MO, flet zv/kryeministri Halili: Shumë punë kanë mundur të jenë edhe më mirë se kaq

Marrëveshja e Ohrit sot shënon 15 vjet nga nënshkrimi i saj. Marrëveshja u nënshkrua për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe për t’i vënë themelet e një shteti multietnik. Dokumenti do të duhej të ishte itinerar i proceseve demokratike në vend. Por, 15 vite pas, gjërat nuk kanë shkuar ashtu si duhet.

Ja disa nga problematikat që si shqetësim i ngre vet Analiza e dalur nga Marrëveshja e Ohrit. “Edhe përskaj arritjeve në lidhje me përfaqësimin e drejt. Të gjitha bashkësitë jo-shumicë, duke përfshirë edhe bashkësinë etnike shqiptare, mbeten të nën-përfaqsuara. Kompetencat për gjuhët jo-shumicë ende nuk janë vlerësuar në procesin e punësimit. Një numër i konsiderueshëm i të punësuarve nga bashkësitë jo-shumicë ende nuk janë integruar në institucione. Pastaj, decentralizimi fiskal mbetet kritik. Dallimet në zhvillimin dhe shpërndarjen e granteve dhe burimeve të tjera që kanë të bëjnë me vendbanimet e banuara nga komunitete të ndryshme, mund të kenë ndikim negativ për kohezion social”.

Për të folur për ecurinë e Marrëveshjes, sfidat dhe hapat që duhen ndërmarrë për ta vitalizuar Marrëveshjen, redaksia e lajmeve Portalb.mk ka kontaktuar me numrin një të Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, zv/kryeministrin Festim Halili, i cili në këtë pozicion është 4 muaj.

Halili për Portalb.mk ka pranuar se do të mund të bëhej edhe më shumë së sa është bërë brenda 15 viteve, por ai kujton se ishte Marrëveshje që i dha fund një konflikti dhe ndryshoi Maqedoninë. Halili zotohet se shumë punë do të bëhen për sa kohë të ekzistojë kjo Kushtetutë dhe ky organizim i sotëm.

  1. Sa mendoni se ka qenë efikase në përmirësimin e jetës së qytetarëve Marrëveshja e Ohrit?

Para 15 viteve Maqedonia hyri në një moment historik i cili atëkohë u ndje dhe u vlerësuar si tragjik për shkak të dëmeve dhe pasojave që le një luftë e armatosur, por që në plan afatgjatë solli shumë dobi për gjithë qytetarët dhe vetë shtetin tonë. Marrëveshja e cila i dha fund një konflikti të armatosur ishte fillimi i një shtetëformësie të re të Maqedonisë dhe marrëdhënieve mes popujve në këtë vend, që deri atëherë shiheshin me shumë pak besim te ndërsjellë.

Ky dokument tanimë është vetë Kushtetuta dhe shpirti i këtij shteti, sepse kjo marrëveshje është shndërruar në një shtyllë kryesore të organizimit shoqëror dhe institucional të këtij vendi. Marrëveshja Kornizë e Ohrit do të zgjerohet plotësisht ashtu edhe atëherë kur do ta kërkojë nevoja, kur do ta kërkojnë rrethanat e reja politike dhe së fundmi kur do të kërkojnë vetë qytetarët e këtij vendi. Marrëveshja e Ohrit është bërë një kujdestar i paqes në Maqedoni.

Shumë punë janë bërë që nga dita e miratimit të ndryshimeve kushtetuese ku në këtë fazë Marrëveshja e Ohrit tërësisht është integruar në Kushtetutë. Por në implementimin e ligjeve dhe respektimin e parimeve të kësaj marrëveshje janë bërë edhe më shumë, ndërsa edhe shumë punë do të bëhen për sa kohë të ekzistojë kjo Kushtetutë dhe ky organizim i sotëm. Marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar në një shkallë shumë më të lartë sec ishin 15 vite më parë, por kjo temë asnjëherë nuk mbyllet dhe gjithmonë do të trajtohet dhe kultivohet në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Pozita juridiko kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoni është në një pozicion krejt ndryshe nga ai i para vitit 2001, por Marrëveshja e Ohrit dhe tanimë Kushtetuta e Ohrit në vazhdimësi do të jenë për të siguruar rruajtjen dhe avancimin e kësaj pozite sipas nevojave të kohës dhe situatës.

Të jemi realist, shumë punë kanë mundur të jenë edhe më mirë se kaq, shumë çështje kanë mundur të trajtohen më ndryshe, por mosbesimi i ngritur për dekada më herët ishte vështirë për tu ndryshuar në vetëm 15 vite dhe droja nga kjo marrëveshje nxiti tek elita politike maqedonase një mekanizëm rezistence dhe refuzimi ndaj risive dhe organizimit të ri shoqërorë dhe shtetëror që promovon Marrëveshja e Ohrit. Ka pasur dhe raste inatesh politike, ka pasur dhe situata të mosrespektimit të kësaj marrëveshje, ka akoma institucione që refuzojnë te zbatojnë parimet e përdorimit të gjuhëve dhe përfaqësimit adekuat, por ajo që është me rëndësi se tanimë qytetarët e këtij vendi veçanërisht shqiptarët për çdo ditë në çdo takim me shtetin ndjejnë ndryshimin. Gjuha shqipe është zyrtare nga institucioni më i lartë ligjvënës e deri te sportelet, aty ku i duhet qytetarit të rëndomtë. Përfaqësimi adekuat është në një rrugë të mbarë dhe me kohë, me një ngritje dhe avancim të kuadrove të nevojshme, me krijimin e hapësirave të reja shqiptarët dhe komunitetet e tjera do të zënë vendin dhe pozitat që ua garanton Kushtetuta e re. Ajo që është më e rëndësishme se vetë ligjet dhe që ne duhet ta ruajmë për një të ardhme më të mirë është vetë shpirti i Marrëveshjes së Ohrit.

  1. A e pranoni edhe ju vet se ka shumë konstatime dhe rekomandime në Analizën që e ka nxjerrë SIOFA, se përgjatë 15 viteve prej kur është nënshkruar marrëveshja, institucionet kane dështuar në aplikimin e së njëjtës?

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ka vonesa të cilët janë paraqitur për zbatimin e ndonjërës nga shtyllat që burojnë nga MO-ja. Ne si Sekretariat jemi të hapur për të diskutuar edhe ato çështje se si në të ardhmen të fokusohemi në zbatimin më me sukses të asaj që kemi obligim nga MO-ja. Ne në analizën e realizuar në bashkëpunim me Institutin Evropian për paqe, OSBE-në, ekspertë, OJQ dhe analistë ndërkombëtarë punuam intensivisht për të fokusuar pikërisht ato hapësira diskutabile që duhen trajtuar në mënyrë profesionale dhe zgjidhur në mënyrën e duhur për ta jetësuar plotësisht Marrëveshjen. Kohë më parë e publikuam analizën për opinionin e gjerë dhe të njëjtën e kemi dërguar në të gjitha ambasadat relevante. Pikat të cilat i kemi nën vëzhgim kontinuel janë çështja e përfaqësimit adekuat proporcional në institucionet ku ky proporcionalitet nuk është përmbushur sipas normave ligjore, Rritjen e investimeve kapitale veçmas në Maqedoninë Perëndimore, Karakterin multikulturorë-etnik të vendit, decentralizimin fiskal, përdorimin e gjuhëve, si dhe të drejtat e pakicave ndër 20%. Këto janë disa shtylla të rëndësishme, që duhen zbatuar të gjitha institucionet qendrore dhe lokale për të përmbushur obligimet që dalin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

  1. Nëse institucionet kompetente që adresohen në Analizë nuk e kanë respektuar marrëveshjen përgjatë 15 viteve, çka garanton se nga sot e tutje mund ta bëjnë të njëjtën, nëse deri më sot nuk kane dhënë përgjegjësi?

Pikat e Marrëveshjes së Ohrit janë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Përderisa këto pika janë kategori kushtetuese domosdoshmërish duhet të jetësohen sepse në të kundërtën ne do të kërkojmë llogari me bazë kushtetuese që drejtpërdrejtë të jepet përgjegjësi për mos respektimin dhe shkeljen e aktit më të lartë juridik. Mekanizmat në dispozicion na mundësojnë neve si Sekretariat që të kërkojmë llogari për respektimin e plotë të MO-së si një ndër dokumentet jetike për funksionim adekuat të shtetit.

  1. A ka masa konkrete Sekretariati për këtë gjë-kërkimin e përgjegjësisë institucionale?

SIMKO do të ndjek me kujdes të madhe të gjitha institucionet të cilat janë të obligueshme që të zbatojnë MO-në dhe këtë e bëjmë dhe do ta bëjmë në kontiunitet. Ne vazhdojmë me punën tonë me intensitet të shtuar për të targetuar të gjithë ato subjekte që nuk respektojnë direktivat e MKO-së dhe për të intervenuar drejtpërdrejtë me mekanizma ligjorë që e njëjta të jetë si një kërkim përgjegjësie institucionale madje dhe krijimin e një perde të hekurt sa i përket tendencave për mosrespektimin e Marrëveshjes. Masat konkrete vijnë në shprehje atëherë kur dështojnë edhe rrugët diplomatike e intelektuale për tejkalimin e ngërçeve të caktuara .

  1. A është paraqitur para kabinetit qeveritar Analiza, kur pritet …?

Analizën të cilën e kemi përgatitur në bashkëpunim me Institutin evropian për paqe e kemi publikuar dhe të gjithë mund ta shohin. Ky dokument është në procedurë qeveritare dhe së shpejti do të miratohet nga ana e qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Prioritet i jonë është transparenca dhe përgjegjësia shtylla këto që ne i kemi bazament i punës dhe rrugës tonë të përbashkët. Analiza në vete përmban një konglomerat të zgjeruar dhe shumë të saktë me të dhëna empirike e shkencore që pasqyron funksionimin e  MKO-së. Me kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi po punojmë intensivisht që kjo çështje një herë e mirë të zgjidhet siç duhet  që këto barriera dhe sfida që na servohen të kanalizohen nëpërmjet rrugës institucionale dhe demokratike . Qëndroj konsistentë dhe me bindje se puna e palodhshme dhe vullneti për një të ardhme të sigurt do vendoset një herë e përgjithmonë. Për shkak të realiteti faktik politik dhe rrethanave nuk mund të potencoj dhe precizoj datë të caktuar, por ju siguroj që në një të ardhme të afërt ajo do jetë evidente./PORTALB

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button