“PËRTEJ…”

“Përtej” do të thotë të jesh larg zhurmës dhe euforisë së gjithanshme e të kudondodhur.

“Përtej” do të thotë të kesh virtyt dhurimi, krahas virtytit të pranimit.

“Përtej” do të thotë të torturohesh prej mendimit të përgjithshëm, të uniformizuar.

“Përtej” do të thotë të mjaftohesh me vetminë, të punosh i vetëm dhe vetëm i vetëm.

“Përtej” do të thotë të jesh larg shoqatave të brendshme e të jashtme.

“Përtej” do të thotë të mos merresh me deklarata kontaminuesish të gjuhës.

“Përtej” do të thotë të mos mahnitesh nga gjuha e refreneve.

“Përtej” do të thotë të mos magjepsesh nga deklarata “faktorësh” apo “autoritetesh”.

“Përtej” do të thotë të mos udhëhiqesh nga mendimet e gatshme.

“Përtej” do të thotë të mos ndjesh me ndjenja të gatshme.

“Përtej” do të thotë të mos i komentosh ngjarjet ditore, por t’u japësh kuptime universale.

“Përtej” do të thotë të dyshosh në “ardhmërinë e ndritur”.

“Përtej” do të thotë të mos u besosh atyre që thotë se nuk kemi nevojë për frymën dhe mendimin e paraardhësve.

“Përtej” do të thotë të mos i xhelozosh politikanet. Ti je ëndërrimtar.

“Përtej” do të thotë të mos besosh se kombin duhet ta udhëheqin vetëm princat.

“Përtej” do të thotë të besosh se kombin e shpëtojnë ata që e kanë formësuar dhe ata janë ëndërrimtarët.

“Përtej” do të thotë ta dish se asgjë nuk është si duket.

“Përtej” do të thotë ta dish se thëniet më të bukura janë thëniet që s’janë thënë; se mendimet më të thella janë thënë prej të krisurve.

“Përtej” do të thotë të lodhesh prej “thënieve të urta”, gatuar prej brumit të banalitetit. I mjerë është ai që pandeh se do të bëhet i urtë e i mençur duke lexuar vetëm thënie të urta.

“Përtej” do të thotë të kesh çmendi produktive e krijuese.

“Përtej” do të thotë që fenomenet e kohës tënde, t’i shikosh me syrin e përvojës së kohërave dhe të hedhësh shikimin drejt kohës që nuk ka ardhur.

“Përtej” do të thotë  të mos kërkosh përherë mundësinë t’i ikësh të vërtetës dhe ta shpëtosh lëkurën.

“Përtej”  do të thotë të mos heshtësh para marrëzisë, robërisë, mashtrimit, hajnisë dhe të bëhesh mashtrimi vetë.

“Përtej” do të thotë ta luftosh të keqen brenda vetes dhe të injorosh qyqarët që duan të na bindin se e keqja vjen vetëm nga armiqtë.

“Përtej” do të thotë të kesh guxim të përballesh me të ligun e sojit tënd.

“Përtej” do të thotë të besosh në fuqinë e ëndërrimtarëve.

“Përtej” do të thotë të kesh hero ata që punojnë për të mirën e përbashkët, që nuk i kanë si modele të fortët pa tru.

“Përtej” do të thotë të besosh në reformën shpirtërore, që s’e sjellin të dhunshmit, qeniet inferiore,”faktorët”e kohës sonë. Liria për të cilën flasin ata ka pamje demoniake. Është liri arbitrare, që nuk të duhet. Asi lirie nuk mungon edhe në kushte terrori.

“Përtej” do të thotë të besosh dhe të ngulmosh për lirinë krijuese, humane e pendestare.

“Përtej” do të thotë të besosh në atë që tha S. Mill se gjeniu mund të marrë frymë lirshëm vetëm në atmosferë lirie dhe se ai është më individualist se sa njerëzit e tjerë, më i paaftë që t’u përshtatet kallëpeve të krijuara nga shoqëria.

“Përtej”do të thotë të jesh në qendrën e gjithçkaje…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button