SHPIRTSHITURIT

Njeriu e ka për detyrë të jetë i lirë, nuk guxon të jetë rob, sepse është i detyruar të jetë njeri, thoshte filozofi Bergjaev. Por, “zotrat” nuk i durojnë njerëzit e lirë, se i tuten zënies rob prej tyre. Ata i dënojnë rreptë Prometenjtë e padëgjueshëm, ndaj ndërsejnë coftin­grënësit t’ua brrejnë mëlçinë.

Pra, për coftingrënësit e kemi fjalën, për këta qenie paqelizore, që mbase mund të jetojnë pa bukë, pa ujë, pa ajër, po jo dhe pa tutorë dresues…, sepse janë shpirtshitur.

Shpirtshiturit janë prej xhelatine të përpunueshme. Ata janë kërmij, pakurrizorë, skraja të regjenerueshme, kandra kafkiane, levantinë konicianë, malukat i tjetërsueshëm pa grimcë dinjiteti. Ata janë gjynaha.

Për shpirtin e shitur nuk ka gjë më të frikshme se liria. Ai merr frymë me mushkëritë e padronit, qesh e qanë kur qesh ai dhe bëhet i gjallë vetëm kur shtypet susta.

Shpirti i shitur thirr babë vetëm ata që ia asoshin … klandestinçe, sepse janë specie të çuditshme, që nuk e njohin kategorinë turp. Ata janë sui generis.

Shpirtshiturit nuk kanë identitet të kapshëm, të dukshëm, të qartë. Ata nuk kanë Atdhe, gjuhë hyjnore Nëne, kod identitar, simbole etnike, shenjtëri të qëndrueshme… Prandaj nuk i respekton kush, hiq budallenjtë e kësaj bote. Në veçanti nuk i respekton skllavopronari.

Në situata të caktuara, kur u noton mirë kungulli mbi ujë, ata tebdilosen në kuçedra, në persekutorë, në monstra…, po palca e ashtit të tyre poroz është ngjizje prej frike, tmerri e lemerie. Ata janë tutsa të lindur, malukat i denjë vetëm për mëshirim. Natyrisht, shumësia e metamorfozave të tyre nuk e pakëson dëmin që arrijnë t’ua bëjnë atyre që kllumen me shekuj në të njëjtën hurdhë septike.

Shpirtshiturit janë batakçi të pabesë. Janë mikrobt e këqi të Shqypnis, rriqna t’ndyt që fashitin vullkanet e saj,  gjeldeca që kqyrin punët e hueja, sepse i kanë zët shenjat dalluese që ua fali Zoti, si gjithë të tjerëve.

Shpirtshiturit kutërbojnë keq, kanë zukamë shurdhonjëse dhe të sikletshme, po nuk janë aq sa thonë dhe sa kanë dëshirë të jenë, sado që në zamane të mbarsura me kriza ekzistenciale, mentale, morale, shpirtërore… shumohen si minjë gjirizesh, rriten si shtogu në …

Tipari çelës i tyre është ndërrimi i papandehur i fytyrës. Janë Judë që u vënë brirë lopësh të painformuarve, hafije që vrasin kubarisht pas shpine për honorare anësore.

Kur bën acar ata metamorfozohen në mjegullnajë dhe nuk janë aty. Humbasin si shurrë pule dhe nuk u ndihet krrokama. Heshtin si peshq për t’u zgjuar papritshëm kur jep krye pranvera e lirisë së lumnueshme. Atëherë ringjallen dhe rrënojnë mesnatave Urën e detit, Rozafatin, shpresën e një dite të ikur nga terri, të meremetuar me shekuj nga breza fatosësh e prometejësh që u bënë theror për ne.

Shpirtshiturit nuk kanë takat për të pastruar plevicat personale, po kjo nuk i pengon të mprehin shpatat për beteja të mëdha prej të cilave, thua ti, varet shpëtimi i gjithësisë. Ata paguhen për të urrejtur të vetin dhe për të respektuar të huajin. Ata janë masha.

Megjithatë, soji i tyre, pjella e dreqit, koqja me qelb e Konicës… ka më shumë se një thembër Akili që e tradhëton lehtësisht. Vini re! Ata jetojnë pa shpenzuar kokrën e djersës dhe pa u thënë kush: Puna e mbarë! Ata stolisin surratet me simbole etnie, po kanë për idhuj ekselencat që fyejnë barbarisht pikërisht ato emblema të shenjta. Ata shtirren humanë, njerëzorë, kosmopolitë, demokratë… vetëm për të rivendosur me komoditet diktatura luciferësh, varrmihësish që kanë për cak qivurin tim, tëndin, tonin…

K U J D E S !

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Disa me ‘shenjteri’ fituan epersi – me dinakeri e mitologji shnderruan njeriun ne hyjni.
    Qe ne sot te arrijme barazi duhet ta kthejme mbrapsht ne njeri.

    Edhe Jul Qesari i semure hiqej Zot, mirepo perplasej ne tok.’

    Kush eshte ai ose ajo qe shpallet ‘mbinjeri,’ kur jetojme ne shoqeri.

    A s’na takon e njejta pasuri nga Zoti trashegimi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button