“Le t’bojn xhi tbojn, qitet le t’bojn”

Shkon në Tetovë, të merr malli, se dorën në zemër, ku do të shkosh tjetërkund në Maqedoni kur ta do zemra ta ndjesh së paku një kënd të hapësirës shpirtërore shqiptare në të cilën je lindur e në të cilën je rritur. Shkon, por çështja është se ku të të gjesh një vend ta parkosh veturën. Ti mund të kërkosh sat ë duash, por të jesh i sigurt se do  humbësh më shumë kohë duke kërkuar vend parkimi se sa udhën që e ke bërë, ta zëmë nga Kumanova, nga ku je nisur. Parkingjet janë plot e përplot. Dhe, atëherë e gjen veten të djersuar nga sikleti. Çfarë të bëj? Ke kaluar shtatë tetëdhjetë kilometra e të duhet po aq të rrotullohesh rreth e më rreth vendit ku je marrë vesh me miqtë të ulesh e të ndërrosh ndonjë fjalë për letërsinë, për teatrin (për politikën tonë të kësak përditshmërie të përhimtë – jo, se jemi lodhur nga kjo politikë), për hallet e arsimit dhe, gjithsesi edhe për gjuhën shqipe.

Ecën dhe atëherë e sheh sa e pamëshirshme është ora, e cila kurrsesi nuk i ndal akrepat e saj të na presë, ta bëjë një boshllëk kohe, sa ta gjejmë një vend parkimi. Ah, sa mirë do të kishte qenë të ecnim me biçikleta… Me siguri do të kishim arritur për aq kohë sa humbim për parkim dhe nuk do të kishim pasur problem për t’i gjetur vend biçikletës. Atëherë do ta kishim gjetur veten me kohë në restoranin ku do të shihesh me miqtë.
Po pse vallë gjithë kjo hyrje kur dua të them diçka tjetër, që nuk ka të bëjë aq me ndejën me miqtë. Nuk ka të bëjë me miqtë, po ka të bëjë me komunikacionin. Me komunikacionin e shekullit njëzet e një, në shekullin në të cilin, ma merr mendja se jeton edhe Tetova me parinë e saj komunale.

“Kadale t’mirrna vesht”, thonë në Tetovë. “Nuk asht Tetova ma ni kasabë e dikurshme me peizazhet interesante, me shpaja t’vogla, bafçet me lule, me zoxh, me pamënajë si ato të pikturave të Vag Gogi… Tetova… Tetova asht pjot ndërtesa, vlla. Ndërtesa t’mdhoja… Tetova tahi asht në qitet i madh me di univerzitete, vlon pi t’rive, pjot popëll”…

Pikërisht kështu është. Tetova tashmë është një kantier i madh. Një qytet që prej dite në ditë rritet dhe e ndërron pamjen. Mirëpo në këtë qytet modern që ka dy universitete, që ka shumë banorë e plot studentë,  njërin ndër hallet kryesore ka zgjidhjen e problemit të komunikacionit. Në Tetovë sot mbretëron një kaos i vërtetë komunikacioni. Rrugëve të Tetovës veturat vlojnë si thnegla, nëpër trotuare s’ke ku e vë këmbën prej veturave të parkuara. Vetura, vetura, vetura gjithfarësh. Këmbësorët e shkretë duhet të përbirohen midis veturave që janë renditur gjithandej si fije të shkrepsës. Me një fjalë Tetova është një kaos.

Ku dua të dal, ku dua ta qes fjalën? Nuk e kam fjalën as te rrugët, pak më shumë e kam  për parkingjet dhe… më së shumti për parinë e Komunës.
Në Tetovë, prej rrënimit të Jugosllavisë e këndej gjithmonë kryetarë komune gjithmonë kanë qenë shqiptarë, pra kandidatët e partive shqiptare. Më kujtohen aktivitetet parazgjedhore të këtyre kryetarëve, më kujtohen ofertat e të gjithëve, ndër të cilat prijnë premtimet për punësim (që është mirë), premtimet për zhvillim ekonomik dhe pë rregullimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe të kanalizimit (që, gjithashtu, janë mirë). Nga  premtimet e fushatës së fundit parazgjedhore më kujtohet premtimi se “Tetovën do ta bëjmë qytet”. Në fakt ky është premtimi më interesant, premtimi më tërheqës që kam dëgjuar. Mirëpo ky premtim përmban në vete edhe çështjen thelbësore të të bërit qytet dhe ky është rregullimi i komunikacionit. Për fat të keq në asnjërën nga fushatat e deritashme parazgjedhore që kandidatët të kishin thënë ndonjë fjalë për komunikacionin. Për rregullimin e tij. Asnjërit nuk iu kujtua se qytet nuk mund të ketë pa komunikacion të rregulluar.

Si çdo qytet tjetër në botë edhe Tetova ballafaqohet me dendësinë e komunikacionit i cili i bllokon rrugët dhe e ndot ajrin. Dhe, ky problem shkon duke u ndërlikuar. Po ta lëmë “rehat problemin do të na ndodhë si ai rasti i Kinës kur disa mijëra vetura mbetën në nj kolonë të gjatë prej njëqind kilometrash, me ç’rast policisë i janë dashur disa ditë që ta rregullojnë komunikacionin dhe ta kthejnë gjendjen normale.

Mendoj se komuna e Tetovës duhet të punojë intensivisht në zgjidhjen e problemit të komunikacionit, sa nuk do të bëhet vonë, siç është bërë vonë në Meksiko Siti dhe në shumë qytete të tjera të botës. Komuna e Tetovës duhet ta ketë parasysh se Tetova do të rritet me shpejtësi të madhe, si gjithandej, anë e mbanë botës.

Natyrisht problemi është mjaft i vështirë. Megjithatë, nëse nuk zgjidhet tërësisht, ai mund të zbutet. Atë e dëshmon praktika e qyteteve austriake, gjermane e të disa qyteteve të tjera evropiane ku peshën e lëvizjes së njerëzve e mban komunikacioni publik i përpiktë si sahati i hoxhës. Ato mund të shërbejnë si modele.
Komunikacioni ose zgjidhja e këtij problemi të vështirë (aq sa mundet) është çelësi. Tetovës nuk i duhen përmendore dhe ngrehina të tjera të këtij lloji, para se të fillojë projekti i madh i rregullimit të komunikacionit, i cili do t’i çlironte rrugët nga veturat e shumta dhe nga smogu i padurueshëm.

Po deshëm të bëjmë qytet, nuk e bëjmë dot pa komunikacion të rregullt.
“Kshtau asht puna, vllazën… A bojnë pakringje me kate, a bien trolejbusa, e xhejnë doni çare qetër… Le t’bojnë xhi t’bojnë, qitet le t’bojnë”… Kshtau e kanë dhanë fjalën…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button