Manafortin. Manafort njihet si konsulent politik dhe lobist, që fillimisht ka punuar në kampanjat e presidentëve Ford e Regan. Por 30 vitet e fundit ai punon si lobist për qeveri të ndryshme botërore, zakonisht me prirje diktatoriale. Më problematik është angazhimi i tij nga ish-presidenti ukrainas Janukoviç në periudhën 2004-2010.

Tramp ka angazhuar Manafortin për të vënë në vijë fushatën e tij kaotike, por me kohë vëmendja e politikës është përqëndruar te lidhjet e tij me ukrainasit e rusët. Përfundimisht duket se dyshimet për lidhje Tramp-Rusi janë bërë aq të mëdha saqë fushata nuk ka mundur më ti injorojë. Manafort ka dhënë dorëheqje, si duket nën presion, para disa ditëve.

A përzihet Rusia në zgjedhjet amerikane?. Kjo pyetje nuk ka përgjigje të lehtë. Nëse qeveria ruse vërtetë qëndron pas dokumenteve të Uikiliks atëherë për këtë nuk ka dyshim. Por njëkohësisht kjo është në suaza të normales sepse secili shtet tenton të ndikojë që një shtet tjetër të udhëhiqet nga figura miqësore. Më problematike është nëse dëshmohet se në këmbim të kësaj Tramp do të udhëheq politikë më në vijë me rusët, e për këtë vetë Trampi jep arsye të mjaftueshme.

Nga ana tjetër as Klinton nuk është e pastër në marrëdhëniet e saj me Rusinë. Në përgjithësi ajo nuk është treguar e suksesshme karshi Rusisë si sekretare shteti. E njëjta mund të thuhet për gjithë administratën e Obamës. Në retrospekt duket se vis-a-vis politikës amerikane gjërat kanë rrjedhur mirë për rusët në dekadën e fundit. Hipotetikisht gjithçka ka mundur të jetë ndryshe me skifterë si Mekejn e Romni, që sot e kësaj dite mbeten armiq më të përbetuar të Rusisë në SHBA.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button