Fillojnë regjistrimet në universitetet shtetërore

Paraqitja për regjistrim në vitin e parë të studimeve universitare për vitin 2016/2017 në tre universitetet shtetërore (Manastir, Shtip dhe Ohër) fillon sot, në Tetovë nesër dhe në Shkup të enjten.

Gjithsej 24.356 vende të lira, nga të cilat 13.536 për studentë të rregullt në kuotë shtetërore, 7,327 vende për studentë me bashkëfinancim dhe 3.493 vende të lira për studentë me korrespondencë.

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës ka 4.600 vende të lira, nga të cilat 1.335 për studentë të rregullt në kuotë shtetërore, 2.600 për kuotë të studentëve të rregullt me bashkëfinancim dhe 665 për studentë me korrespondencë. Afati i parë i regjistrimit është nga 16 deri më 19 gusht, ndërsa afati i dytë është nga 30 gusht deri më 2 shtator.

Më së shumti vende të lira (10.535) ka në universitetin më të vjetër dhe më të madh “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup. Prej tyre, 6.606 janë për studentë të rregullt në kuotë shtetërore, 2.819 për kuotë të studentëve të rregullt me bashkëfinancim dhe 1.110 për studentë me korrespondencë.

Si edhe në vitet e fundit, kompensimi për studentët e rregullt është 200 euro gjegjësisht 100 euro për programe të disperzuara studentore, ndërsa shuma për studentë me bashkëfinancim lëviz prej 100 deri në 400 euro.

Paraqitja e kandidatëve në afatin e parë të regjistrimit në USHCM është më 18 dhe 19 gusht. Afati i dytë i regjistrimit është më 5 shtator, ndërsa në fakultetet në të cilat do të mbesin vende të lira do të ketë edhe afat të tretë më 15 shtator, kur edhe fillon viti i ri akademik.

Në universitet në Manastir dhe Shtip paraqitja në afatin e parë është më 15, 16 dhe 17 gusht, ndërsa në Ohër më 15 dhe 16 gusht.

Në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir ka 3.543 vende të lira, nga të cilat 2.040 për studentë të rregullt në kuotë shtetërore, 790 për kuotë të studentëve të rregullt me bashkëfinancim dhe 713 për studentë me korrespondencë. Afati i dytë për paraqitje në këtë universitet është më 1 dhe 2 shtator, ndërsa i treti më 14 shtator.

Në Universitetin “Goce Delçev” në Shtip ka 5.238 vende të lira, nga të cilat 3.335 për studentë të rregullt në kuotë shtetërore, 1.008 për kuotë të studentëve të rregullt me bashkëfinancim dhe 895 për studentë me korrespondencë.

Pas tre ditëve për regjistrim në afatin e parë (15-17 gusht) afati i dytë në Universitetin e Shtipit është më 25 dhe 26 gusht, ndërsa afati i tretë më 5 dhe 6 shtator.

Në Universitetin për shkenca dhe teknologji informatike “Shën Pali” në Ohër, 440 vende janë të lira, nga të cilat 220 për studentë të rregullt në kuotë shtetërore, 110 për kuotë të studentëve të rregullt me bashkëfinancim dhe 110 për studentë me korrespondencë. Afati i dytë i regjistrimit është më 1 shtator, ndërsa afati i tertë është më 14 shtator.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës informoi se gjatë krijimit të konkurseve për institucionet e larta arsimore janë marrë parasysh të dhënat nga analizat për ofertën dhe konsumin e tregut të punës, si dhe projeksionet për profesionet e ardhshme të kërkuara.

“Edhe këtë vit është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje drejtimeve teknike, veçanërisht të inxhinierisë, ndërtimtarisë, prodhimtarisë, si dhe shkencave natyrore dhe matematikës”, tha zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Spiro Ristovski në qershor në shpalljen e konkursit për regjistrimin e vitit të parë të studimeve në vitin akademik 2016/2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button