Klauzola “bie”, Higuain kushton më pak se Ronaldo

Janë ditë të nxehta kudo, në gjithë Italinë, përveçse në Torino dhe Napoli, aty ku prej një jave kanë nisur ethet, ato të merkatos. Gonzalo Higuain është qendra e rëndesës, pasi brenda pak orësh apo ditësh do të zyrtarizohet si transferimi më i shtrenjtë në historinë e Serisë A. Dy ditë më parë ai kreu vizitat mjekësore në Madrid për Juventusin, teksa dje mori mallkime pafund nga tifozët napoletanë pas lajmit të zbuluar. Ndërkohë, presidenti i klubit të kaltër, Aurelio De Laurentiis, veçse detyrohet të presë milionat e Juventusit për fenomenin argjentinas, i paaftë të mbajë në skuadër njeriun i cili konsiderohej Diego Maradona i dytë i qytetit jugor.

Cristiano Ronaldo i kushtoi 94 milionë euro Real Madridit, kur u ble nga Manchester United Po sa do të jetë kostoja reale e transferimit të bujshëm? Këtë e zbulon gazetari i njohur italian, Gianluca di Marzio. Klauzola e sulmuesit skadon më 31 korrik të çdo sezoni futbollistik me këto kushte: në rast se klubi blerës pranon të paguajë, shifra është 90 milionë euro dhe paratë do të derdhen në dy vite.

Teorikisht, klauzola do të vlente 94.7 milionë euro në rast se do të paguante vetë lojtari për t’u larguar. Kështu, Juventusi do të paguajë 90 dhe jo 94.7 për të rrëmbyer rekordmenin e 37 golave në sezonin e fundit në Serie A.

Kjo do të thotë se Higuain do të kushtojë më pak se Cristiano Ronaldo. Ky i fundit është transferuar për 94 milionë euro nga Manchester United te Real Madridi. Ndërkohë, Di Marzio shton se nuk do të ketë përqindje solidariteti për klubet e mëparshme të Higuainit, Real Madrid dhe River Plate. Shuma e transferimit do të kalojë e gjitha në arkën e Napolit.

Burimi: http://telesport.al/klauzola-bie-higuain-kushton-me-pak-se-ronaldo/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button