PRIJËSI

Pastaj prijësi tha: “Le t’i mashtrojmë delet e buta!”

Dhe pastaj erdhi nata e lindi dita.

Dhe të besuarit e prijësit u shpërndanë në gjithë vendin.

Dhe populli i lodhur, i dërmuar, nisi të ankohej.

Kaluan ditë e kaluan net.

Dhe pastaj më të besuarit e tij u kthyen dhe i thanë prijësit: “O Prijës i dashur, më i madhi, më i drejti, më i zgjuari, më trimi, popullin e ka zënë dëshpërimi. Ata nuk na besojnë. Ankohen dhe shajnë.”

E prijësi u tha: “Po të tjerët më thanë se ishte gjithçka mirë?”

Dhe një i besuar i foli: “Ata punojnë për veten dhe jo për Prijësin”.

Dhe pastaj prijësi tundi kokën e pyeti: “E çfarë thonë për mua?”

Dhe një i besuar i tha: “Ndjesë o Prijës, por…”

Dhe prijësi tha: “Thoni se Prijësi është i ndershëm, por ka të ligë rreth vetes!”

Kaluan ditë, e javë.

Dhe prijësi thirri të besuarit e tij.

Dhe u tha: “Popullit që  i mungon buka duhet t’i thoni se do të bëhet mirë! Një popull që mendon për bukën e përditshme, liria i shfaqet në formën e kafshatës. Mos harroni: thoni se të tjerët janë të ligë, e Prijësi është i drejtë!”

Pastaj i thirri kasnecët e mashtrimit dhe u tha: “Sa të zbardhë agu shpërndajeni lajmin se rrezikohemi nga armiqtë! Atë që e thonë për ne, thojeni për kundërshtarët! Thoni se janë të shitur, të ligë, hajna e tradhtarë!”

Pastaj kasnecët e shpërndanë kumtin anekënd Kotësisë.

Dhe ikën javë.

Dhe erdhi dita kur të besuarit duhej të ktheheshin te prijësi.

Dhe një i besuar tha: “Kanë mungesë buke, o më i urti, më i drejti, më i bukuri dhe më trimi Prijës”.

Dhe prijësi tha: “Premtojuni bukën e përditshme dhe ata do të harrojnë gjithçka. E si të ngopen pak u flisni për Tokën e Premtuar”.

Dhe të besuarit e tij ashtu bënë. Shpërndanë bukën anekënd në emër të prijësit.

Dhe pastaj, kur njerëzit u ngopën me bukën e përditshme, kasnecët filluan t’u flasin për Tokën e Premtuar dhe të Ardhmen e Ndritur.

Dhe u thanë se jeta e tyre, tani e tutje, do të ishte më e bukur, sepse për ta mendonte prijësi.

Dhe turma që deri dje shante nisi besonte.

Dhe filloi sërish që ta adhuronte prijësin…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button