CETINSKAAA

O Zot sa vështirë e ke t’ua thuash njerëzve të vërtetën. Kështu ka qenë edhe në kohët e kuqe, kështu është edhe në këto kohë të ashtuquajtura të kaltra. Po nuk ke se si të veprosh ndryshe. Vështirë, vështirë, është, mirëpo fjalët s’të lënë të qetë në ndërgjegje. Të brejnë përbrenda dhe kërkojnë të dalin në liri. Fjala e do lirinë. Me lirinë jeton në simbiozë. Kësaj radhe fjalët që kërkojnë të thuhen zëshëm kanë të bëjnë me Komunën e Tetovës. Ja se për çka: Ka kohë që Jugosllavia u shpërbë, kurse në Komunën e Tetovës pushtetin e kanë pasur vazhdimisht shqiptarët. Që nga Prosperiteti e këndej të gjithë prefektët kanë qenë shqiptarë. Dhe, gjatë gjithë kësaj kohe rruga e një  lagjeje të rëndësishme, një lagjeje simbol për Tetovën, e mban emrin “Cetinska”. Cetinska? Boll keq, për besë. Cetinska – një emër që s’i bën nder as Tetovës, po aq më pak lagjes ku është kjo rrugë, se emri i këtij qyteti lidhet me tragjedinë e popullit shqiptar. Është një emër që duhet të mbahet në mend për të keq, jo të bëhet shenjë e lagjes ku ngrihen oxhaqet tona.

Cetina ka qenë kryeqytet i Malit të Zi në kohën e Kongresit të Berlinit. Sipas Traktatit famëkeq të Berlinit, ky shtet do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës e të Kolashinit. Pra të gjitha qytetet ku tradita shqiptare dhe gjuha shqipe ishin ruajtur më së miri. Zemrën e hapësirës sonë etnike.
Gjatë kohës sa ka qenë Cetina kryeqytet i Malit të Zi është sulmuar brutalisht edhe Shkodra (natyrisht me ndihmën e huaj) dhe atëherë e gjithherë, përveç tokave tona të grabitura, është derdhur gjak shqiptari pa kursim fare. Atëherë? Ku jemi me emrin e rrugës Cetinska?
Nuk është akuzë kjo që po e them, por, pse mos ta themi, është një bagazh i përhimtë ky emër dhe nuk e di se si krenohen njerëzit e kësaj lagjeje me emrin Cetinska që e mban kjo rrugë me peshë të veçantë për Tetovën. Natyrisht ka edhe emra të tjerë diskutabilë të rrugëve të Tetovës, por ata po i lë. Besoj se një ditë do të merren me to këshilltarët e Tetovës.

Ndalemi e qëndrojmë vetëm te “Cetinska”. Ajo flet vet si emër i historisë sonë të hidhur. Brenda saj gëlon fyerja dhe tallja me banorët e lagjes dhe të mbarë qytetit. Vallë a s’e ka dëgjuar askush sa keq ushton. Në mos e pastë dëgjuar, besoj se tash do ta dëgjojnë të gjithë gjëmën e fjalëve të këtij teksti, i cili nuk kërkon shumë. Vetëm propozon t’i hiqet popullit tonë nga lagjja kjo barrë simbolike të cilën e kanë vënë në të kaluarën komuniste me qëllim. Jo që s’e kanë ditur se çfarë është Cetina. E kanë ditur mirë, prandaj edhe e kanë pagëzuar kështu. E kanë pagëzuar që ta kemi të qartë se nuk jemi tonët në dheun tonë. Dhe, na kanë thënë me vete: e bajshit me shnet!

Gjithmonë, ama gjithmonë dikush ka ditur që të na e lërë sherrin në oborr. Gjithmonë na kanë testuar, duke i gjetur kohët e vështira dhe jo normale. Ne jemi marrë dy a tri ditë me atë sherr, jemi marrë ndoshta edhe një muaj dhe sherrin ia kemi dorëzuar harresës. Brenda aytre ditëve apo muajve sa jemi marrë ne me sherrin, ata (të jemi të qartë: kur e përmend përemrin ata, nuk e kam qëllimin ta rëndoj ose ta fajësoj ndonjë popull, por me këtë përemër i përfshij institucionet dhe individët të cilët e kanë pasur pushtetin  dhe që kanë vendosur të na e shtojnë barrën e fatkeqësisë) kanë kurdisur dhe kanë realizuar projekte të tjera, projekte që nuk na bëjnë nder neve, por na nxijnë.

Kjo që po e them nuk është lehtë të thuhet, sepse fjala qëllimmirë te ne merret për së prapthi. Sepse fjala qëllimmirë prek ndonjë interes. Dhe, del keqkuptimi në shesh. Menjëherë të thonë: nuk është me ne! Akuzë është kjo: nuk është me ne!  Qëllimit të mirë që e ke dhe fjalës së sinqertë që e thua i veshin pancir dhe e cilësojnë si ushtar të “atyre”, pra të opozitës. Pra diçka si përcaktim armiqësor, siç e konsiderojmë ne po ta themi një fjalë që s’na shkon për huji. Dhe, kjo fjalë të kthehet si shkëmb mbi shpatulla, që duhet ta mbash  .

Unë mendoj se pozitat e opozitat vijnë e shkojnë. Ne mbetemi ata që kemi qenë e që do të jemi. Megjithatë, izolimin e kanë në dorë ata. Pozita dhe opozita. Dhe, atë po e ushtrojnë jo vetëm mbi mua dhe mbi ty, vetëm për shkak se e thua të vërtetën. Si tash që e them e që pyes: pse Cetinska. Pse mos t’i japim një emër që nuk ka në vete ngarkesa emocionale, të cilat do ta preknin sedrën e dikujt. Pse mos ta quajmë, bie fjala Rruga e Zambakëve. Ose  Rruga Shtëpitë me Lule, ose Nëna Shqiptare ose çfarë do tjetër. Le ta gjejnë një emër të mirë për këtë rrugë të mirë. Po jo Cetinska. A është propozim i keq, a?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button