Hillari pranon nominimin, konventa demokrate mbyllet me më pak incidente

Me kthesë nga e majta drejt qendrës mbyllet konventa demokrate e cila nominon Hillari Klintonin për presidente të parë femër të SHBA-ve

Konventa tejkalon përçarjet. Pas fillimit të bujshëm të konventës demokrate në dy ditët e para, me protesta dhe probleme të shpeshta nga ana e përkrahësve të Sandersit, dy ditët e ardhshme të konventës kanë kaluar me më pak probleme. Konventa ngadalë u zhvendos nga mesazhi i pajtimit me Sandersin drejtë zgjedhjeve të përgjithshme, duke vënë në qendër të vëmendjes Hillari Klintonin. Dita e tretë ka dhënë një seri folësish të shkëlqyeshëm duke përfshirë presidentin aktual Obama, ndërsa në ditën e katërt është paraqitur vetë Klinton dhe ka pranuar nominimin historik, si femra e parë kandidate për president e njërës parti të madhe amerikane. Por dy ditët e fundit nuk kanë kaluar pa probleme, megjithëse kanë qenë më pak në numër dhe intenzitet. Ja folësit dhe mesazhet kryesore të tyre.

Fjalimet te merkuren anti-Tramp: Ditën e tretë të konventës kanë folur një seri yjesh të partisë demokrate, ndërsa tema qendrore ka qenë të sulmohet dhe nxihet figura e Trampit. Ai është sulmuar nga folës të ndryshëm në aspekte të ndryshme.

Leon Paneta, ish-drejtor i CIA dhe ish-ministër i mbrojtjes së SHBA ka sulmuar Trampin nga aspekti i sigurisë nacionale, duke e paraqitur si jostabil dhe të papërgatitur për të qenë Komandant Suprem i ushtrisë amerikane. Megjithatë fjalimi i tij nuk është pritur mirë në mënyrë unanime; një pjesë e delegatëve të Sandersit kanë fishkëlluar dhe kanë skanduar “Jo më luftë”.

Xho Bajden, nënkryetari aktual ka sulmuar Trampin në mënyrë efektive, duke thënë se ai “s’ka lidhje” me asgjë. Sulmi i tij ishte sidomos efektiv ngase Bajden, si mashkull i bardhë i moshuar, demografikisht i njëjtë me Trampin, ju flet direkt shtresës së mesme të bardhë, mu asaj që po përkrah hë për hë Trampin.

Majkl Blumberg, miliarderi i njohur dhe ish-kryebashkiak i Nju Jorkut, i cili përndryshe është apartiak, ka sulmuar Trampin nga aspekti i biznesit. Blumberg e ka akuzuar atë si mashtrues.

Tim Kejn, kandidati demokrat për nënkryetar ka ndejtur më larg Trampit në fjalimin e tij, por në një moment nuk ka mundur të rezistojë pa e përqeshur. Dëshmia e tij poashtu është e rëndësishme si një tjetër mashkull i bardhë që do të tentojë të marrë votat e këtij grupi nga Trampi.

Barak Obama, presidenti aktual është fokusuar më tepër te aftësitë profesionale, por edhe virtytet njerëzore të Klintonit, të cilën e njeh nga afër edhe si mike, edhe si armike. Obama ka ngritur lartë aftësitë e saj, duke thënë se ajo është kandidati më i përgatitur në histori për t’u bërë presidente, madje më tepër se vetë Obama apo Bill Klintoni. Por edhe Obama nuk ka ndejtur pa sulmuar Trampin. Në një moment ai tha se Amerika përherë do të fitojë armiqtë e saj si “fashistët, komunistët, islamistët radikalë apo demagogët vendorë”, një referencë e dukshme për Trampin. Me këtë Obama ka bërë përjashtim nga tradita. Përndryshe presidentët aktualë asnjëherë nuk flasin për kundërkandidatin, sidomos në terma të këtilla.

Protestat për Nina Tërner. Në ndërkohë jashtë sallës së konventës kanë vazhduar protestat e Sanderistëve në ditën e tretë. Shkas i këtyre protestave tani ishte figura e Nina Tërner. Senatorja nga Ohajo ka qenë njëra ndër mbështetësit më të flaktë të Sandersit dhe ka qenë në plan që ajo të mbajë fjalimin ku kandidon Sandersin për president. Por në konventë ajo ishte përjashtuar nga lista e folësve. Kjo ka qenë e mjaftueshme që sanderistët të organizojnë protesta, të cilave ju janë bashkangjitur aktorë të njohur të Holivudit si Suzan Sarandon, Deni Glover e të tjerë. Protesta ka kaluar pa incidente. Paralelisht kanë protestuar anëtarët e organizatës zezake “Jeta e të zinjëve vlen” (“Black Lives Matter”).

Dita e katërt – kthimi kah qendra. Një taktikë e kampit Klinton si duket është që të tërheqë në anën e saj një numër republikanësh të moderuar që nuk mund t’a paramendojnë Trampin si president. Për të bërë këtë mesazhi i kampanjës dhe konventës duhej të kthehej kah qendra, larg qëndrimeve ekstrem të majta që predikon Sandersi. Kështu nëse dy ditët e para të konventës partia në njëfarë mënyre ia bëri qejfin krahut të Sandersit, në ditën e fundit u rikthye fuqishëm kah qendra.

Ndër folësit e ditës së fundit u gjendën disa të pavarur, madje dhe disa republikanë, si psh portparolli i dikurshëm i Reganit. Mesazhi centrist posaçërisht ka vënë theksin te politika e jashtme, në tentim për të afruar skifterët e partisë republikane. Madje vetë Klinton në fjalimin e saj ka lavdëruar republikanin e njohur dhe kundërshtarin e dikurshëm të Obamës, Xhon Mekejn, si antitezë e qëndrimeve të Trampit për ushtrinë dhe politikën e jashtme republikane.

Kthimi kah qendra ishte aq i madh saqë një komentues republikan ka thënë se fundi i konventës i ngjau më tepër konventës republikane së 2004.

Fjalimi i Khizri Khan. Ndër folësit që ka lënë përshtypje më të madhe ditën e fundit ka qenë Khizri Khan, baba i një ushtari amerikan mysliman të vrarë në Irak. Ai ka akuzuar Trampin për qëndrimet e tij ndaj myslimanëve, duke marrë si shembull sakrificën e birit të tij. Ndër të tjera ai tha se për dallim nga biri i tij dhe shumë myslimanë tjerë Tramp nuk ka sakrifikuar asgjë për Amerikën. Madje pyeti publikisht Trampin nëse ka lexuar kushtetutën dhe nëse jo mund t’ia japë kopjen e tij.

Klinton pranon formalisht nominimin. Në fund të konventës në skenë është ngjitur Hillari Klinton dhe ka pranuar edhe formalisht nominimin për presidente. Në fjalimin e saj ajo ka përmbledhur mesazhin me të cilin do të garojë në zgjedhjet e përgjithshme. Ajo ka konsoliduar mesazhin demokrat për të përfshirë elementet që i nxorri në shesh Sandersi, por njëkohësisht ka moderuar mesazhin për të ftuar republikanët e pakënaqur që t’i bashkangjiten asaj. Fjalimi i saj ishte miks i argumenteve pse ajo duhet të zgjidhet presidente dhe paralelisht pse Tramp është i rrezikshëm.

Me këtë formalisht përfundojnë garat brendapartiake për nominim dhe fillon fushata e përgjithshme që duhet të kulminojë në nëntor. Atëherë përfundimisht do dihet kush do të jetë presidenti i 45 i SHBA-ve: Tramp ose Klinton.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button