Lëvizja BESA: Futbolli shqiptar në Evropë, pushteti shqiptar deri në Gjorçe Petrov

Lëvizja BESA, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e palakueshme, në të cilën, mbrëmë pas mbarimit të ndeshjes fudbollistike mes KF Shkëndija dhe Boleslav, në rrugën “Gjorçe Petrov” të Shkupit, persona të panjohur me mjete të forta kanë gjuajtur drejt katër veturave, në pronësi të tre tetovarëve dhe një gostivarasi, njofton Portalb.

“Mbrëmë, kur Shkëndija e Tetovës shënoi fitore të rëndësishme në xhiron e tretë të kualifikimeve për “Eropa League”, në vend që kjo të jetë festë e gjithmbarshme e sportdashësve, pas saj përsëri u shpërfaq albanofobia. Edhe kësaj here nuk u lejua që tifozët e Shkëndisë t’i gëzohen fitores dhe të festojnë për ekipin e tyre të zemrës. Duke u kthyer në Tetovë, ata u sulmuan në mënyrë barbare nga huliganët maqedonas”, reagojnë nga Lëvizja BESA.

Sipas tyre, në këtë mënyrë edhe një herë u dëshmua se shqiptarët janë jetimë në vendin e tyre, janë të pambrojtur dhe të papërfaqësuar.

“Nuk mjafton, madje, as prezenca e ministrave dhe funksionarëve të BDI-së në tribunat e stadiumit, që tifozët shqiptarë të jenë të sigurt gjatë ardhjes, qëndrimit dhe kthimit, njësoj siç nuk mjafton as prezenca e BDI-së në Qeveri për të qenë shqiptarët të mbrojtur dhe të përfaqësuar”, shtojnë nga Lëvizja BESA, duke shtuar se “huliganët maqedonas” i sulmojnë shqiptarët e pafajshëm, sepse ndjehen të sigurt se ata nuk do të kapen, madje edhe nëse kapen, Lëvizja BESA konsideron se do të marrin dënime simbolike ose vërejtje të zakonshme për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Përmes vendimeve skandaloze të gjykatësve të politizuar, duke u dhënë shqiptarëve dënime drakonike kurse maqedonasve dënime simbolike, ky pushtet nxit huliganizëm te maqedonasit dhe frikë dhe pasiguri te qytetarët shqiptarë. Lëvizja BESA konstaton se shpëtimi i vetëm nga kjo torturë dhe terror i përditshëm është largimi i kësaj qeverisje, e cila është nënë për maqedonasit dhe njerkë për shqiptarët”, përfundojnë nga Lëvizja BESA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button