FORCIMI I POPULLIZMIT NACIONALIST

Në këtë botë ku shpenzohen shumë para e shumë energji për ta afirmuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut gjithnjë e më shumë po forcohet popullizmi nacionalist dhe po ngrihen diktaturat e reja të cilat dinë t’i lidhin turmat e veta pas vozhdëve, kalifëve dhe “udhëheqësve të dashur e legjendarë”. Fushatat nëntokësore të popullizmit nacionalist japin oferta epike, bëjnë ngrehina të larta resh të cilat duhet ta paraqesin një të kaluar të lavdishme, por të paqenë. Për popollin e uritur dhe të varfëruar nuk flasin, ngase turri popullist nuk e do realitetin në të cilin jetojmë. Ai do heronj të cilët kanë një çizme që nxë një hambar me drithë, të cilët me një të goditur të shpatës e ndajnë përgjysmë shkëmbin më të fortë, të cilët nuk i rrok plumbi.

Popullizmit nacionalist dhe fushatave të diktatorëve nuk u mjafton ta ushqejnë popullin vetëm “me të kaluarën e lavdishme”, por paturpësisht e keqpërdorin edhe fenë duke u ofruar luftëtarëve “gjithë të mirat” në botën e përtejme, duke filluar nga vendi më i bukur në parajasë, por edhe me dhjeta bukuroshe të cilat i presin të gjorët pasi ta marrin plumbin në ballë. Disa klerikë të krishterë trumpetojnë vazhdimisht se krishterimi është i rrezikuar nga “të pafetë”, më së shpeshti duke aluduar te rreziku nga mylimanët. Kështu futen në baltën e politikës të vetëdijshëm se s’u intereson aq shumë usha e perëndisë. Nuk mbeten prapa as njëra palë religjioze të cilat punojnë si propagandistë të krerëve popullistë. Ata i ftojnë turmat që të rrinë gaditu për të goditur “armikun”, i cili “paraqet rrezik” për fenë “e vërtetë”.

Aktualisht klerikët ortodoksë të Ballkanit jugor dhe perëndimor vazhdimisht punojnë dhe shkruajnë për “rrezikun” që vjen nga “shqiptarët myslimanë” për “fenë e vërtetë”. E dinë ata mirë se shqiptarët janë popull me besim mysliman, ortodoks edhe katolik, e dinë ata se meritat e klerit ortodoks e katolik shqiptar janë kolosale për formimin e kombit shqiptar, për shpëtimin e gjuhës shqipe dhe për themelimin e Shqipërisë, e dinë ata se kultura jonë është pjesë e pandashme e kulturës evropiane, por ata e dinë, po ashtu se mesazhet e tyre plot helm u dërgohen turmave dhe se këto mesazhe në të vërtetë janë apele për kryqëzata për zhbërjen e shqiptarëve. Aq u bën atyre për ortodoksinë. Ata janë në shërbim të ashtuquajturës kauzë pansllavise dhe pangreke. Janë pjesë e maqinerisë të popullizmit nacionalist. Dhe, këta klerik, shërbëtorë të popullizmit nacionalist janë shumë të suksesshëm. Kështu në Shqipëri është futur kisha greke, si pjesë e pandashme e shtetit grek, e cila e ka uzurpuar kishën autoqefale shqiptare dhe me të me plan po asimilohet një pjesë e rëndësishme e popullit shqiptar, po goditet tmerrësisht gjuha dhe trashëgimia shqiptare dhe në fakt kleri popullist nacionalist e antishqiptar është bërë pjesë e shtetit shqiptar. Ngjashëm, në mos qoftë edhe më keq qëndrojnë punët edhe në Kosovë, ku Plani i Ahtisarit e ka plagosur rëndë qenien kombëtare shqiptare duke i grabitur kisha e manastire bizantine e duke ia dhënë Kishës serbe edhe prona e duke krijuar plot oaza me eksterritorialitet, pra me territor serb brenda Kosovës. Aq u bën edhe klerikëve myslimanë për popullin e rrezikuar shqiptar të mbetur në rrethimin e hekurt të shteteve ortodokse. Këta klerikë myslimanë që kanë hequr dorë nga tradita fetare e këtushme i ftojnë njerëzit që të martohen me kushërirat e tyre të para, sepse “feja e lejuaka”, këta klerikë u kanë shpallur luftë emrave shqip, kështu që brezi i tashëm i fëmijëve është plot e përplot me erdogana, me emira, me amara, me elmedina, abdylmutalipa e kështu me radhë.

Në shërbim të popullizmit nacionalist tash është edhe arsimi i këtushëm i cili punon me programe antishqiptare. Nëpër librat shkollorë pacipësisht fyhen shqiptarët si popull barbar, si popull i cili ka uzurpuar fshatrat e qytetet e huaja. Dhe, vetëm në një atmosferë të këtillë populliste e nacionaliste ndodh që ta kesh ministrin shqiptar e ai mos ta ndryshojë asnjë shkronjë nga këto fyerje që në fakt janë zyrtare, vetëm në këtë atmosferë nacionaliste populliste ndodh që anëtarët e partisë të cilët mbajnë poste të larta shtetërore në kohë të drekës të marrin nga një copë qilimi e të renditen në xhemat ta falin namazin, anise në të vërtetë janë agnostikë e ateistë, anise nuk jetojnë nga djersa e mundi i tyre, vetëm në atmosfera nacionaliste populliste klerikët e të gjitha feve e kanë si detyrë të dorës së dytë punën e tyre për t’i shërbyer zotit, kurse puna e parë e tyre bëhet përzierja në punë të shtetit ku angazhohen ta turbullojnë rrjedhën e paqes dhe të zhvillimit duke u shërbyer disa partive që nacionalizmin popullist e kanë mënyrë veprimi.

Popullizmi është tepër tendencioz edhe ndaj intelektualëve, veçanërisht ndaj atyre që mundohen t’i ruajnë vlerat e njëmendta kombëtare dhe gjuhën shqipe në mënyrë që të përcillen këto vlera për brezat që vijnë, ashtu siç i kanë ruajtur të parët tonë për ne. Prandaj partitë shqiptare në tërë hapësirën etnike shqiptare me amatorizmin politik i shërbejnë nacionalizmit të huaj popullist dhe mendjelehtësisht bëjnë përpjekje që të gjithë krijuesit letrarë shqiptarë, të gjithët krijuesit në fushë të muzikës, të pikturës, skulpturës e të arteve të tjera t’i shpallin si të papërshtatshëm, prandaj shumica e punëtorëve të kulturës dhe shumica e arsimtarëve e çojnë jetën të heshtur e kryeulur. Ata kanë mbetur në labirintin e Kafkës.

Në shërbim të popullizmit janë edhe dis  a të ashtuquajtur opinionistë të Tiranës të cilët vazhdimisht mohojnë çdo gjë shqiptare e shkojnë në shkajshmëri të turpshme duke quajtur edhe Nënën Tereze vllahe, Skënderbeun me orgjine serbe dhe sulltanët osmanë si çlirimtarë të popullit shqiptar, kurse diktatorët e huaj i mbajnë për zemre.

Popullizmi e urren ligjin dhe demokracinë. Demokracia është forma e vetme e cila e mbron dinjitetin e individit dhe vetëm në demokraci mund të realizohen të drejtat e njeriut, të drejtat kulturore, gjuhësore. Vetëm demokracia e siguron lirinë. Pranadaj ajo pengohet me veprime nacionaliste populliste.

Popullizmi është një formë demagogjike e kryqëzatave ose e “lirisë që na e kanë dhuruar sulltanët”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button