HAJDUTI PËR BAJRAM

Nënës sime një kushëri i largët ia vodhi celularin gjatë vizitës festive.

Shumë thjeshtë.

Ka ardhur mysafir, ka ngrënë bakllava, ka thënë mes tjerash “Zoti kabull Ramazanin” dhe kur ajo ka dalur të përcjellë mysafirët, duke shfrytëzuar disa minutat e vetmisë është çuar dhe ka marr telefonin.

Nëna është kthyer në ato momente.

Kleptomani, pa u zverdhur apo skuqur, është kthyer në vendin e vet në divan. Mungon vetem video-inçizimi, gjithçka tjetër e qartë (përfshirë dhe kohën e telefonatës së fundit në praninë e tij dhe vendin e celularit mbi rraft).

…Nurka nuk donte të denoncojë kushëririn.

Ne, duke ditur që pa qenë 104% e sigurtë ajo nuk akuzon dhe duke ia njohur natyrën paqësore, e shtrënguam me “Hajduti nuk fshihet”. Nëse nuk tregon, i thamë, atëherë mysafirët tjerë, hiç pa faj, mund të jenë fajtorë potencialë në sytë tanë.

Nurka ishte kundër deklarimit, me drojën se kur të vijë herën tjetër nuk do ta mirëpresim.

Kiski tezaku i cili erdhi pas pak tha se Bajramin e ardhshëm tipin duhet jo vetëm ta mirëpresim, por edhe ti themi “ja këtu janë paret, ne po largohemi pak, ti ndjehu si në shtëpi”. Mandej me ton serioz vazhdoi që kjo shkelje e mirëpritjes shtëpiake duhet të përfundojë me shkuarje të njërit nga vëllezërit e mi tek personi me kërkesën decide asnjëherë më të mos shkelë pragun…me këto fjalë u prononcua Kiski. Si përherë u pajtova plotësisht me të.

…e mendoja mandej tipin “me dorën e gjatë”i cili kur vinte për festën shpesh dilja në dhomën tjetër.

I bajatshëm. Rregullisht ankohej për njerëzit e afërt, përfshirë dhe të shoqen me të cilën shumë herë ndahej e bashkohej, ndahej e bashkohej. Statusi i fundit paskësh qenë – përsëri bashkë.

Nëna rregullisht i fliste me durim, i bënte psikoterapi. Ka dhunti për të dëgjuar dhe këshilluar. Ky talent, shtuar edhe dellin për qeshje dhe muhabet gazmor, bën që zilja e shtëpisë në Tetovë gjatë ditëve të Bajramit të jetë superdinamike.

…atë ditë kur Nurka, sikur nuk ka ndodhur gjë, është çuar të përcjellë hajdutin deri te dera e jashtme, ai e ka falemnderuar për muhabetin…i bëka fort mirë biseda, këshillat. Në fund i ka rënë shpinës së saj “ablla me ty kur flas më vjen sikur kam folur me rahmetli nanën”.

– Ti çka i the? e pyetëm me ironi.

– Asgjë, tha nëna pa ironi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button