Shkup, vetëm 8 milionë euro për rikonstruimin e Teatrit Kombëtar Shqiptar

Sot fillon projekti për rikonstruktimin e Teatrit Kombëtar Shqiptar në Shkup. Punimet do të bëhen nga kompania ndërtimore italiane “Lamone Moreda”, ndërsa për këtë janë ndarë mbi 8 milion euro. 

Sa për krahasim, për Teatrin Maqedonas, i cili është stolisur me ar janë harxhuar mbi 40 milion euro.

Kryeministri Nikolla Gruevski, zëvendëskryeministri Musa Xhaferri dhe ministrja e kulturës, Elizabeta Kançeska – Milevska morën pjesë në fillimin e punimeve për këtë objekt i cili nuk është rinovuar me dekada. Saktësisht që nga viti 1974 kur është ndërtuar.

Zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferri tha se rinovohet një ndër tempujt më të rëndësishëm të kulturës shqiptare në Maqedoni që  “mbi 60 vite me radhë ka afirmuar dhe kontribuar në avancimin e vlerave kulturore të shqiptarëve por dhe  të të gjithë komuniteteve në Republikën e Maqedonisë”.  

“Nuk  ka institucion më meritor për një investim kaq të madh, se sa Teatri i dramës shqipe këtu në Shkup, duke marrë parasysh emrat e mëdhenj, të cilët kanë lënë shenja të pashlyeshme në skenën e këtij Teatri për më shumë se gjysmëshekulli.” tha mes tjeras Xhaferri. 

Aktori i njohur dhe ish drejtori i Teatrit Shqip, Bajrush Mjaku, thotë është humbur shumë kohë deri më tani duke u shprehur se rinovimet nuk do të bëhen me stoli ari, por do të jenë projektet ata që do të kenë vlerën e arit. 

 Deri sa të bëhet kjo, trupa e teatrit për dy ose tre vite duhet të funksionojë në një objekt tjetër. 
“Në këtë teatër nga viti 1974 kur është hapur nuk është vënë qoftë edhe një gozhdë. Është intervenuar disa herë për gjëra të vogla ose për të ndërruar dritare të aluminit dhe për të vënë kualitet më të dobët, vetëm për interesin e drejtorëve”, tha para disa ditësh Bajrush Mjaku për Portalb. 

Lajme të ngjashme

Back to top button