Turk si të jesh!

Shkaku kryesor i entuziazmit për Erdoanin në mesin e të rinjve shqiptarë nuk është as fetar, as shoqëror, por politik. Politikëbërja jofunksionale e elitave tona politike si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, çon në radikalizmin edhe më të madh të të rinjve tanë, sepse ata e shohin veten të lënë pasdore, pa asnjë shpresë për një jetë më të mirë. Nëse vazhdon ky trend për 50 vjet gjysma e shqiptarëve do të bëhen arabë dhe turq, kurse gjysma tjetër europianë e amerikanë.

Si fëmijë, sa herë që nusja e mixhës shfaqte një kërkesë miqësore ndaj ndonjërit prej nesh në familje, na drejtohej me shprehjen: «Turk si të jesh, bëje këtë apo atë…!» Ç’ne kjo me këtë shprehje, mendoja unë me vete si fëmijë 7-8 vjeçar, kur ne jemi shqiptarë dhe turqit kishin kohë që kishin ikur nga ky vend. Për më tepër, çuditesha se ajo ishte e vetmja në familje, që përdorte këtë shprehje kaq të pakapshme për trurin tim, edhe pse ishte një grua fisnike, e cila i kultivonte me përpikëri të gjitha doket dhe zakonet tona të lashta shqiptare. Mixha, si gjithmonë, më përgjigjej duke qeshur me sarkazëm: «Mos i vë veshin xhaxhit, është me katër vjet shkollë dhe i ka mbetur qysh si fëmijë kjo shprehje, sepse është rritur në një ambient të izoluar dhe as që ka parë turq me sy dhe as nuk di ku bie Turqia». Megjithatë, unë isha kureshtar ta dija gjenezën e vërtetë të kësaj shprehjeje të saj, dhe pasi kisha hyrë në moshë më madhore, një ditë e pyeta atë, se përse vazhdimisht e përsëriste këtë shprehje pa pasur asnjë lidhje me turqit dhe Turqinë. Ajo, si pa sherr që ishte, filloi të më rrëfente se diku në vitet ’60 mbarë familja e saj ishte nisur për në Turqi, por vetëm një pjesë ia kishte dalë të shpërngulej, kurse pjesa tjetër kishte mbetur këtu, ngaqë kishte ndodhur hataja dhe në momentin e fundit kishte dështuar shpërngulja e të gjithë anëtarëve të familjes dhe pastaj atë e kishin martuar në moshë fare të re. Në sytë e saj vërehej qartë dëshira e papërmbushur e një ëndrre imagjinare, sepse Turqinë asaj ia kishin përshkruar si «një parajsë në tokë, ku gjithçka ishte e përkryer, madje edhe ushqimin ta lëshonin nga lart përmes një tubi dhe nuk kishe nevojë as të punoje
për të mbijetuar». Nusja e mixhës ishte personi i fundit në familje, që jetoi me nostalgjinë për Turqinë, sepse
prishja e marrëveshjes së Jugosllavisë me Turqinë për shpërnguljen masive të shqiptarëve për në Turqi, ndikoi dukshëm edhe në ndryshimin e perspektivës dhe njëmendësisë sonë kolektive ndaj turqve si popull.

Jugosllavia nuk ishte shtet dosido, sidomos në mbjelljen dhe përdorimin e propagandës shtetërore përmes teksteve shkollore dhe televizionit shtetëror, duke i paraqitur turqit nëpër libra dhe filma si pushtues barbarë, saqë ky shtet – në njëmendësinë e gjeneratës sime dhe të gjeneratave të mëvonshme – me të shpejtë imponoi një version të urryer për turqit dhe Turqinë. Edhe pse të shtypur skajshmërisht nga aparati shtetëror jugosllav, shqiptarët nuk
e ndienin aspak veten si turq, për më tepër, shumica prej tyre u kalbën burgjeve të Jugosllavisë dhe vdiqën për kauzën tonë kombëtare. Çlirimi i Kosovës dhe faktorizimi i shqiptarëve pas luftës së vitit 2001 në Maqedoni, e ngritën edhe më shumë vetëdijen kombëtare, saqë edhe në qytetin e Prizrenit dhe Tetovës, ku turqishtja ishte gjuhë e komunikimit të përditshëm në qarqet e zejtarëve dhe tregtarëve, u zëvendësua me shqipen.

Megjithatë sot, pas një dekade e gjysmë lirie, kur ndjenja kombëtare duhej të ishte më e fuqishme se kurrë, po vërehet një dehegjemonizim i skajshëm dhe një prirje turkofile, sidomos ndër të rinjtë tanë. Kurrë nuk ma kishte marrë mendje ndonjëherë, se ata ishin në numër kaq të madh, po të mos ndodhte grushti i shtetit para pak ditësh në Turqi. Nëntëdhjetë për qind e miqve të mi të Facebook-ut, nga rreth 5000 miq që kam, sa hap e mbyll sytë, filluan të postonin shënime në mbështetje të qeverisë turke, të nxirrnin në profilin e tyre flamurin me gjysmëhënën turke dhe foton e «babait» të tyre, Erdoanit, kurse pjesa tjetër e miqve, më kot mundoheshin ta luftonin këtë vërshim të tërbuar, duke postuar famurin tonë kuqezi, imazhin e Skënderbeut apo fragmente nga librat e historisë, të cilat na mësojnë dhe vetëdijesojnë për dhunimet dhe masakrat otomane ndaj popullsisë shqiptare të trevave tona. Debati, sharjet, kërcënimet, shantazhet ende po vazhdojnë për një subjekt, që fare nuk i përket as njërit dhe as tjetrit tabor dhe, kështu si po zhvillohen ngjarjet, fatkeqësisht, nuk dihet epilogu i tyre. Ajo që më ka brengosur mua gjatë këtyre ditëve, nuk ka të bëjë fare me prirjen erdoaniste të atyre të rinjve tanë, që kam menduar se janë pjesa më vitale e kombit, sepse, fundja, secili ka të drejtë t’i shprehë ndjenjat sipas bindjeve personale, por jam munduar të gjej shkaqet e kësaj kthese kaq radikale shoqërore. Dhe jam thellësisht i bindur se shkaku kryesor nuk është as fetar, as shoqëror, siç mëtojnë ta sqarojnë disa analistë dhe ekspertë, por, para së gjithash, politik.

Politikëbërja jofunksionale e elitave tona politike si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, çon në radikalizmin edhe më të madh të të rinjve tanë, sepse ata e shohin veten të lënë pasdore, pa asnjë shpresë për një jetë më të mirë. Erdoanizmi i theksuar në mesin e tyre mund të jetë imagjinar, me prirje të shpëlarjes së trurit, por ai gjithsesi se është shprehje e një revolte kolektive rinore që, për elitat tona politike dhe për të gjithë ne, duhet të shërbejë si një mësim i së ardhmes. Shumë intelektualë, analistë dhe politikanë tanë sot gabojnë, kur erdoanizmin e
karakterizojnë si një doktrinë fetare, që prek nervin e masës. Asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket elementit fetar nga gjeneratat e mëparshme, të cilat kanë qenë po aq të devotshme, në mos edhe më shumë, nga gjeneratat e tanishme, sepse atëbotë ata nuk ishin të prekur kaq shumë nga komercializmi dhe interesi personal, por çonin një jetë mondane. Dhe në një botë komerciale, në të cilën konsumi vjen në rend të parë, vështirë se mund të itet për besim dhe patriotizëm të vërtetë.

Erdoani nuk e ka fituar mbështetjen e masës shkaku i shfrytëzimit dhe promovimit të elementit fetar, por shkaku i nxitjes së ekonomisë, avancimit të sistemit arsimor, shëndetësor, forcimin e aparatit shtetëror, i cili dhe mund edhe të jetë diktatorial, por pa ndonjë rezonim të madh për rrethanat tona. Një gjë e dimë fare mirë të gjithë, se masat e gjera popullore duan siguri, punë, mirëqenie, jo fjalë boshe dhe demagogji. Elitat tona politike kanë ngecur në moçalin e tyre, të ndërtuar me përkushtim përgjatë viteve në liri, por që këtë moçal ata pahiri e kanë parë si oazën e tyre dhe janë munduar edhe karshi popullit ta projektojnë si të tillë, kurse të gjithë ne, të prirë nga egoizmi dhe përfitimi personal, jemi shtirur me vetëdije të plotë nëse moçali vërtet është një oazë dhe, në këtë mënyrë, kemikontribuuar në amortizimin politik dhe në dëmtimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë. Nga ana tjetër, opinioni publik dhe ai mediatik, të cilët duhet të jenë balancuesit kryesorë të shoqërisë, janë thuajse inekzistentë, ose për pak interes personal pleksen në vorbullën e politikës ditore dhe në këtë mënyrë, ne si shoqëri nuk ia dalim dot të ndërtojmë një sistem vlerash për të qenë dhe të përvijojmë një platformë të besueshme për një ardhmëri më të sigurt. Rinia jonë jeton me shpresën e vazhdueshme se një ditë do të ikë nga ky vend «i mallkuar» dhe do ta gjejë shpëtimin diku në Europë a Amerikë dhe kjo gjë duhet të na mërzisë neve të gjithëve, si
prindër, intelektualë e politikanë.

Dëshiroj shumë të gaboj në parashikimet e mia, megjithatë, nëse vazhdon ky trend negativ politik dhe shoqëror, ku gjithsecili prej nesh e bart një pjesë të fajit, jo vetëm politika, siç jemi mësuar të pohojmë vazhdimisht, druaj se për pesëdhjetë vjetët e ardhshme popullit shqiptar do t’i kanoset asimilimi total, gjysma do të bëhen arabë dhe turq, kurse gjysma tjetër europianë e amerikanë. Qeveria shqiptare gjithsesi se duhet të luajë rolin e saj vendimtar, që me autoritetin e vet të ushtrojë trysni të gjithëmbarshme në Kosovë dhe Maqedoni, për krijimin e programeve të mirëfillta afatgjate politike e shoqërore, në të kundërtën ne si popull nuk do të mund t’i rezistojmë kohës dhe të jemi në hap me trendet e lëvizjeve globale. Njëherë e përgjithmonë duhet të mësohemi të vetëreflektojmë dhe për çdo dështim, fillimisht gishtin ta drejtojmë nga vetja dhe jo të kërkojmë shpëtim në ato forca të huaja, që për ne historikisht kanë rezultuar si të dëmshme.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Pikerisht ashtu profesor. Keni te drejt. Elita politike e jona e ka kalbur ne palc shoqerine tone ne cdo vend, sidomos ne Univerzitete ku pikerisht ju me ane te ketyre politikaneve keni zen vendin e njerzive qe meritojn postin qe ju e mbani bashk me bosin tuaj qe e keni per momentin. Pra jo vetem politikanet i kan fajat por secili qe ju vjen mire te jet me pushtetin bart pergjegjesin e shkatrimit te shoqerise. Shoqeri qe do ti bart pasojat gjenaratat e reja, femijet tane, tuajt, tanet. Ndoshta ti je mire tash, dhe femijet tuaj kan prespektiv tash, por asgje nuk zgjat pergjithmon, vecanerisht personave qe jan ne poste ku nuk e meritojn. Zoti jua falt gabimet pjesmarseve qe kontribojn ne shkatrimin e shoqerise, se populli asnjeher nuk fal. Cdo gje shkruhet dhe nje dit del ne shesh. Jeni te gatshem per ATA dit qe do te vin?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button