Komisioni për Punë të Jashtme miraton projektligjin për “Demarkacionin”

Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës sot pas një debati të ashpër, me 6 vota pro, është miratuar projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Përkundër këtij vendimi, mbledhja u ndërpre për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës nga radhët e opozitës, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë debatit deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku, u shpreh se ky projektligj është dërguar në Kuvend nga Qeveria edhe pse kishte kundërshtime të shumta, duke shtuar se ai duhet të kthehet përsëri në Qeveri. Demaku u shpreh se ka arsye të forta për kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje, ku më shumë se 200 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin kundër saj, dhe se gjithashtu tryeza e diskutimit të 3 gushtit ka qenë fakt për këtë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, u shpreh projektligji për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi është në kundërshtim me të gjitha ligjet e Kosovës. Ai shtoi se në qoftë se ratifikohet kjo marrëveshje, mund të krijohet edhe konflikti mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërkohë, Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën u shpreh se kjo marrëveshje nuk duhet të kalojë nga Kuvendi i Kosovës. Duke vënë theksin te tryeza e 3 gushtit, Berisha u shpreh se rekomandimet e kësaj tryeze kanë bërë të ditur se nuk duhet nxitim për të mos bërë gabime, dhe se kjo marrëveshje nuk duhet të procedohet për seancë plenare.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu u shpreh se miratimi i marrëveshjes për “Demarkacionin” është i dëmshëm. Duke konsideruar se me këtë marrëveshje shteti i Kosovës nuk do të forcohet, por në të kundërtën do të falë territor Malit të Zi, Haxhiu u shpreh se janë një sërë argumentesh që ky projektligj nuk duhet të përkrahet.

Haxhiu gjithashtu theksoi qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk do të ndalet me kundërshtimin e saj.

Ndërkohë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, u shpreh se “Demarkacioni” ka hyrë në një fazë delikate, e cila po shoqërohet me protesta nga ana e opozitës. Ai theksoi se pala e Malit të Zi ka kryer punën e saj, kurse ajo kosovare është ende në fillim.

Kurse Ismet Beqiri, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shpreh se duhet ulur për të biseduar dhe se projektligji për “Demarkacionin” me baza ligjore duhet të shkojë për votim në seancë.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme ku shqyrtohej projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, është ndërprerë për shkak të gazit lotsjellës, i cili është hedhur prej njërit nga deputetët e opozitës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button