Katastrofat mbytën 20.000 njerëz

Gjatë vitit 2013 në shkallë globale janë shkaktuar më pak vdekje dhe më pak dëme materiale se zakonisht, sipas një raporti të sigurueses më të madhe në botë, Munich Re.

Katastrofat natyrore, si përmbytjet dhe stuhitë, kanë marrë më shumë se 20.000 jetë njerëzish dhe kanë shkaktuar dëme prej rreth 125 miliardë dollarë në mbarë botën në vitin 2013, dukshëm nën mesataren e dekadës së kaluar, ka njoftuar kompania e sigurimeve Munich Re.
Siguruesja më e madhe në botë ka thënë se supertajfuni Hajan, i cili ka goditur Filipinet, Kinën dhe Vietnamin në nëntor të 2013-s, ka qenë mbase stuhia më e fuqishme tropikale që ka goditur tokën dhe ndodhia më vdekjeprurëse natyrore e vitit të kaluar, ka bërë të ditur Reuters, të martën.

Stuhia ka mbytur mbi 6.000 njerëz dhe ka theksuar nevojën për një planifikim më të mirë për të mbrojtur njerëzit në vendet në zhvillim, ka thënë Munich Re në raportin e saj të përvitshëm për katastrofat natyrore. Në anën tjetër, planifikimi dhe përgatitjet kanë ndihmuar për kufizimin e ndikimit të stuhive dimërore në Evropë gjatë fundit të vitit që lamë pas. “Humbjet kanë mbetur relativisht të ulëta”, ka thënë Torsten Jeworrek, përgjegjës për sigurime në bordin e Munich Re.

Stuhitë në Evropën qendrore në maj dhe qershor kanë kryesuar listën e dëmeve ekonomike në vitin 2013 me më shumë se 15 miliardë dollarë, teksa industria e sigurimeve i është përgjigjur kërkesave për kompensim prej 3 miliardë dollarë. Ngjarja më e kushtueshme për siguruesit vitin e kaluar ka qenë një varg stuhish që e kanë goditur jugun e Gjermanisë në korrik, duke dëmtuar mijëra vetura dhe ndërtesa, dhe duke nxitur kërkesa për kompensim prej 3.7 miliardë dollarë.

Edhe shifra e dëmeve globale ekonomike nga katastrofat natyrore prej 125 miliardë dollarë, edhe shifra e kompensimeve të realizuara me vlerë prej 31 miliardë dollarë, kanë qenë nën mesataren e 10 viteve të kaluara prej 184 miliardë, përkatësisht 56 miliardë dollarë, ka thënë Munich Re.

Edhe numri i vdekjeve nga katastrofat natyrore në mbarë botën ka qenë gjithashtu nën mesataren prej 106.000 të regjistruar gjatë 10 vjetëve të kaluar. Industria e sigurimeve ia ka parë hairin numrit më të vogël të uraganeve në rajonin e Atlantikun Verior që nga viti 1982, teksa asnjë stuhi me fuqi të uraganit nuk ka goditur territorin tokësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button