FOTO PRANË TUALETIT

Politikani ynë u shtri në krevatin e hotelit luksoz dhe po i dukej sikur fluturonte. Merrte pjesë si vëzhgues në një konferencë ndërkombëtare. “A u bre nënën sa kam arrit’ në jetë”, mendoi dhe sakaq brofi në këmbë: “Nuk kam ardh’ të rri shtrirë”.

U vesh me shpejtësi dhe doli që ta shikonte hotelin luksoz. Sikur ecte majë gishtash. Nuk ishte njeri dosido. Ishte emër, faktor. Sakaq e pa kryeministrin e një shteti të rëndësishëm europian, që ishte nisur për në tualet. Iu afrua disi hajnisht.

“Si jeni, zoti kryeministër?” – i foli disi anglisht.

“Mirë” – ja ktheu  ai me mospërfillje.

“Më fal, mund të bëjmë një foto?” – tha politikani ynë.

“Po si jo”, tha duke e shikuar me habi të panjohurin. “Po të zhvendosemi pak më tej se…”

Politikani ynë ja bëri me shenjë njërit prej punëtorëve të hotelit dhe ai fap e fiksoi çastin.

Si e bëri foton menjëherë e porositi të besuarin e tij që këtë rast t’ia bënte me dije gazetarit që e merrte kudo ku shkonte jashtë shtetit. Ajo që nuk del në media as nuk ka ndodhur, kështu i kishte thënë gazetari.

Nuk kaluan disa minuta dhe gazetari erdhi.

“Paska diçka që nuk dëshiron të ma tregosh, apo?” – i tha ai.

“Po nuk i kam shumë qejf reklamat, besoj se më kupton?” – ja ktheu politikani dhe menjëherë ja tregoi foton në celular.

“Au, me këtë?! Kur u takuat? Pse nuk treguat?” – fliste gazetari.

“Ishte bisedë miqësore, sepse e kam mik të moçëm. Bile, po ta them në besim, besoj se e ruan sekretin, se pikërisht ky më ka propozuar të inkuadrohesha në politikë. Nuk doja ama e di si është puna me miqtë e jashtëm, besoj më kupton?”

“Po si jo… sa për sekretin as mos e ke dert. Unë them që ta postoj menjëherë foton për takimin”.

Pas disa minutash politikani ynë ja dërgoi foton gazetarit, duke e shoqëruar me shënimin: “Një takim ballë për ballë, miqësor, i frytshëm e shumë premtues…”

Pas pak u shpërnda kudo lajmi ekskluziv. Pastaj pasuan “like”-t e lëvdatat për angazhimin dhe përkrahjen ndërkombëtare të politikanit tanë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button