POLITIKE

“…a e di se pushimi për ne të Maqedonisë nuk është më pushim, por arratisje?” më ka shkruar një mike pas kthimit nga bregdeti.

Fatkeqësi elementare këtu është bërë zhgënjimi, ashtu si mungesa e shpresës dhe besimit.

Kështu ndërtohet defetizmi. Dhe ushqehet nga frika e njerëzve, njerëzve të rritur që zgjedhin të jetojnë me frikë dhe të paralizohen nga ajo. Në këtë frymë, duke parë dhe dëgjuar prindërit, edukohen fëmijët e tyre. Dhe gjendja status-quo betonohet.

…pas kthimit nga pushimi mikes do ti duhet kohë për ambientim në qytetin, mendoj, më të papastër se kurdoherë.  Ke përshtypjen që ndërmarrja komunale është në pushim gjeneral, sidomos nga kjo anë e lumit.

Mbrëmjeve bulavardi i Bit-pazarit duket si pas uraganit…

Vallë ndonjë përgjegjësi i bie udha sidomos në muzg kah kjo trajektore e rëndësishme?

A e lodh kokën dikush që bulevardi perceptohet si hyrje në zonën shqiptare?

A i dhemb përshtypja e krijuar tek vizitorët dhe turistët e shumtë që frekuentojnë Çarshinë?

Pushtetarët e pasuruar, paraprakisht pa profesione, zaif të arsimuar, të veshur pa shije, bile pa sens humori, përfaqësues të shtetit të pazhvilluar udhëtojnë me vetura xhamash të errësuara pas të cilave problemet shihen si nëpër mjegull.

Votuesit e tyre shkelin mbi mbeturina të cilat “ku i hedh aty i gjen, si mbetje arkeologjike” siç tha një spirituoz.

Drejtuesit e metropoleve botërore shpesh përdorin transportin publik ose ngasin çikletën deri në zyrë dhe rrugës detektojnë problemet.

A keni parë ndonjë funkcionar këtu të ecë në këmbë? Dhe sa të dobët duken me truprojet e fuqishme! Nga kush kanë frikë, për çfarë arsye?

“Tragjedia nuk qëndron vetëm në pushimet si arratisje.

Këtu shumica nuk kanë mundësinë as të arratisen për shkurt.

Më e keqja qëndron aty se shumica duan të arratisen përgjithmonë.

Shumica e miqve të mi që në çdo shoqëri do të ishin bartës zhvillimi ëndërrojnë tjetër atdhe…ose duan që të paktën fëmijët e tyre “të shpëtojnë nga ky shtet”.

Secili kërkon dhe ndoshta gjen shpëtimin e vet.

Këtu apo Atje.

Në fakt shpëtimin, pavarësisht gjeografisë, e kërkojmë dhe e gjejmë përkitazi tek vetvetja.

Personalisht jam për të mbetur këtu, me udhëtime-ventilime, kaq mjafton.

Ashtu siç mund ndonjëherë të mjaftohem me vibrime në ajër…me konekcione energjetike që funkcionojnë si doping.

Mjafton që njeriu i rritur të mos ketë frikë.

Se frika inhibon, kurse inhibimet sipas psikanalistëve rezultojnë me sëmundje.

Në fakt unë u nisa të shkruaja për pushimet  dola në politikë.

Edhe ajo na është bërë sëmundje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button