Protestojnë gjakovarët, tërhiqet leja e vizitës së Vulinit

Qindra qytetarë të Gjakovës janë mbledhur afër objektit të Kishës ortodokse serbe në Gjakovë për të kundërshtuar ardhjen e  paralajmëruar të ministrit të Serbisë pa portofol për Kosovën, Aleksandër Vulin. Aty janë grumbulluar edhe forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. 

Në protestë kanë dalë edhe nënat që kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë luftës së fundit, por janë parë edhe pjesëtarë të partive  lokale politike,  si nga lëvizja “Vetëvendosje” ashtu edhe nga PDK-ja.

Qytetarët, edhe një herë i ka garantuar kryetarja, Mimoza Kusari-Lila, se vizita e ministrit Vulin është anuluar.

“E kuptoj edhe shqetësimin dhe ngarkesën tuaj me rastin e paralajmërimit të ardhjes së Vulinit, por pas insistimit tonë, atij i është tërhequr leja për ta vizituar Gjakovën, kështu që në Kishën ortodokse do të jenë vetëm pelegrinët, që vijnë si zakonisht”, tha Kusari-Lila.

Sipas saj, vizita e ministrit serb ka qenë e paralajmëruar  për orën 15:00 dhe e veçuar nga vizita e pelegrinëve.

”Tash, sipas informatave të fundit që kam, leja  për vizitë Gjakovës i është tërhequr Vulinit. Pra, i është ndaluar vizita në Gjakovë”, tha Kusari Lila për Koha.net.

Lajme të ngjashme

Back to top button