Fillim i stuhishëm i konventës demokrate; fishkëllehet emri i Klintonit

Partia demokrate papritur është goditur nga Uikiliks dhe ka hyrë në konventë shumë më e përçarë dhe trazuar se ç‘pritej

Në pikëpyetje uniteti partiak. Qëllimi kryesor i konventës demokrate, njëlloj si i asaj republikane, ishte uniteti i partisë pas zgjedhjeve të lodhshme brendapartiake. Në konventë partia duhej të përqafonte përfundimisht në gjirin e saj përkrahësit e Sandersit, të cilët nuk kanë pranuar mirë humbjen e kandidatit të tyre. Gjatë gjithë kampanjës ata patën akuzuar Komitetin Demokrat se mban anën e Klintonit dhe se zgjedhjet u janë vjedhur.

Pakënaqësinë e sanderistëve e kanë shtuar tej mase 20.000 e-mailat e Komitetit Demokrat të cilat i ka zbuluar para disa ditëve Uikiliks. Sipas sanderistëve emailat ishin dëshmia më e mirë e asaj që kishin thënë gjatë gjithë kohës, gjegjësisht se Sandersit i janë vjedhur zgjedhjet. Shumë shpejtë revolta sanderiste ka marrë formë konkrete, me thirrje për të mos votuar me asnjë kusht Klintonit. Njëlloj si revolta NeverTrump te republikanët, në vigjilje të konventës së tyre demokratët u desh të përballen me një revoltë NeverClinton.

Dorëhiqet kryetarja e Komitetit Demokrat. Fajtori kryesor në sytë e përkrahësve të Sandersit ishte kryetarja e Komitetit Demokrat, Debi Uaserman Shulc. Mu për këtë ajo është fishkëlluar në takim pas takimi para fillimit të konventës, madje edhe nga delegacioni amë i saj i shtetit të Floridës. Duke parë antagonizmin që shkakton prezenca e saj, pa rrugëdalje tjetër, Debi Uaserman Shulc ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetares së Komitetit Demokrat. Shulc poashtu duhej të hapte dhe mbyllte konventën; edhe këto u anuluan. Mirëpo acarimin e sanderistëve nuk e ka ndihmuar aspak fakti që posa ka dhënë dorëheqje nga posti, Shulc është kyçur formalisht në fushatën e Klintonit.

Fishkëllehet emri i Klintonit. Në takim pas takimi në ditën e konventës target i rebelëve sanderistë ka qenë edhe vetë Klintoni. Përveç Floridës së Debi Uaserman Shulcit, çdo përmendje e emrit të Klintonit është pritur me fishkëllima edhe në takimet e delegacioneve të shumë shteteve tjera. Gjatë gjithë ditës kampanjat e Sandersit dhe Klintonit kanë punuar nën hije për të qetësuar gjakrat, mirëpo sanderistët kanë treguar se në çështjen Klinton nuk dëgjojnë as vetë Sandersin. Ai është dashur të paraqitet në person para një pjese të simpatizantëve të vet, por edhe vetë është fishkëllyer sapo ka kërkuar që të votohet Klintoni.

Trazira në rrugë. Revolta nuk ka përfshirë vetëm delegatët e Sandersit në konventë. Ajo është shpërndarë edhe në rrugë, ku qindra simpatizantë të Sandersit kanë protestuar kundër Klintonit dhe Komitetit Demokrat. Gjithkund ka patur banera me tekste si “Uikiliks”, “E-mailat” e të tjera. Për atë se sa larg ka shkuar antagonizmi kundër Klintonit flet fakti se protestuesit kanë përvetësuar sloganet e republikanëve si “Mbylleni në qeli” dhe “Hillari për burg”.

Një seri folësish qetësojnë konventën. Me gjithë trazirat para konventës, vetë konventa ka shkuar më qetë. Meritë të madhe gjithsesi kanë patur një seri folësish të shkëlqyeshëm. Posaçërisht kanë lënë mbresa fjalimet e Mishel Obamës dhe senatores Elizabet Uoren në ditën e parë dhe fjalimi i mbrëmshëm i ish-presidentit dhe bashkëshortit Bill Klinton ditën e martë. Por sytë e opinionit më së tepërmi kanë qenë të drejtuar kah Berni Sanders i cili ka folur të hënën në mbrëmje.

Sanders nuk është Ted Kruz. Momenti më i veçantë i konventës republikane ka qenë fjalimi i Ted Kruzit dhe refuzimi i tij për të mbështetur Trampin nga podiumi i konventës. Pas përçarjeve dhe aferave te demokratët ka ekzistuar frika se të njëjtën gjë mund të bëjë Sandersi në konventën demokrate. Mirëpo në fjalimin e tij në ditën e parë të konventës Sandersi ka mbështetur plotësisht Klintonin dhe ka bërë thirrje që ajo të votohet në zgjedhjet e përgjithshme. Me këtë për momentin është evituar ndonjë përçarje më e madhe në rradhët demokrate.

Hillari fiton nominimin, shkruan historinë. Të martën në mbrëmje delegatët kanë votuar formalisht për kandidatin e tyre për president. Siç dihej konventa ka votuar që në zgjedhjet e përgjithshme të kandidojë Hillari Klintonin për presidente të SHBA-ve. Me këtë viti 2016 shënon një moment historik; pas 250 viteve si shtet, për herë të parë një parti amerikane kandidon një femër për kryetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Delegatë të Sandersit lëshojnë sallën. Një pjesë e delegatëve të Sandersit nuk janë pajtuar me fatin deri në fund. Pas nominimit të Klintonit, madje pas mbështetjes së madhe që i dha asaj vetë Sandersi, një dyzinë delegatësh të tij kanë lëshuar sallën në shenjë proteste. Ata janë nisur drejt hapësirës ku kanë qenë të vendosura mediat dhe kanë qëndruar aty disa orë. Protesta e tyre ka kaluar pa ndonëj incident.

Dy ditët e ardhshme. Në konventë sot është dita e administratës së tanishme, pasi me fjalime duhet të drejtohen presidenti aktual Obama dhe nënkryetari Bajden. Të nesërmen folës kyç do të jetë Çelsi Klinton, ndërsa konventa do të përfundojë të enjten në mbrëmje kur Klinton do të mbajë fjalimin përfundimtar dhe do të pranojë formalisht nominimin.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button