Analizë: Përmbarim i detyrueshëm – për dhjetë vite përmbaruesit kanë arkëtuar 830 milionë euro!

Nga viti 2010 është rritur pothuajse dhjetë herë numri i qytetarëve me llogari të bllokuara, në të njëjtën periudhë ka rritje drastike edhe numri i xhiro llogarive të bllokuara. Qytetarët po përballen me pagesa të detyrueshme kryesisht për borxhe ndaj bankave, ndërmarrjeve komunale, kompanive të telekomunikacionit dhe atyre energjetike, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Pagesë e detyrueshme e borxheve nga qytetarët…

„Pa kurrfarë informimi ose paralajmërimi, krejt rastësisht gjatë kontrollimit të gjendjes së llogarisë pashë se më kanoset bllokim i llogarisë për shkak të një borxhi të papaguar ndaj një banke komerciale. Menjëherë u drejtova tek institucionet kompetente që disponojnë me të dhëna për borxhet e personave fizikë dhe mora informatë se para më shumë se dhjetë vitesh kam mbetur debitor në bazë të një kartele kreditore. Në ndërkohë, pa qenë e informuar janë kalkuluar kamata dhe tani, që të evitoj pagesë të detyrueshme, borxhin, për të cilin aspak nuk isha e informuar se ekziston, do ta paguaj më këste, me kamatë” – na tregon një сhkupjane 56 vjeçare e cila këtyre ditëve u ballafaqua me rrezik për bllokimin e llogarisë së saj, pa pasur në ndërkohë qasje ose informatë për atë

Sipas të dhënave të fundit në dispozicion nga Banka Popullore, përfundimisht me muajin mars nën bllokim kanë qenë 77039 qytetarë me gjithsej 180766 xhiro llogari. Të dhënat tregojnë se në vitet e kaluara është rritur dramatikisht numri i xhiro llogarive të bllokuara të qytetarëve për shtatë herë, ose para shtatë vitesh në vendin tonë ka pasur 25520 llogari të bllokuara, ndërsa në mars të këtij viti ky numër është rritur për 155246 llogari të reja të bllokuara. Rritje ka edhe tek numri i qytetarëve që janë me llogari të bllokuara. Gjegjësisht, në vitin 2010, nën bllokadë kanë qenë 7866 qytetarë, ndërsa tani 77035, që është thuajse dhjetë herë më shumë. Nga Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë, në raportet e tyre theksojnë se qytetarët në shumicën e rasteve janë të paditur, gjegjësisht ka urdhëresë për arkëtim të detyrueshëm nga ana e bankave, kompanive të telekomunikacionit dhe ndërmarrjeve komunale. Nga viti 2006 deri në fund të vitit 2015, përmbaruesit kanë pranuar 895035 kërkesa për përmbarim dhe në këtë numër përfshihen të gjitha lëndët, edhe nga persona fizik dhe nga ato juridik. Në periudhën e njëjtë dhjetë vjeçare të analizuar janë arkëtuar me detyrim më shumë se 830 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

Valën më të re të pagesës së detyrueshme tani e lajmëron kompania energjetike „Balkan Energy Group” e cila gjatë vitit të kaluar ka parashtruar 10165 padi kundër amvisërive për fatura të papaguara për ngrohje qendrore.

„Është karakteristike të theksohet se periudha kohore e paditjes së konsumatorëve është zvogëluar dhe në pajtim me politikën biznesore të kompanisë, paditja është sjellë në tre deri në katër muaj nga fatura e fundit e papaguar për ngrohje. Praktika e paditjes së konsumatorëve që janë vonuar me tre fatura të papaguara kishte për qëllim të disiplinojë konsumatorët dhe e njëjta u tregua si e suksesshme.” – shënohet në raportin e kompanisë.

Para kësaj vale të pagesave të detyrueshme, qytetarët gjatë muajit qershor u ballafaquan edhe me bllokim të xhiro llogarive në bazë të taksës radiodifuzive, përcjellë Portalb.mk.

„U bëjmë thirrje qytetarëve që kanë borxhe të vonuara për Taksën Radiodifuzive të kryejnë pagesën e këtij obligimi publik në afat sa më të shkurtër, sepse Drejtoria për të Ardhurat Publike do të fillojë me aktivitete dhe procedura për pagesë të detyrueshme. Me qëllim që debitorët të mos i nënshtrohen bllokimit të llogarive dhe shpenzimeve plotësuese, rekomandojmë që me kohë të kontrollojnë se a kanë borxhe të mbetura, gjegjësisht të njëjtat t’i paguajnë vullnetarisht” – informojnë nga DAP-i para valës së bllokimeve për shkak të borxheve në bazë të TRD-së.

Nga ana tjetër, Radio Televizioni i Maqedonisë, i cili nëpërmjet të DAP-it në mënyrë të detyrueshme i arkëton kërkesat, figuron në „listën e zezë” si debitor ndaj shtetit, për shkak të së cilës para disa muajsh edhe vetë RTM u ballafaqua me llogari të bllokuar.

Debitorë edhe ndërmarrjet publike, ndërmarrjet shtetërore, komunat…

Përderisa shteti mundohet nëpërmjet pagesave të detyrueshme t’i arkëtojë kërkesat e veta nga qytetarët dhe ndërmarrjet, ai edhe vetë paraqitet si debitor nëpërmjet ndërmarrjeve publike dhe shtetërore. Kështu në listën e debitorëve të gushtit, midis debitorëve të tjerë paraqiten edhe firma që janë nën pronësi shtetërore, si ndërmarrje publike dhe komuna.

Midis debitorëve janë firma shtetërore „11 Tetori – Eurokompozit SHA Prilep”, me borxh të papaguar për TVSH, tatim fitimi dhe kontribute për pagat në vlerë të përgjithshme prej 1,4 milionë euro. Si debitor ndaj shtetit është edhe Radio Televizioni i Maqedonisë NP Shkup me borxh prej 1,5 milionë euro ndërsa në listë është edhe „Radiodifuzioni i Maqedonisë” me obligime të arritura të papaguara prej rreth gjysmë milionë euro. Detyrime të arritura të papaguara ka edhe „Pyjet e Maqedonisë”, firmë shtetërore që në „listën e zezë” figuron me borxh prej rreth 3,2 milionë eurosh. Borxhe në vlerë prej 6,9 milionë euro ka „Makedonija pat”. Debitor është edhe Ndërmarrja Publike Komunale e Tetovës -Tetovë me detyrime të arritura të papaguara në vlerë prej rreth 1,8 milionë eurosh.  Detyrohen edhe Ujësjellësi dhe Kanalizimi N.P. Makedonski Brod, Ndërmarrja Publike Komunale Probishtip, Ndërmarrja Publike Komunale Dellçevë dhe si debitorë ndaj shtetit janë edhe Opera dhe Baleti i Maqedonisë dhe Kanal 5 SHPKP Shkup. Në listën e fundit të publikuar të debitorëve ka 4494 debitorë nga sektori privat, publik dhe shtetëror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button