Kerry: Shumë detyra me Rusinë për Sirinë janë kryer me sukses

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka thënë se shpreson se në fillim të muajit gusht do të mund t’i shpallë detajet e planit të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunim më të afërt ushtarak dhe këmbimit të inteligjencës me Rusinë lidhur me Sirinë.

Këto komente ai i bëri sot, pas takimit me ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në Laos, në një konferencë të vendeve të Azisë Juglindore.

Në propozim parashihet, pos tjerash, që Uashingtoni dhe Moska të këmbejnë informacione të inteligjencës dhe t’i koordinojnë sulmet ajrore kundër grupit, al-Nusra Front, që është i ndërlidhur me al-Kaidën, dhe moslejimi i sulmeve ajrore siriane kundër grupeve të moderuara kryengritëse.

Në këtë aspekt, zoti Kerry ka theksuar se rusët “ndjejnë se ata ishin të pakënaqur lidhur me disa nga obligimet që supozohej të bëheshin sa i përketë al-Nusrës” dhe ka folur për “detyrat e shtëpisë”, siç është shprehur ai:

“Tash, janë kryer shumë detyra të shtëpisë gjatë pak ditëve të fundit dhe mund të them se janë kryer me sukses. Prandaj sot ministri i jashtëm Lavrov dhe unë biseduam për pjesën e ardhshme të detyrave shtëpiake, që duhet të kompletohen para se ne do të jemi të përgatitur për të bërë deklaratë publike”, tha John Kerry, në një konferencë për gazetarë, pas takimit me zotin Lavrov.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm rus, pas takimit, ka thënë se “partnerët amerikanë kanë dështuar që ta ndajnë opozitën nga strukturat terroriste”.

“Partnerët tanë amerikanë na kanë siguruar prej fillimit të vitit se ata do të jenë në gjendje ta ndajnë opozitën siriane, me të cilën ata bashkëpunojnë, nga strukturat terroriste. Deri tash ata kanë dështuar ta bëjnë këtë. Marrëveshja që ne e arritëm në Moskë, më 15 korrik, nëse do të implementohet, e ne shpresojmë se po, do të siguroj ndarje të opozitës normale nga terroristët e ISIL-it dhe Jabhat al-Nusra. Sot sekretari John Kerry dhe unë biseduam se çka duhet të bëhet që kjo marrëveshje të filloj të funksionoj në terren”, tha Sergei Lavrov.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka paralajmëruar se do të ketë takime të ekipeve teknike për qartësimin e disa dyshimeve të shprehura nga të dy palët.

“Ne të dy jemi të përkushtuar për një varg të takimeve të qeta që do të bëhen jo ndërmjet meje dhe atij, por ekipet e nivelit teknik për të punuar për detajet, me qëllim që të jemi të sigurt se dyshimet e caktuara të shprehura nga sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, nga kryesuesi i Shtatmadhorissë së ushtrisë amerikane, gjeneral Joseph Dunford, apo për dyshimet e shprehura nga presidenti rus, Vladimir Putin, apo të tjerët, do të shqyrtohen”, tha John Kerry.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, ka thënë se politikat e Rusisë deri tash e kanë zgjatur luftën civile pesëvjeçarenë Siri, duke e forcuar presidentin e këtij vendi, Bashar al-Assad, derisa ai po lufton kundër kryengritësve opozitarë në qytetin verior, Alepo, dhe në rajonet e tjera.

Më herët këtë muaj në Moskë, zoti Kerry ka mbajtur bisedime maratonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe ministrin e jashtëm, Sergei Lavrov, duke e arritur një marrëveshje për “hapa konkretë” për shpëtimin e armëpushimit të dështuar dhe për bashkëpunim në luftimin kundër grupeve ekstremiste në Siri.

Ministri Lavrov pas takimit me sekretarin Kerry, është angazhuar për bisedime paqësore për Sirinë.

“Ne duhet të thërrasim bisedime paqësore të bazuara në parimet e mbështetura në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të thotë pjesëmarrje e plotë e qeverisë së Sirisë dhe e të gjitha grupeve opozitare pa përjashtim. Deri tash i dërguari i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, me një mandat të tillë të qartë për të, ka dështuar t’i sjellë të gjithë ata që duhet të marrin vendime në tryezën e bisedimeve për të ardhmen e Sirisë”, tha Sergei Lavrov. /REL

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button